Freitag, 8. Juni 2018

Bajram Sefaj: Një kujtim për parkun "tim", në Gjenevë!

Bajram Sefaj  /  Foto: Sadri Hadërgjonaj
(Shkëputje nga libri me titull pune ”Prozë urbane.”, në përfundim e sipër”!)

mëngjeseve
ëndrrat m’i shqyejnë qentë
në mesditë
kolla e vetmisë
zogjtë m’i tremb
mbrëmjeve kotësia e ditës
më mbetet në fyt 
 /Agim Gashi/

          ...këtu, po në këtë vend, mbase pa ndonjë logjikë as arsye madhore e të caktuar, pikërisht në këtë pjesë tregimi, gjithnjë me lejen e Madhërisë sate, ngjis, ngul e mbjell, këtë copë rrëfimi që, mbase nuk ka lidhje më asgjë në këtë udhë, pos që vjen si dekor, faturë, si piktori kur ngre një vijë mavi hije mbi vetullën e portretit të një bukurosheje rioshe, gjithnjë duke lozur lojën dritëhije.
          Sa lëshoj parkun “tim”, e dal në rrugën, rue de Genève, që është ndër më të frekuentuarat, një mesoburrë ... 

*
          ... parku “im”, gjendet në pjesën periferike, por, po aq ekskluzive të Gjenevës, Zonjë e Nderuar. 
          Qilim i shkruar është! 
          Një copë parajse mbi (këtë) dhe të shkretë!
          Aftësitë, edhe të një shkrimtari shumë të mirë, me fond shumëfish me të pasur dijesh e njohurish, nuk a fuqi ta qes në letër, qoftë edhe një pjesë të imtë të bukurisë së tij. 
          Përpiqem të nxjerr në dritë disa të dhëna: Emrin e ka “Parc Floraire”. Hapur për publik është nga ora 8 deri në 22. Qenve u ndalohet hyrja. 
          Në vitin1902, e ngriti Henry Correvon (1851-1959), baba i kopshteve alpine...
          Kështu shkruan poshtë bustit tij, derdhur në bronc qe zë vend diskret në këtë hapësirë jo aq të madhe, por të mrekullueshme. Parqet publike, Ti e di mirë Madhëri, thonë se janë mushkëritë e qyteteve të mëdha e të vogla. Rrëfimi për të le të jetë edhe një pushim, një intermexo, një frymëmarrje në këtë rrugë të gjatë tonë të përbashkët. 
           Ky park, si sumbull, ka edhe “bibliotekën” miniaturale me mbishkrimin “3 ChêneCulturel”. Ka formën e një kolibe pëllumbash. Raftet janë të mbushur me nja dyqind tituj librash. Si pëllumba të llojllojshëm.
          Gjersa pushon nën hijen e lisit mijëvjeçar, mjafton të zgjasësh dorën e të marrësh cilindo libër. Në mos ta lexosh të tërin, atëherë ta shfletosh ngeshëm, derisa të kënaqësh. Sot gjeta kënaqësi në leximin e romanit të shkurtër por tejet të rëndësishëm, best-seller, “Le vieux qui lisait des romans d’amour” (I moshuari që lexonte romane të dashurisë) të shkrimtarit të shkrimtarit të mirënjohur çilean, Luis Sepûlveda (1949). Shfletova edhe dy romane: “Ni vue ni conue” (As pa as dëgjuar” dhe “Dousce nuit” (Natë e vakët) të shkrimtares se njohur amerikane, Mary Higgis Clark.
          Parku Floraire është si një kopsht mbuluar me lule. Secila rrajë ka emrin e vet.
          Echinacea purpurea, Linum perenne, Huachera micrantha, Arbis caucasica, Danthus gratianopolitanus, (sa për ilustrim!). Porosia humane vizitorëve: ”Jepuni një shans bimëve!”
          Në park ka lisa të gjatë, (..e ju o lisat e gjatë (të Shqipërisë) që ju kam ndërmend ditë natë!). 
          Ka gjelbërim e mugullim boll.
          Ka dy livadhe, ku shtrohen dreka e darka si në filmin artistik amerikan “Kafjalli në lendinë”, apo kështu disi, s’ka rendësi. “Kafjall të Tifanija” e tablosë së E. Manet, piktor francez që inspiroi impresionizmin. 
          Ka boll ujë që solemnisht rreshket, sikur rrëzohet nga një objekt lapidar miniatural. 
Formë kështjelle. 
          Pastaj ndahet e rrjedh nëpër kanale të hijshme. 
          Përfundon, papritmas, si ta përpin toka, në gjirin e një objekti tjetër ndërtimor, të hijshëm, po ashtu miniatural. Si një amfiteatër i vocërr dhe tejet i përshtatshëm për orë letrare “xhepi” apo ndonjë tjetër manifestim të vogël kulturor. E të tjera, te tjera.
          Mbi pastërtinë, higjienë le të quhet, që mbretëron në këtë kuti, as që duhet ngarkuar e vra mendjen! 
          Pse futët këtu e në ketë vend rrëfimi mbi parkun, në mos për asgjë tjetër, atëherë për të dëshmuar së letërsia e mirë ka edhe park të mirë. Në “defterët” e saj, ka mjedise dhe ambiente tjera të mrekulluara: për ski e plazhe të përshtatshme. Për sporte dimërore e verore, gjithëvjetore...


