Dienstag, 17. März 2020

Gani Mehmetaj: MURTAJA

Gani Mehmetaj

Dikush tha se ka rënë murtaja. Tmerri ma akulloi zemrën. E dija ç'është murtaja. Kisha lexuar sa shumë na kishte gjymtuar. "Murtaja po bën kërdinë", tha ai që e lëshoi lajmin tronditës, "vetëm se ne nuk kemi sy ta shohim e shqisa ta ndiejmë". Njerëzit u mpinë. Murtaja në shekullin XXI? pyetën njerëzit të çoroditur, duke shikuar përreth. "Bota ka shkuar në Hënë, bëhen gati të zbresin në Marsin e zjarrtë a të akullt, asnjëherë nuk i dihet në ç'gjendje është, kurse ju thoni gjëra të frikshme që i kemi kaluar para shumë shekujsh", ia ktheu njëri nga turma me flokë të thinjur. Turma u mblodh në shesh. "Murtaja ka rënë shumë më parë, por ju e ngatërroni kohën", vërejti Thinjoshi. "Jo, e ke gabim", ia ktheu tjetri me zemërim, "sëmundja që s'guxoj t'ia përmend emrin po përhapet në tërë hapësirën tonë dhe në të gjitha shtresat. Sëmundja e dikurshme ishte lule e dritë krahasuar me këtë të sotmen", iu drejtua ai, i sigurt në ato që thoshte. "Murtaja e dikurshme së pari e godiste trupin derisa e moliste, pastaj përfundonte me ankthe e vuajtje, por mendja ishte e kthjellët. Sëmundja e sotme e bën çorbë trurin, pastaj i atrofon gjymtyrët, i tëhuajëson njerëzit, i bën të pavullnetshëm si delet", e ngriti zërin burri i moshës së mesme, me sy të mprehtë e zë të butë, por mbizotërues. Ai kishte fytyrë të zbehtë e flokë të kuqërremta.

