Samstag, 11. Juni 2011

Pesëmbdhjetë tregime nga Vullnet Mato


BURRI I PESË GRAVE

Epiteti Don Jovani, që i kam përngjitur emrit të këtij njeriu, përputhet tërësisht, jo vetëm me karakterin e tij tejet feminist, por edhe me tingëllimin fonetik të Don Zhuanit, aq të njohur në veprimtaritë e veta mashtruese me gratë.
Don Jovani ishte një shofer shtatshkurtër nga Palasa e Himarës. Ai nuk kishte as ndonjë pamje tërheqëse për të joshur aq shumë femrat, si Don Zhuani i famshëm. Por kishte një natyrë prej zamke, që u ngjitej atyre me ngulmin e pashkëputur, me gazin e paperënduar në buzët e tij dhe me një zë nanuritës, aq të ëmbël, sa mund të prekte telat e zemrës delikate të disa grave të ndjeshme.
Me Jovanin, tepër larg profesionit dhe pasionit tim letrar, më lidhëm dy fije të padukshme të dobësisë sime të hershme: Himara e bukur pranë vendlindjes dhe gjuha greke, që pata mësuar në Sarandë qysh në vegjëli. Duke vënë re se në parcelën gjuhësore të trurit, po më thaheshin disa fjalë të paprashitura prej kohësh, Jovani ishte një rastësi e mirë ushtrimore, jo vetëm për të stërvitur gjuhën, por edhe për të mësuar disa pasurime të reja në fjalorin bashkëkohor të greqishtes.
Nejse, ajo që dua të tregoj nuk është ky informacion i thjeshtë, por fakti se prototipi i pushtit shqiptar, që më befasoi duke me treguar jetën e tij, kishte pesë gra dhe një tufë fëmijë me secilën prej tyre. Punonte shofer autoambulance në spitalin qendror të Tiranës dhe kjo i jepte mundësi të shkonte në çdo lagje e shtëpi, ku thirrej urgjenca shëndetësore. Ne u takuam rastësisht, teksa e dëgjova të fliste greqisht me një person në afërsi të pallatit tim, ngjitur me spitalin, ku për disa net me radhë parkonte makinën. Jo se spitali nuk kishte parkim për mjetin e tij, por sepse në këtë pallat atij i kishin mbetur sytë edhe te një vajzë katërmbëdhjetëvjeçare, me të cilën ishte njohur gjatë thirrjes së urgjencës për njërin nga prindërit e saj.
Pra, ai kishte lënë gruan e parë të ligjshme me pesë fëmijë, në shtëpinë e vet dykatëshe në Palasë. Tek e cila shkonte rrallë, sa për të mos e lënë djerrë, sikur barku i saj të ishte një parcelë, ku ai mund të mbillte çdo dy vjet nga një kokëlakër të re. Sepse për fëmijët e harruar që linte pas, nuk e merrte malli. Donte vetëm sa ta shihte fshati, se ajo familje kishte burrë dhe gruaja të vazhdonte të mbante lidhur gurët e vjetër të mureve të shtëpisë së tij. Ashtu siç kishte qenë zakoni me gratë e kurbetllinjve të atij bregdeti, që ktheheshin vetëm kur fillonte t’u harrohej emri. Ndërkohë bashkëjetonte me një kuzhiniere të shëndetshme në Tiranë, me të cilën kishte bërë tre fëmijë, pasi ajo e kishte pranuar të banonte në shtëpinë e saj. Kishte dy fëmijë me një infermiere, tek e cila shkonte për të fjetur disa net në javë, me pretekstin se netët e tjera gjendej në gatishmëri urgjence. Kishte shtuar pjellën e tij edhe me dy fëmijë të tjerë te një grua në Sauk. Kishte dy vjet që ishte bërë baba i paligjshëm me një punëtore të kombinatit ushqimor. Dhe tani së fundi te pallati im, bënte dashuri fshehtas me një adoleshente, e cila dilte nga kati i parë, kur prindërit e saj bënin gjumin e mesnatës dhe i shkonte te shtrati portativ që mbante Jovani në autoambulancë.
Dy pyetjeve të mia konfindenciale, në mënyrën habitore, ai u ishte përgjigjur kësisoj:
- More Vani, çfarë i shijon ti asaj fëmije?
- E para, ajo ka qejf vetë, - qeshi ai me kërcëllimë. - Pastaj puna ime kuptohet, maçokut të vjetër i shijojnë më shumë minjtë e njomë!...
U preka shpirtërisht nga këto fjalë mizore, sepse nuk mund te qeshja me poshtërsinë e tij.
-Po kështu si e ke zënë ti, more varvat i himarjot, mund të bëhesh me dyzet gra dhe të formosh një batalion me kopilë të paligjshëm!...
- Kurani mysliman, nuk thotë kot, se burri mund të ketë deri në shtatë gra...