          ... po sa dal nga parku, (lidh vjegën me fillimin e këputur të kallëzimit), ... në rrugën më të gjallë, më të zhurmshme dhe më frekuentuese të Gjenevës, papritmas ndodhë kjo skenë: një mesoburrë i veshur e mbathur cicë, si ia thonë fjalës të rinjtë e kohës, i pshëm, me floë të shprishur e të derdhur për ballë, kthehet me fytyrë nga një stacion tramvaji, kur si zogj, zbresin udhëtarët e shumtë. Merr pozë të mprehtë dhe ekstravagante, burri i botës si një tribun i thekur të ishte, dhe ia krisë një fjalimi të zjarrtë. Mjerisht zhurma e madhe, mbyt fjalët e fjalimit. Eh, sikur të kisha një diktafon a mjet tjetër të ndjeshëm teknik dhe sa herë t’i vijnë “llutkat”, siç thonë pejanët, zotërisë të hallakatur e të luajtur mëndësh, (bien evidament), t’i regjistrohen fjalët që i shqipton, do të dilte një rrëfim a roman, nëse jo edhe aq i mirë , atëherë i veçantë dhe origjinal gjithsesi!
          Më njëzet e katër maj, asaj buzëmbrëmje kthej përsëri në “parkun tim”, jo për kendellje e pushim, por, për lamtumirë njëherë e përgjithmonë!


          Mos të qitet pas mëndësh, parqet e bukura e kanë edhe një të keqe: kur bën mot i keq, boshatisen dhe marrin pamje pikëlluese.
          Si ditën kur ia lash lamtumirën për këtë vit. Ndoshta përjetë.
-----------
Gjenevë. maj 2018 