"Na i ruaj Zot mendtë e kresë", tha dikush nga turma, ndërsa folësi vazhdoi: "Dikur i sulmonte shtresat e varfra, e pësonte aksidentalisht edhe ndonjë aristokrat, por sot është ndryshe, sëmundja po i infekton të gjitha shtresat pa dallim moshe, gjinie e gjendje sociale, pa i mëshiruar fëmijët a të moshuarit. Por ka nga ata që e përsërisin si përralla për gomarin që kur e hante ujku thoshte: bane Zot ëndërr! Prandaj askush nuk e dha kushtrimin kur nisën të lëviznin mikrobet shfarosëse ditën me diell, kur ende mund t'i dilnin ndesh dhe ta bënim të pazonjën për të bërë dëme. Disa shpresonin me zemërkeqësi që t'u binte të pabuksave, për cilët thoshin ata, nuk e dinë si do ta kalojnë dimrin, kështu që sëmundja do t'ua lehtësonte vuajtjet". Ai e përmendi madje Darvinin dhe mbijetesën e më të fortit, që e vunë në veprim ata që e lejuan murtajën. Pati që kundërshtuan me zemërim me një “uaaa!” "Para Zotit të gjithë janë të barabartë", mos blasfemoni, tha një burrë në moshë të shtyrë.
Nga dëshira e seleksionimit, folësi besonte se dikush nuk i ndërmori masat mbrojtëse, nuk iu kundërvu së keqes, nuk e dha kushtrimin. Shpresonte se murtaja do ta merrte tagrin e vet, do t'i dërgonte përtej ku bren miza hekur, ata që nuk dinin pse jetonin, ku shkonin, dhe kush ishin: ata që u brohorisnin profetëve të rremë. Shpresonin se të mbijetuarit do ta gjenin veten dhe do të bëheshin më të fortë. Kështu donin të besonin përderisa murtaja dalëngadalë pushtonte lagje e qytete. Njerëzit shihnin pa e prishur gjakun dhe pa e dhënë kushtrimin. "Ne ia hapëm dyert", tha ai. "Prisnim se e mira që nisi të vinte nga të gjitha anët do të vazhdonte pa hile. Edhe murtajën e futëm brenda. Në atë eufori pakkush e ndiente tmerrim që po depërtonte. Në varfërinë e tyre le të ushqehen me diçka: pilafë, gurabije, idhuj të rremë, premtime për parajsën, babëzinë për pasuri e gra të përdala. Le ta plotësojnë boshllëkun që ua mbërtheu shpirtin, e vlerësoi dikush me djallëzi. Pas euforisë së parë nisi t'u mungonte vetja, nuk u mjaftonte liria, s'kishin identitet, u firoi dinjiteti e integriteti. Zhgani nisen të kapeshin pas diçkaje që s'ishte e tyre, që dikur u erdhi me hekur e me zjarr. Ata e kërkonin shpëtimtarin që ua përkëdhelte ëndrrat për kamje e parajsë pa e lëvizur majën e gishtit të këmbës. Vesi e krimi, u bënë hon që kapërdinin njerëzit, një herë në kënaqësinë mëkatare të mishit, pastaj në mëkatin e krimit. Dikur në kulmin e arrogancës e të përbuzjes, derisa panë se i kishin duart me gjak, prapë nga frika e ndëshkimit, e drejtonin gishtin tutje, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja. Çdo gjë nisi si në rrëfimet biblike me shembullin e qyteteve të vesit e krimit: Sodomen e Gomorën, ndërsa u shtri në qytete e katunde të sapoçliruara, ku njerëzit nuk e merrnin veten ç'po ndodhte. Ata me mendje të kthjellët e identitet të qëndrueshëm, përpiqeshin t'i shmangeshin vesit, t'i iknin krimit, të jetonin me nder, por ishte vështirë: vesi, krimi e shthurja u bënë model jetese, brezat e rinj të hutuar s'dinin nga të shkonin. Këshillat e prindërve u dukeshin frenuese, me ndalesa e privime, ndërsa modelet e reja thoshin “bëje këtë dhe mos ngurro në asgjë!” Të rinjve sapo e fillonin punën e parë në profesion, i mësonin si të vidhnin, në vend se të zbatonin ligjin, u tregonin si mund t'u shmangeshin ndalesave të ligjit. Gratë e reja ende pa e shijuar nektarin e martesës i tundonte djalli të tradhtonin, burrat shihnin të babëzitur gra tjera, ndërsa nuk ua plotësonin dëshirat grave që i kishin pranë. Të vidhje e të vrisje nuk ishte krim, ishte mënyrë jetese. Të zhvatje shtetin ishte patriotizëm! Nxirrte kokën ndonjë zë rebel, i cili në mënyrë profetike ua thoshte gjërat, i paralajmëronte për pasojat, ua përmendte murtajën, por ose e vrisnin, ose ia shuanin zërin, jo rrallë e tallnin, e quanin të qulltë, të pazotë të bënte si ata, prandaj ishte kundër tyre. E përsërisnin deri në monotoni se kush nuk është me ta, është kundër tyre". Flokëkuqi pushoi. Pastaj si kishin cytur vazhdoi:
"Vesi do t'ua hajë trupin, Sodoma do t'ua çrregullojë shpirtin, Gomora është vendi që do t'ua shthurë familjen, dyfytyrësia do t'u fundosë në hon të pafund". Turma e kishte qarkuar, njerëzit e shihnin me dyshim. Disa i shmangeshin, nuk donin ta besonin, nuk donin ta dëgjonin, u dukej më i lehtë vesi se sa virtyti, e donin mashtrimin më shumë se ndershmërinë, më lehtë e pranonin gënjeshtrën se sa të vërtetën.

Unë shihja dhe dëgjoja. Në mesin e turmës nisën të më përftonin pamjet e parashikuesve të së ardhmes nëpër lagjet e varfra, me mjekra zgjyrë, që lëvrinin si urithët nga lagjja në lagje, nga katundi në katund. Dilnin edhe në ekrane në vend të yjeve të filmit, shanin e mallkonin, qanin e qeshnin si palaço cirku. Me kujtohej se si zhgani i hutuar i ndiqte prapa, shtrëngonin dhëmbët duke e kërcënuar armikun që e shihnin kudo. Dikur lëshuan rrënjë si në rrëfimet biblike: ata po e zvetënonin gjuhën, po e sillnin një frymë shkretane që ta thante shpirtin. Zhgani shihnin me frikë. Disa kërkonin sqarime, por askush nuk i ndihmonte, i shtynin të futeshin në shtjellën e së keqes. Parashikuesit e apokalipsit, të padije e të pa soj, çirreshin se po u shkuan prapa do t’ua sjellin parajsën mbi tokë, do t'ua siguronin haremin në qiell, bota jonë do të jetë ndryshe. Dikush ia krisi gazit me marrëzitë e këtyre profetëve të rremë, por dolën disa që e zhdëpën në dru sa e bënë për spital. Të tjerët u zbythen, nisën të mësoheshin me të keqen, nuk u bënte përshtypje nëse natës i thoshin ditë e ditës natë, mjaftonte ata të mos e pësonin, u mësuan me britma çjerrëse.