- Por ama Bibla jote nuk ta lejon kurrsesi, - ia ktheva me të njëjtën monedhë.
Ai nuk u mendua fare për të më dhënë përgjigjen që meritoja:
- Unë nuk shkruaj libra, - tha krejt i qetë e buzagaz. - Në këtë botë njeriu ka dy qëllime, o të shpjerë botën përpara me shkencë, o t’i shtojë botës popullsinë. Unë mund të bëj vetëm të dytën, përderisa karburatori ma shpie currilin e naftën të digjet mirë në çdo motor...
Mirëpo adoleshentja pa përvojë femërore i hapi telashe të papritura dhe Jovani, si rrallëherë m’u duk tejet i mërzitur kur ma zunë sytë sërish.
- E mbusha aksidentalisht!- tha kur e pyeta për shkakun atij trishtimi që shprehte fytyra e tij.
- Ti je i çmendur! - i thashë i tronditur me ton të ashpër.
- Jam i mençur dhe i specializuar për këto punë aty ku punoj, - tha ultas. - Lepurin nga barku ia nxjerr asaj edhe sikur të shkojë tre muajshe, por kam problem një shuk me para për maminë, që të pranojë ndërhyrjen e abortit në shtëpinë e saj. Tani pres mos na japin ndonjë shpërblim për Vitin e Ri, se rroga nuk më mjafton...
Atë çast m’u kujtua se për tipa të tillë njerëzish sharlatanë, ka një shprehje që përdorin zakonisht gratë: "Të qafsha me lot e me qurre! "
Tri javë rresht, Jovani ishte tym dhe nuk u duk për të kaluar mesnatën pranë pallatit tim. Javën e katërt, në prag të Vitit të Ri, ai i ra borisë teksa po nxitoja hapat përgjatë rrugës "Bardhyl"
- Jasu, patridha! - lëshoi dy fjalë të vetme, duke nxjerrë kryet nga dritarja e makinës, me atë gazin e tij kërkëllitës, kur ishte me qejf.
- Hë, - i thashë gjithë merak, - ç’bëre për atë hallin e madh!
- To petakse ! (e hodhi!) - tha greqisht.
Mora frymë thellë dhe sikur u lehtësova nga keqardhja që kisha ndjerë kur ma tregoi fillimisht.
- Po më dëgjove mua, mos bëj budallallëqe të tjera me të dhe as me ndonjë tjetër, se do gjesh belanë më keq!- e këshillova për të bërë sadopak detyrën që më takonte.
- Po s’bëra, vdes! - tha duke qeshur dhe i dha gaz makinës drejt spitalit.
Një copë herë me bëri sërish të mendoj thellë ky njeri i çakorduar në ndjenjat e tij noprane.
Por, duke u marrë me telashet e punëve të mia familjare gati e kisha harruar, kur pas ca kohësh më doli parasysh papritmas, si fanti spathi i ngjyrës së zezë. Ai ndali makinën ndanë rruge, me një pamje krejt të zbehtë, të tretur nga vuajtja e thellë shpirtërore.
- Më ka ndodhur hataja e të gjitha hateve! - lëshoi fjalinë e parë duke marrë frymë thellë, sikur i mjaftonte ajri.
- Ç’dreqin ke katranosur përsëri, mor jahu? - i thashë duke mos pasur aspak dëshirë të zgjatem në bisedë me të.
- Unë të dëgjova ty, patridha, dhe kam bërë ca frena kohët e fundit, - tha me zë të mekur. - Po gruaja në fshat, pas kaq kohësh i mori vesh të gjitha qyfyret e mia. Ajo nga inati u bë e marrosur, spërkati shtëpinë me benzinë, i vuri flakën dhe i dogji të tëra me kuç e me maç, pastaj shkoi me gjithë fëmijët te prindërit e saj. Mua më la vetëm një gërmadhën me gurë të zinj, që edhe miliona po të kisha, nuk bëhet më kurrë siç ishte. Tani kam mbetur si ai huri i shkulur në mes të udhës dhe zoti e di se ku do ngulem kur të dal në pension. Se edhe ajo kuzhinierja që më mbante në shtëpinë e saj, i kishte shkuar infermieres, dhe duke bërtitur "kurve!"njëra e "kurvë!"tjetra, i kishin shkulur flokët njëra-tjetrës...
Nuk m’u durua më tej, prisha edhe unë gojën me të:
- Do vijë dita që edhe ti, si kurvar i tyre, të mos kesh më asnjë fije floku. Se do mblidhen të tëra bashkë me gjithë fëmijët dhe do të t’i shkulin qimet e kokës një nga një. Atëherë ç’farë do bësh, more qyqar?!...
- Do ia heq vetes, ose do pi bar miu, se minj të njomë nuk do ha dot më! - tha dhe tërhoqi këmbët zvarrë drejt autoambulancës.
Dukej tamam, sikur ishte nën efektin e barit të miut, ende pa pirë helmin shfarosës.
 