Montag, 4. Juni 2018

Alketa Maksuti Beqari: GRUAJA PA ATDHE

Alketa Maksuti Beqari

Gruaja pa Atdhe

         Puna ime si përkthyes më mundëson të takoj shumë njerëz nga vendi im. Rrallë mund të memorizoj fytyrat apo emrat, sepse janë shumë, shumë. Historitë e tyre, e kam vështirë t'i harroj.
         Në zyrat e shtetit, përfaqësuesit ligjor më lajmëruan në telefon se ju duhej ndihma ime. Ora shënonte katër mbasdite. Dielli ishte i nxehtë edhe pse ishte pranverë.
         Hyra te porta dhe më pas për t'u ngjitur lartë kalova në procedurat e rutinës, por të detyrueshme. Përshëndetja. Letërnjoftimi. Arsyeja. Kalimi nën sensorët për kontroll armësh. Falenderimi.
         Njëzet vite që kryej punën e përkthyesit.
         U ngjita tek dhoma 204. Dera ishte e hapur. U përshëndeta me punonjësit. Afër tryezës, e ulur në karrige, qëndronte një grua me flokë gjysëm të lagura e mbuluar me batanije.
         Në gjuhën e shtetit ku punoj, pyeta me zërin e dridhur se çfarë ka ndodhur.
         Në këtë kohë hyn oficerja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut me filxhan çaji në dorë.
Ia vendosi zonjës në duar duke i buzëqeshur. Nga gjendja e rënduar psikologjike zonjës i dridheshin duart sa nuk mundej ta afronte filxhanin në buzë.
- Rast i vështirë - më tha komisari.
- Edhe për ju, ju kuptoj- vazhdoj më tej.
Tentoj të mbytej.
Gruaja kishte humbur shikimin në filxhani i çajit.
- Jeni në gjendje të fillojmë pyetjet? - i fola me dhembshuri shpirti.
- Po - u përgjigj me buzën që i dridhej akoma.
Më pas humbi shikimin tek filxhani i çajit dhe foli:
- Jam pa atdhe. Më lini të vdes!
- Unë dhe stafi këtu i zyrës duam të të ndihmojmë. Duam të dimë historinë tënde.
- Jam pa atdhe, më lini të vdes!
Profesioni më ka mësuar të ruaj emocionet, por asnjëherë nuk ka ndodhur.
Komisari më shikoj në sy. Heshti.
Më pas më tha:
- Pyeteni zonjën nëse dëshiron të vazhdojmë pyetjet, është në gjendje ta përballojë qëndrimin e saj.
Përktheva.
- Po - foli gruaja me buzët ende të nxira nga dridhjet.
Jam pa atdhe - shtoj më pas - jam pa atdhe! Sytë iu mbushën me lotë.
Përktheva.
      I kërkova komisarit jashtë çdo rregulli ligjor të më lejonin pak kohë të qëndroja vetëm me zonjën.
      Pa hezitim, me dhembshuri në sytë e tij doli nga zyra bashkë me kolegët e pranishëm si janë ligjet në rastet e marrjes në pyetje.
      U ula tek karrigia pranë saj.
- Pse e bëre? Jeta është e bukur! Fol, të lutem, unë jam këtu të të ndihmoj. Jemi nga i njëjti vend, e njëjta gjuhë. Jam shoku, vëllau yt si të duash më quaj.
      Sytë e saj ishin ngulur tek të mijtë sy.
- Jam pa atdhe! Më lini të vdes!
      Dridhej dhe vetëm dridhej.
       E kuptova që këtë ditë ishte e pamundur marrja në pyetje. Iu drejtova derës, menjëherë sapo u ngrita nga karrigia. Tek dhoma përballë ishte komisari dhe kolegët e tjerë.
 - Gjendja e saj është tejet e rënduar. Është e pamundur të flasë, shikimi i saj ka humbur në tjetër hapësirë. - U shpjegova.
       Komisari i kërkoj oficeres të njoftonte doktorin dhe të ndiqej procedura e shtrimit në spital. Nga ky moment unë do të isha i përditshmi vizitor i saj në orë të pacaktuara dhe ndoshta pa ndërprerje.
      Së bashku me komisarin hymë tek dhoma 204. Gruaja mbante filxhanin në dorë edhe pse çajin e kishte mbaruar.
- Kush e shpëtoj - pyeta duke qëndruar pranë zonjës dhe i hoqa filxhanin.
I mora duart e saj tek të miat.
- Tani do vij doktori, do të shtrojmë në spital. Më ke mua, nuk të lë vet - i thashë duke gëlltitur lotët.