Nga imagjinata më shkëputi zëri që e mbizotëronte turmën: "murtaja po bën kërdinë, shpirtrat po vdesin, kurmi i tyre endet me pamje të çoroditur, të përhumbur e të pacak, duken si somnambulë. Murtaja ua mori shpirtin dhe ua la trupin, ç'u duhet trupi pa shpirt, ç'u duhet pasuria pa qetësinë shpirtërore, ç'u duhet jeta pa liri. Po vdesim në këmbë, nuk jemi vetja, jemi dikush tjetër që është futur në trupin tonë, e ka dëbuar shpirtin tonë dhe udhëheq me ne, ashtu si do ai e jo ashtu si duam ne". Turma u trazua, murmurima e përshkoi Sheshin, dyndja e valëzoi turmën. Dikush mësyu folësin, me një gur a gjësend të fortë, nuk e pamë me saktësi as atëherë dhe as më vonë nuk e sqaruam. Pamë gjakun në ballin e folësit, sulmuesi u përzije me turmën, dy të tjerë iu afruan për ta mëkuar, por një sy i stërvitur pa se ata ia mbërthyen duart, ia lidhën me spango plastike të fortë, mund të bëja be se gjymtyrët ia mbanin shtrëngueshëm, saqë ai lëshoi një klithmë të çjerrë. Turma e trazuar nuk e dëgjoi klithmën dhe as nuk pa se si e tërhiqnin pavullnetshëm folësin që e shqetësoi turmën.

Disa ditë askush nuk doli në shesh. Fytyra të zymta hafijesh endeshin trotuareve. Njerëzit të frikësuar shihnin nga qelqet e dritareve të apartamenteve dhe e mbyllnin shpejt perden që të mos i shihnin ata përposh. Qeveria të nesërmen në mbrëmje dha një komunikatë të thatë: "Një i rebeluar, emri i të cilit nuk u mor vesh, e trazoi turmën me gjepura që s't'i kapte mendja. Ai foli me gjuhën e armikut. Turma e dëboi, madje dikush e goditi me gurë. Mësuam se nga dëshpërimi ai bëri vetëvrasje, u hodh nga dritarja". Folësi i televizionit që e lexonte komunikatën qeveritare fliste me zemërim. "Murtajë nuk ka në vendin tonë. Murtaja është shpikje e armikut", zgurdulloi sytë folësi i televizionit, "armiku mund të shpifë gjëra të tilla, ndërsa armiku e di vendosmërinë tonë".

Folësi që e trazoi turmën nuk u përmend më. Dikur e harruan edhe murtajën. Flisnin për të si për një sëmundje që kishte ngjarë shumë më parë, në kohën e Pjetër Bogdanit a të Pjetër Budit, nuk e dinin me saktësi. Njerëzit me një ngërdheshje në fytyrë e lëvizje të somnambulit endeshin rrugëve si të mos qenë të kësaj bote.

Murtaja ua kishte marrë shpirtin, por ua kishte lënë trupin që u tundej me lëvizje të kushtëzuara.

Bajram Sefaj: EPIDEMIOLOG

Bajram Sefaj
Tregim për fëmijë

(shkëputur nga përmbledhja “55 profesione e poste, rrëfejnë gjyshërit modernë”)

Princesha e Gjyshit, siç i thirri poeti i trevës Avdush, nipçes së vet Aria, (Aria është princeshë, /Aria është hënëz me fustan larushe, /Edhe mollë që e puthë dielli/, edhe shqiponjë dajeshës/, Nëse dikush e thërret ndryshe/, Retë e zymta i ulën në ballë/, Dora e saj e vogël di të bëhet grusht/, T’i bie tryezës fort: Jam princesha e gjyshit). Me fal për këtë digresion paksa të gjatë, arti i mirëfilltë poetik, në këtë rast, djeg e përvëlon. Lakmova që, edhe ti, dorën e tënde të bardhë e të butë, me gishtërinjtë trashullakë, si të kullotur bletësh mali, ta mbledhësh e ta bësh grusht e të kumtosh: jam princesha e Gjyshit epidemiolog, bash sikurse moshatarja jote Aria!