 
 
 
 
I SHËMTUARI MISTERIOZ

Në grupin tonë të arsimtarëve që kishim krijuar teatrin amator, bënin pjesë djem e vajza të rinj, me arsim të lartë dhe të gjithë të pashëm. Për të mos thënë se kishte edhe shumë të bukur, si Petriti, e sidomos Shania fantastike, të cilën e quanin çamia bukuroshe e Durrësit.
Por, ishte afruar mes nesh, për inerci e si për të kompensuar tërë hijeshinë e grupit, edhe më i shëmtuari i efektivit të arsimtarëve të rrethit, që kishte vetëm emrin e bukur, Fatmir. Për të cilin edhe ai vetë thoshte shpesh: "Unë duhej të quhesha "Fatkeq" po nuk e kuptoj pse krijuesit e mi prindër më vunë këtë emër, që stonon tmerrësisht me pamjen time."
Na prekte shpirtin me këto fjalë dhe me dëshirën e tij për të marrë në pjesët teatrale vetëm rolet negative, të cilat i qante si askush tjetër. Por ndjeheshim keq, sidomos, kur padashur hidhnim sytë vëmendshëm mbi fytyrën tij. Apo kur unë, që bëja makijazhet e shfaqjes, punoja gjatë për të transformuar në përshtatje me rolin, detajet e gjymtyrëve të tij të llahtarshme. Duke bërë të pranueshëm për spektatorin ballin e zbuluar deri lart në zhogën e kokës, me dy gunga koskore të dala në të dy anët çuditërisht, sikur natyra kishte përgatitur me to bazamentin për t’i nxjerrë brirë kafshe, por më pas ishte penduar dhe e kishte kthyer në njeri. Dy sytë e thelluar në gropat pamore pa qepalla, vetullat e kreshpëruara, bulçitë e rrafshuara nga dobësia, të ngjitura fare pranë dhëmbëve, xigomatikët si dy funde dardhash dhe mjekrën si të cjapit, të zgjatur deri afër fikthit të theksuar mashkullor, që i lëvizte si kokërr arrë poshtë e përpjetë gurmazit, sa herë fliste.
" O zot, - kishte thënë Shania nën zë, - edhe sikur ndonjë piktor të kërkonte tipare të tilla, për të bërë portretin e një xhindi, zor se mund t’i gjente këtu mes nesh!"
Ne shokët e tij, u thoshim vajzave dhe vetë Shanes, të mos e vrisnin shpirtërisht, duke e braktisur në biseda, kur ato qëndronin gjithë kohën vetëm pranë të tjerëve. Madje, për ta bërë të afruar e të domosdoshëm për secilin gjatë provave, Fatmirin e zgjodhëm regjisor të grupit teatral. Ndonëse kishte mësues të tjerë me prirje letrare e me njohuri skenike të mjafta për atë punë. Megjithatë, Fatmiri, që kishte mbaruar për matematikë, e justifikonte më së miri këtë përgjegjësi shoqërore që i kishim caktuar. Sepse ai ishte prej natyre më i zgjuari nga të gjithë ne dhe me shije e durim të pamposhtur për të lexuar pjesë teatrale. Me të cilat pushtuam skenën e shtëpisë së kulturës disa herë dhe bëmë turne në shkollat e mesme të Elbasanit dhe të disa qyteteve të Myzeqesë.
Në marrëdhëniet tona shoqërore, vajzat mësuese, si Shania, Leta, Neja e ndonjë tjetër ishin tejet të lakmuara nga djemtë si Petriti, Kashani, e gjithë beqarët e tjerë. Por sidomos Shanes i vardiseshin jo vetëm amatorët, por edhe djem të qytetit, të cilët i rrëmbente portreti i saj fantastik gjatë shfaqjeve, në disa role vajzash heroina të repertorit skenik. Madje Petriti thoshte me shaka, lum ai pallosh që do t’ia mbushë mendjen, ta ketë gjithë jetën në shtrat këtë perri çame, e cila na ka zbukuruar edhe vetë opinionin për të gjithë çamët e Shqipërisë.
Pra, siç lashë të kuptohet edhe më sipër, djemtë ndjeheshin të gjithë të dashuruar në mënyrë të njëanshme me këtë vajzë të rrallë. Por Fatmiri psherëtinte nga dhimbja kur vështronte Shanen, dhe kjo lëndohej në shpirt kur ai e shigjetonte në sy, njësoj si trëndafili që vyshket, kur gjembi në afërsi i prek petalet. Ndoshta mjerimi shpirtëror që ndjente kohët e fundit Fatmiri nga shëmtimi tij, i shkaktohej kryesisht, sepse ndjente largësinë kilometrike prej saj. Por edhe pamundësinë për të qenë në raport të barabartë pozicional me djemtë e tjerë që e ngacmonin e bënin shaka me këtë vajzë, të cilën fati ia kishte privuar vetëm atij, duke e dënuar të përgjërohej për të. Aq sa kishte arritur të shfrynte te shokët: "Ah, moj nënë, ç’më bëre që s’më mbajte dhe nja dy javë në bark, sa të më rregulloheshin defektet." Dhe këtë duf e nxirrte pikërisht në rastet, kur nuk ia varte Shania. Sepse, edhe kur ai i afrohej për ndonjë shpjegim roli, ajo e dëgjonte pa e vështruar në sy. Megjithatë, kishte edhe raste kur ajo e falënderonte përzemërsisht për mendimet që i jepte, duke ndjerë ngrohtësinë e sinqertë të zërit të tij të butë e të nënshtruar tërësisht para saj. Gjithsesi edhe në këto raste, ajo komunikonte kokëmënjanë e me sytë diku në boshësi, teksa Fatmiri ndjehej mirë, sepse kishte idenë se kur vajza të kthen shpinën duke të qëndruar afër, do të thotë se të bluan në trurin e saj.
Në fund të atij viti mësimor me arritje të mjafta në punë e në lëvizjen amatore të shkollës sonë të mesme, ndodhi e çudia e të gjitha çudirave që e la pa mend grupin tonë të arsimtarëve. Shania me kasafortën e mbyllur rreptësisht e tepër sekrete të mendimeve të saj, u kthye befas për një vizitë në familjen e Fatmirit, te shtëpia e tij dykatëshe me oborrin e madh nën hijen aromatike të portokalleve në Elbasan. Pas këtij pelegrinazhi në Edenin e fshehtë të këtij qyteti të lashtë, ajo bindi prindërit e saj në Durrës për vendimin e rëndësishëm jetësor që kishte marrë papritmas.
Të gjithë ne të tjerët, por sidomos pretendentet për tu fejuar me të, gati sa nuk shkalluam nga trutë, kur morën vesh se Shania bukuroshe ishte fejuar me të shëmtuarin misterioz. Tejet i mahnitur Petriti, tha se Shania duhet ta kishte dredhur patjetër gjatë viteve të universitetit në Tiranë, që pranoi verbërisht të martohej me Fatmirin e përçudnuar fizikisht.
Unë ia ktheva në çast:
- E ka dredhur, apo e ka shpërdredhur, është puna e saj ç’ka bërë. Në fund të fundit, e di vetë e zonja përse e ka zgjedhur...
Nga një bisedë me Letën, mësuam se Shania i kishte thënë asaj: "Mua, moj motër, nuk më duhet bukuria që kam vetë, më duhet burrëria, mençuria dhe besnikëria, në atë masë, që e ka Fatmiri, por sidomos shpirti i tij i bukur e fisnik me të cilin ndjehem fare mirë."
Këto fjalë të qarkulluara me shpejtësi të habitshme, mes të gjithë atyre që i njihnin, bënë të mbylleshin përfundimisht të gjitha gojët. Madje pas kësaj, edhe vete Fatmiri filloi të na dukej disi më i natyrshëm me hijen e re të pamjes së tij prej bashkëshorti. Por nuk na shkulej nga mendja sidomos zhgënjimi që pësuam, kur kuptuam se teksa qahej për fatin e keq të fytyrës së shëmtuar, kishte punuar në mënyrën më misterioze për të shtënë në dorë fytyrën më të bukur që gjendej mes nesh. Por në fund të fundit, jeta është përpjekje e pareshtur e njeriut, për të arritur të pamundurën në të gjitha format dhe trajtat ku shfaqet. Dhe na mbetej vetëm t’i shtrëngonim dorën këtij fitimtari të madh, që i la me gisht në gojë të gjithë pretendentët.
 