- Jam pa atdhe! - foli më zë të mekur.
      U dëgjua nga jashtë sirena e ambulancës. Pas disa minutash doktori dhe ndihmësit e tij hynë në dhomë. Ishin si gjithmonë punonjësit e kryqit të kuq. E vendosën zonjën në karrige me rrota dhe dolëm.
       Komisari dhe njëri nga kolegët së bashku me oficeren ishin pas nesh. Hyra në ambulanca me lejën e komisarit. Iu ula pranë zonjës dhe duart e saj i mbajta në të miat duar.
- Jam pa atdhe, më lini të vdes! - tha zëri i saj pothuaj i shuar.
Në krah infermieri i vendosi serumin bashkë me qetësuesin.
Zonja ra në gjumë. Duart e saj ishin tek duart e mija.
- Të paktën tani është më e qetë. Ndoshta nesër do të jetë më mirë - tha doktori duke parë trishtimin në fytyrën time.
- Ju faleminderit doktor - i thashë.
      Arritëm në spital. E sistemuam zonjën në një dhomë për një pacient. Komisari, kolegu dhe oficerja u larguan. Unë u ula pranë krevatit të saj. Dorën ia mora tek dora ime. Sytë e saj u zgjuan. Më pa.
- Më lini të vdes, jam pa atdhe!- më kërkoj duke i rrjedhur lotë nga sytë.
Si të quajnë? - e pyeta dhembshurisht.
- Jam pa atdhe!
      Besoj në Zot. Iu luta, iu luta që të më bënte të fortë dhe të ishte me zonjën si deri tani.
I përkëdhela kokën.
       I thashë: - Jam atdheu, ktheu nga errësira të lutem, do jem atdheu yt!
      Doktori erdhi ditën tjetër së bashku me kartelën e saj.
- Gjendja është e rënduar. Ka humbur kujtesën. Duhet vetëm t'i flasësh, t'i tregosh për vendin tuaj.
- Kështu mund të rikthehet. Më vjen keq. E re. - foli ai me zërin që shprehte keqardhje.
Do ia dal, doktor, do ta rikthej.
      Kaluan tre muaj. Isha i përhershmi në dhomën e saj. I flisja dhe vetëm i flisja për vendin tonë. Gjithë lumenjtë, detet, fushat, malet, qytetet e fshatrat ia përshkrova. Asnjë shenjë. Prapë theva rregullin. I kërkova komisarit ta merrja në shtëpi. Atmosfera e shtëpisë do ta ndihmonte.
      Kështu ndodhi. Por sa herë ajo kthehej me kujtesën, përsëriste fjalën: 
      - Jam pa atdhe!
Doli vera dhe vjeshta arriti me ngjyrat e saj. Ishim tek baçja e shtëpisë. Gjethet kishin mbuluar barin. Ajo u ngrit nga poltroni. Hodhi shallin supeve dhe eci.
- Çfarë dite është sot- më pyeti.
- E dielë, shtator.
- Shtator? - pyeti e habitur.
- Jam në parajsë? Dhe juve iu caktoj Zoti të më gjykoni? Apo kam hyrë tek dera e më pret ferri? - tha.
- Jeni në shtëpinë time. Do kemi kohë të flasim. Nëse dëshiron, shëtisim. - iu shpjegova dhe luta.
      Shëtitëm gjysëm ore. U kthyem në shtëpi. Hymë brenda. Ajo u shtri në divan. Pas dhjetë minutash e zuri gjumi. I telefonova komisarit dhe doktorit. Në mbrëmje ishin aty. Doktori e vizitoj. Kujtesa po kthehej.
       Pas një muaji të dy shkuam tek zyra e komisarit. Gruaja ishte përmirësuar dhe në prani të doktorit nisi marrja në pyetje. Sipas procedurave të marrjes së të dhënave personale dhe arsyes pse ndodhej në këtë shtet, komisari e pyeti pse vendosi të mbytej.
- Për të mos e lënduar më shumë veten, është dhimbje e pa llogaritur të jesh pa atdhe. - Tha zonja.
      Përktheva unë. Marrja në pyetje zgjati dy orë. Në firmosje të deklaratës së saj, komisari u shpreh:
- Për shkak të rrethanave tuaja të shkruara gjatë kohës kur iu ishit në trajtim, shteti ynë vendosi të japë lejëqëndrimin këtu. Më pas ndiqen procedurat për të cilat do iu ndihmojmë ne. Uroj që jeta juaj të normalizohet dhe dua të shoh buzëqeshje në fytyrën tuaj.
      Përktheva. Zonja u ngrit dhe i dha dorën. E falenderoj. Pasi u përshëndetëm me të gjithë, dolëm nga dhoma 204.