Gjyshi sikur nuk u mjaftua me kërkesën falje të flashkët, nga se mirë e dinte se Mbeska e tij është sedërhollë, e ndjeshme si letra e cigares, e përkëdhelur dhe lozonjare, nuk kënaqet vetëm me kaq. E ngriti në kraharor. Si flutur të bardhë e të lehtë. Kur pa se në fytyrën e saj ishte shkrirë edhe fija e fundit e tisit të zemërimit dhe zymtësisë, e puthi lehtë në të dy faqet, si qershi në shi, dhe nisi rrëfimin. Meqë për profesionin e tij si epidemiolog, nuk kishte aq shumë të thoshte e shpjegonte, Gjyshi sikur gjet një shteg të ri, që i ngjau si shpëtimtar!
-Të gjithë termat që, në trungun e tyre fshihet nga një “log”, si për shembull: epidemiolog, urolog, kardiolog, oftalmolog, stomatolog, biolog, zoolog, meteorolog, orintolog... e të tjera e të tjera, mos t’i numëroj të gjitha, se tutna mos të mërzis dhe ngarkoj trurin tënd të kthjellët, me gjera që do t’i mësosh e do t’i kuptosh kur të rritësh e të bëhesh e madhe dhe, pse jo, të ushtrosh ndonjë nga këto profesione, por, ajo që desha të tërheq vëmendjen është se, të gjithë këta terme, pos që i takojnë familjes së njëjtë, janë fjalëformime, si të ne, si gjetiu, gati ë të gjitha gjuhet e botës, pa përjashtim. Sa për ilustrim: nga fjala epidemi, vetëm i shtohet, pra edhe një “log” e ndërtohet fjala epidemiolog. Epidemiologu, princesha ime, që ta kesh të qartë, qysh në krye të herës, nuk është tjetër pos mjek. Mjek më i thelluar në fushën e epidemiologjisë. Për fat të mirë, hapësira e shtrirjes së qenies sonë, nuk është përfshirë gati asnjë herë, ose rrallë herë, është goditur nga epidemitë e mëdha e të tmerrshme, me përmasa të gjera katastrofe sikurse është epidemia e mortajës, bie fjala. (Mos e harro titullin e veprës “Mortaja”, të shkrimtarit francez nobelist me orgjinë algjeriane Albert Camus). Pos epidemive të zakonshme, iç është epidemia e fruthit, epidemia e ashtuquajtur stinore e gripit, vendin tonë (Kosovën, atëbotë të robëruar), në muajin shkurt të vitit 1972, të shekullit 20-të, e goditi epidemia Variola Vera, e njohur si sëmundje e Lisë. Pos që mori shumë jetë njerëzish (numri saktë nuk me kujtohet!), mbolli frikë e panik ndër masa të gjera popullore. Në shumë rrethe, qytete e lokalitete, atëbotë u ngritën kantina strehë për lokalizimin dhe izolimin e atyre të ishin prekur nga kjo epidemi që, zakonisht ësjtë më pasoja të mëdha: Karantinat, si beden, kishin për qellim t’ia ndërprerin hapin vërshues kësaj sëmundje të ligë, të kobshme e tinëzare. Epidemiologët, gjithë sa ishim, të ndihmuar edhe nga imunologët, sivëllezërit tonë dhe ekspertë të lëmenjve të ndryshme të medicinës, ishim në këmbë, ditë e natë, bukë pa ngrenë, ujë pa pirë e, gjumë në sy, pa shti. Kurrë mos u harrofshin ato kohë tmerri e hataje. Gjyshi rrokullisi një ofshamë të thellë e, si në panik. Princeshën e tij të vogël e përthekoj në prehrin e tij kështjellë mbrojtëse ndaj rrezikut të zi, që kanosej t’ia rrëmbej epidemia, cila do qoftë ajo.

Gjyshi që, shpesh e luste perëndinë t’i perëndonte shpirti pa të keqe në trupin e brishte e ne rritë, e porositi atë të hapë faqen 431 të FGJSSH. Që besnikërisht ia ruan shpjegimin dhe sqarimin e duhur të fjalës (a termit) epidemi dhe të gjitha motërzimeve të tij: EPIDEMI ~ A, f. sh. ~TË. 1 mjek. Sëmundje ngjitëse që përhapet shpejt të shumë njerëz në një krahinë, në një vend a në disa vende. Epidemia e kolerës (e tifos, e gripit). Ra një epidemi. U përhap epidemia. 2. fig. Keq. Dukuri që përhapet shpjet në një masë të madhe njerëzish. Epidemia e modës. EPIDEMIK ~ E mbi. që përhapet shpjet të shumë njerëz që ka tiparet e një epidemie. Sëmundje epidemike.

(diku në Francë, mars 2020)