 
 
 
 
TRËNDAFILA NË ZEMËR VAJZE
Odeta nëntëmbëdhjetëvjeçare kishte dhënë shenja të mjafta se e kishte zënë qymyri. Nuk dihet si ka mbetur kjo shprehje frazeologjike e papërshtatshme për rënien në dashuri, njësoj siç mund të intoksikohesh nga gazi karbonik i qymyrit. Kur fare mirë mund të thuhej: i kishin çelur trëndafila në zemër.
Vajza nëntëmbëdhjetëvjeçare, me fytyrën bardhoshe, me vetullat si dy vija të hequra me karbon të zi në zgrip të ballit, me sytë si dy kokrra ulliri të zinj dhe me flokët, një varg bukletsh si tubeta spiralesh rreth kokës, ulej rregullisht për të ngrënë drekën te një tryezë përballë Bardhylit. Gratë e shtypshkronjës në karriget pranë saj, e nxitnin të hante. Por ajo u përgjigjej se nuk kishte oreks, teksa nuk ia ndante sytë ushtarit simpatik.
Bardhyli, që punonte prej dy muajsh disenjator në Tipografinë Ushtarake, e vuri re me vonesë vështrimin e ngulitur të kësaj vajze dhe për të mos rënë në sy, ndërroi vend te një tryezë e largët, prapa shpinës së saj. Por ajo filloi të kthehej sërish në pozicionin përballë dhe shkonte në mencë pikërisht kur pikaste vajtjen të djaloshit me mustaqet spic për të drekuar. Pasi ky nuk reagoi edhe në këtë rast, ajo filloi të dilte gjatë punës nga reparti i libërlidhjes, gjoja për të shkuar te banjat, rruga e të cilave kalonte përbri dritares ku punonte Bardhyli. Ai sërish vuri re se Odeta shkonte deri te lavamani, shpëlante duart dhe kthehej më vështrim të ngulitur te dritarja e hapur. Pasi u përsërit disa here ky ritual ndjenjash të papërfillura, ajo hodhi brenda dritares një copë pusullë, ku kishte shkruar vetëm dy shkronja "T.D" dhe iku me vrap.
Bardhyli u mendua thellë. Vajzat tiranase ishin të guximshme. Por zgjatja me skenat e ndjesive të saj të eksituara dhe lehtësisht të kuptueshme nga të tjerët,njerëzit do të merrej vesh patjetër në atë kolektiv. Më e keqja, do të humbte shansin për punë ta pavarur e trajtim të veçantë ushqimor nga drejtori i Tipografisë, që e kishte kërkuar në komandën e tij për dekorimin grafik të sallës së mbledhjeve. Punë, për të cilën eprorët i kishin thënë qysh në fillim, të kishte kujdes në atë kolektiv me shumë gra e vajza,. Pra, në këto kushte, vardisja e pafajshme e kësaj vajze, bëhej për të një minë me shpërthim të rrezikshëm. Për të ndërprerë trashjen e këtij idili saj të njëanshëme, dhe për të mos e lënë atë adoleshente të vuante shpirtërisht, bëri edhe ai një copë pusullë, ku shkroi: "Bisedojmë sot padite ora 4 te Parku Rinia". Në çastin kur ajo u kthye nga lavamani i banjave, ia hodhi te palosur te këmbët. Vajza e rrëmbeu si zogu thërrimen e bukës dhe vrapoi gjithë gëzim te reparti libralidhës ku punonte. " Ah, moj zogës e vogël, - mendoi atë çast Bardhyli i impresionuar nga entuziazmi i saj, - mos u gëzo aq shumë, se në atë thërrime ka për ty vetëm helm !"
Pasdite ai e priti te një stol në cep të lulishtes, përballë hotel "Dajtit". Ajo shkoi direkt nga puna, siç tregonte edhe koha e llogaritur për të shkuar deri aty. Bardhyli i dha dorën dhe vuri re se nga emocionet, asaj i dridheshin vetullat si krahët e dallëndyshes që bëhet gati për fluturim. Ato vetulla ajo i kishte më të zeza se mustaqet e tij spic, për të cilat ai kishte menduar disa herë t’i priste që të mos bëheshin lak për sytë e femrave dhe përsëri i kishte ardhur keq.
Odeta me buzët e thara nga vapa, ndoshta priste prej tij njomjen e tyre me një puthje të shumëpritur, dhe dukej aq engjëllore në ato çaste, sa mund të magnetizonte trurin e çdo mashkulli. Por në mendimet e kontrolluara të Bardhylit, këto lloj nepsesh, ishin nepërka që duheshin mbyllur në kavanoz me kapak.
- Hë, moj Odeta, si ia çon, a je mirë? - e pyeti ai buzagaz sa për të hapur bisedën.
- Mirë. - tha ajo me gjysmë zëri duke përdredhur gishtërinjtë e djersitur.
- Më thuaj të vërtetën, ke dashur ndonjë djalë?...
- Asnjë, për kokën e mamasë !
- Pse, djem ka sa të duash?!
Ajo heshti pak, kapi me gishtërinj dhe filloi të përdridhte një lidhëse të varur nga jaka rrethore e bluzës së hollë.
- Më duken budallenj...
- Edhe unë budalla, jam, bile më i madh se ata që ke parë ti! - i tha Bardhyli.
- Jo, - tha ajo duke e shoqëruar fjalën edhe me lëvizjen kundërshtuese të kokës.
- Ku e kupton ti ?
Nuk foli, mbeti një grimë si e turpëruar.
-Të shoh e të dëgjoj përditë...
- Megjithatë unë mund të jem njeri i keq.
- E thonë gratë, që je i mirë e duarflori...
Bardhyli kishte dëgjuar edhe vetë lavdërimet e grave, kur shihnin punët piktorike te salla dhe thonin, "Lum ajo që do ta marrë këtë djalë!" por nuk kishte dashur të hapej me to në bisedë.
- Gratë nuk dinë gjë, - i tha ai me ton serioz dhe vijoi: - Mund të jem duarflori, por jam zemërkatran. Jam kryetari i maskuar i horrave të Tiranës dhe i të gjithë Shqipërisë. Kam mashtruar një tufë me vajza. Një pjesë e tyre kanë përfunduar në psikiatri, ca të tjera janë mbytur në liqenin artificial. Habitem si ke guxim të më afrohesh!...
Ajo qeshi dhe sytë i patën një përshkënditje të dukshme.
- Pse tallesh? - i tha me naivitet.
- S’ke dëgjuar që kanë ndodhur?
- Po, por nuk je ti ai...
- Jam pikërisht unë dhe ca të tjerë si unë që ti nuk mund t’i njohësh aq lehtë.
Odeta e vështroi Bardhylin ngultas dhe nënqeshi sërish me mosbesim.
- Vazhdon të tallesh me mua! - tha përsëdyti me keqardhje.
- E kam seriozisht. Unë jam i martuar me një nuse po kaq të bukur sa ti, e cila më ka bërë dy fëmijë.
Nga shprehja e fytyrës së saj, u kuptua se deklarimi i tij në vija të trasha, krejt në kundërshtim me opinionin që kishte thithur ajo në rrethin e vajzave, ku ishte nxitur të mos ia kapnin shoqet gjahun më shpejt, e bëri krejt mosbesuese.
- O, hu, leri shakatë, se s’ka lezet ! - tha e mërzitur tashmë.
Hej bela, mendoi Bardhyli. Fiksimi i së pavërtetës, bëhet nganjëherë xham i trashë i ngjyrosur, që nuk e lë njeriun të shohë, edhe sikur t’ia tregosh të vërtetën me gisht.
- Dëgjomë me kujdes dhe më kupto, moj vajzë, se mund të isha edhe unë një prej atyre tipave që të thashë. Të përfitoja nga rasti yt, po të mos mendoja se kam motër vetë dhe vajza në farefis që u gënjehet syri kështu si ty.
Ai i shpjegoi se ishte martuar tamam në moshën e saj, për të mos tradhtuar dashurinë e parë dhe e kishin marrë ushtar pasi ishte bërë me fëmijë. Pastaj nxori portofolin nga xhepi dhe i tregoi fotografitë, ku kishte dalë përkrah gruas dhe dy fëmijëve, kur kishte shkuar në shtëpi për Vitin e Ri.
Ajo përpëliti sytë një copë herë mbi atë realitet të pakundërshtueshëm. U mbush me një frymëmarrje dridhëse, që ia tronditi një çast krejt gjoksin e njomë dhe uli kryet, pa ditur si të vepronte për momentin.
- Faleminderit ! - tha pas pak me një turp mirënjohës.
- Qofsh me nder e me mend në kokë, të zgjedhësh një djalë të mirë siç je vetë! - ia ktheu Bardhyli i lehtësuar, që më fund arriti ta ç’aktivizojë mekanizmin shpërthyes të asaj mine, e cila mund të vriste jo vetëm Odetën, por edhe familjen e tij, që mezi e priste të kthehej në shtëpi.
Ajo i dha dorën e lagështitur nga sikleti dhe iku me vrap.
 
 
 
 
DASHURI E VERBËR
Isha mësues në shkollën e mesme, kur u njoha rastësisht me inspektorin e ri të arsimit. Ai ishte një djalë shpirtpastër dhe simpatik me kuptimin e plotë të fjalës. Me shtatin e derdhur, flokët e zinj dhe me fytyrën pakëz të zeshkët, tërhoqi si me magnet brenda një kohe relativisht të shkurtër sytë e të gjitha vajzave përqark. Emri i tij Visi, përcillej sa te njëra, te tjetra, duke ndezur te secila një buzëqeshje të ëmbël. Nuk di ç’i pëlqeu atij për tu afruar tek unë, qysh në takimin e parë me filxhanët e kafes përpara. Ndoshta biseda e çiltër dhe sqarimet që i bëra si i ardhur rishtas në atë detyrë.
Takoheshim herë pas here krejt rastësisht dhe më ftonte ose për kafe, ose kishte dëshirë ta zgjaste paksa bisedën në rrugë. Por dhe unë, duke parë se i kisha ngjallur interes me natyrën time të shqiptimit troç të dukurive, si më i madh në moshë prej tij, mundohesha ta kënaq me mendime intelektuale, të cilat vëreja se i lakmonte.
- E kam grurë me shefe Këzen!- ishte konstatimi i parë që më shprehu ai për detyrën e re.
Ky konstatim i tij më kënaqi, ndonëse duke e njohur ftohtësinë autoritare të shefes edhe më habiti paksa.
Pas tre muajsh kontaktesh të kësaj natyre, Visi kërkoi të më fliste për një shqetësim të dukshëm edhe në sytë e tij dhe zumë vend në një tryezë të veçuar, te një bar-kafe ku ai më çoi me ngulm.
- Më ka gjetur belaja me shefen!... - e nisi ai shpalosjen e hallit të vet.
Shefja e arsimit për të cilën po më fliste, ishte një beqare e staxhionuar, mbetur pa martuar deri te të dyzetat, për shkak të fytyrës paksa burrërore, me faqe të fishkura dhe me sy shigjetar, që më tepër të tronditnin, se sa të afronin për t’u ndalur para autoritetit të saj të trashëguar qysh në lindje.
- Që ditën kur hyra i emëruar inspektor në zyrën e arsimit, ajo më caktoi të punoj në tryezën përballë vetes dhe u deklaroi të gjithë inspektorëve të tjerë, se në mungesën e saj, do ta zëvendësoja unë për çdo problem zyre. Ndonëse isha më i riu në moshë mes inspektorëve. Madje edhe në, prezencën e vet, ajo i drejtonte tek unë drejtorët e shkollave apo mësuesit me ankesa, duke më prezantuar si krahun e djathtë të saj. Kuptohet, edhe unë për këtë vlerësim të madh që po më bënte, qysh në fillimet e ushtrimit të detyrës sime, u vura para detyrimit shpirtëror të tregohesha sa më i ngrohtë e mirënjohës në marrëdhëniet e vartësisë me shefen. Veç buzëqeshjes së stampuar në fytyrë, qysh nga krijuesit e mi, i bëja të gjitha respektet shoqërore. Madje deri te blerja e byrekëve të ngrohtë, për t’i ngrënë në zyrën e përbashkët, ku ajo mbyllte derën, derisa sa të mbaronim sillën e mëngjesit. Më fliste me entuziazëm dhe i përgjigjesha me përzemërsi, duke krijuar kësisoj në zyrë një atmosferë tejet gazmore. Madje duke e pasur dhomën time prej beqari te një apartament në largësi, ku e kapte syri i saj, ajo më thoshte të nesërmen kur shkoja në zyrë edhe orën në të cilën kisha fikur dritën për të rënë në gjumë atë natë. Pas ca kohësh, kur shkova në shtëpi, i thashë edhe mamasë sime, se më ishte bërë nënë e dytë shefja, e cila më gjendej pranë me shqetësimin dhe përkujdesjen e një nëne të vërtetë. Prindërit u qetësuan mjaft shpirtërisht për fatin tim të mirë në jetë, menjëherë pas mbarimit të studimeve për matematikë e fizikë...
- Sa mirë! - ndërhyra unë, duke ditur se Këzja nuk para shtrohej në miqësi të tilla me vartësit e saj, siç po dëgjoja këtë përjashtim.
- Dale, se ky ishte fillimi! - më ndali Visi për të vijuar shpalosjen e shqetësimit të tij më tej. – Me kalimin e kohës, vura re, se femrat dhe sidomos mësueset e reja që hynin në zyrë, jo vetëm nuk i drejtonte tek unë për zgjidhje problemesh, por ua priste shkurt dhe i përcillte pa arritur të kthenin as kokën drejt meje. Megjithatë, ende nuk kisha zbuluar tërësisht natyrën dhe karakterin e saj, për të dalë në një përfundim logjik dhe për të nxjerrë rrënjën katrore të llogaritjeve të mia, për mbulesën që po më bënte ajo me V -në e saj krahëzgjatur, ku po e vendoste këtë rrënjë. Besoj e ke parasysh...
- Po, po, e kuptova krahasimin tënd me shkronjën V, nën sqetullën e së cilës vendoset rrënja katrore, se dhe unë i letërsisë, kam bërë ca matematikë në gjimnaz.- i thashë për të mos u zgjatur me shpjegimet e tij në këtë fushë.
- Por gjithsesi, nuk mund të më shkonte mendja kurrsesi për ndjesi të tjera mes nesh, veç një shoqërie të sinqertë mes kolegësh të një zyre. Mirëpo erdhi një ditë, kur shefe Këzja, më kërkoi t’i jepja të paketuara këmishët dhe të brendshmet e mia për të t’i larë e hekurosur. Kjo më vuri disi në dyshim dhe veç kësaj u ndjeva tejet i rënduar për këtë pozicion të panatyrshëm, që shkonte përtej shoqërisë prej kolegësh, në të cilin po vihej ajo. Megjithatë ende isha larg zbulimit të së vërtetës. Madje ndodhën edhe disa raste të tjera, që nuk ia vlen të zgjatëm, por do ndalem te ngjarja e fundit. Ne erdhëm bashkë pardje, në atë mbrëmjen e vallëzimit që na kishte ftuar drejtori i gjimnazit tuaj me rastin përvjetorit të shkollës. Në orën e vonë kur dolëm dhe e shoqërova shefen deri afër pallatit të saj, ajo mu afrua krejt papritmas dhe duke ma shtrënguar kokën fort me të dy duart, më puthi me një lloj pasioni të dridhshëm që më mahniti, aq sa më la pa gojë për disa çaste...
Mua më shpëtoi një gaz i papritur, i cili detyroi Visin të heshtë për pak sekonda.
- S’kishte faj e gjora shefe, paskishte rënë në dashuri qyqarja dhe e mori nismën e para, duke menduar se ty të mungonte guximi! - i thashë krejt i befasuar.
- Pikërisht. - pohoi ai dhe vijoi: - Me thënë të drejtën mua më erdhi ndot kur më la në gojë jargët e dhëmbëve të saj të prishur, me ato buzë të fishkura prej gjysheje dhe pështyva anash. - Ç’farë po bën, shefe Këzja? - i thashë tejet i tronditur nga gjesti i saj tashmë krejt i kthjellët, sepse aty te mbrëmja juaj, nuk kishte pirë asnjë gllënjkë verë, që mund të mendoja se ishte e pavetëdijshme.
-Pse, ti nuk më dashuron, siç të dua dhe unë?!- pyeti ajo me një zë që në atë heshtje nate, m’u duk si bubullima e shkreptimës që sapo ndjeva te sytë, në çastin kur më puthi me forcë.
- Si mund të dashuroj nënën time! - i thashë ende i tronditur nga sjellja e saj për të më bërë dashnor me zor, kur më silleshin përqark gjithato mësuese të reja aq marramendëse dhe u bëja bisht për të mos abuzuar me detyrën...
Mirëpo kur dëgjoi fjalën "Nënë" me të cilën e emërtova, ti nuk do të më besosh, se si ajo lëshoi një turfullimë të egër, e cila m’u duk gati si angullima e një arushe të sëmurë në thellësi të pyllit.
- Nëna jote unë?!...- shqeu sytë ajo, aq sa kokërdhokët i ndritën si dy vezë zogjsh.
- Po, - i thash me zë të dridhshëm, unë jam njëzetedy vjeç dhe aq sa ju, zonja shefe, kam mamanë time!...
Ajo mori frymë thellë dhe gati duke më gllabëruar me sytë e saj të egërsuar, klithi:
- Shporru, dhe mos më dil më përpara syve! - pastaj iku për te pallati i saj si e tërbuar.
- Kam dy ditë që nuk shkoj dot në zyrë! - rënkoi i riu Visi me zë të dridhshëm, gati duke lotuar.
-Mos u mërzit, djalosh! - i thashë duke i fërkuar krahët. - Merre shtruar, se në jetë ke për të pasur edhe raste të tjera, kur eprorë të tillë verbohen nga fjalët "urdhëro !", " si urdhëron!" të vartësit për t’iu bindur karriges, apo nga ngritja e dorës së ushtarit për të nderuar gradën e tyre dhe i marrin ato për dashuri!...
 
 


 
KOPSA E VARUR


Fundi i atij marsi ishte i ftohtë e me lagështirë, kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë, krijoi një grup me rreth dyzetë shkrimtarë dhe piktorë, për të pasqyruar në letërsinë dhe artet e sistemin të kaluar, rrethin e Dibrës, si "Rreth Hero". Unë dhe miku im Guri Madhi, Piktor i Popullit, zgjodhëm njëri-tjetrin, për të formuar dyshen që kërkohej nga të dy degët e artit. Dhe na caktuan të ushtronim krijimtarinë, duke[.1] jetuar dy javë mes popullit në fshatrat e Bregut të Drinit.
Guri, me atë zërin e tij të butë e të ngrohtë, me të folurën karakteristike të vendlindjes tij, Korçës, ndonëse jetonte prej shumë vjetësh në Tiranë, më dhuronte kënaqësi të veçantë me bisedat dhe barcoletat e tij gjithë sherbet. Madje edhe kur e kisha pyetur, pse korçarët e kanë muhabetin aq të ëmbël, më kishte thënë: "Ne korçarët jemi ushqyer që të vegjël me sheqer panxhari, jo me ëmbëlsirë kallami."
Këtë njeri babaxhan dhe artist të madh, e pata pedagog në vitin e fundit të Liceut Artistik "Jordan Misja", ku më jepte lëndën e pikturës me modele "Nudo". Pasi kisha mbaruar edhe Universitetin e Tiranës për letërsi dhe kisha botuar katër libra, na u krijua mundësia të lidheshim sërish me njëri-tjetrin. Shkova në studion e tij te re, ku u njohëm dhe familjarisht. Më pas ai bëri porosinë time, për muzeun e Librazhdit ku punoja në atë kohë, duke realizuar tablonë e dëgjuar "Gratë Sopotare", e cila mbeti një nga veprat kryesore në fondin e pikturave të tij.
Por ky rast i ri, bëri të rikujtonim edhe një herë miqësinë e parë dhe të diskutonim disa tema, për të cilat, unë në atë kohë, nuk kisha nivelin e nevojshëm të afinitetit shoqëror, për të folur me të lirshëm, për ta thirrur me shaka në dialektin dibran "Or taj, profesor Gjuri !" dhe për të pirë së bashku raki Dibre.
Në të gjithë fshatrat e Dibrës ishte përhapur lajmi se një grup i madh me shkrimtarë dhe piktorë, të ardhur nga Tirana, do të shpërndaheshin nëpër shtëpitë e fshatarëve për t’u njohur me popullin. Dhe merret me mend kurioziteti që kishte ngjallur kjo vajtje e njerëzve të artit pranë tyre. Në qendrën e çdo fshati ku ndaleshim së pari, nuk mund të shkëputeshe nga lutjet e fshatarëve për të bujtur në shtëpinë e tyre. Por fjalën e fundit e thoshte shoqëruesi i caktuar për këtë qëllim, i cili me zgjedhjet e tij, linte shumë prej tyre të pakënaqur.
Ditën e parë, para ndërtesës së shtëpisë së kulturës së Dohoshishtit, u mblodhën shumë kureshtarë, të rinj gra e vajza. Mes tyre, Guri zgjodhi disa tipa interesantë për portrete, madje dhe unë, krahas shkrimeve, bëra vizatime me karbon. Ato gra e nuse të stolisura me flokët të mbledhura topuz pas kokës, ishin secila një tip interesant më vete. Dhe siç thoshte Guri, u ngjanin aq shumë grave ruse, që kishte njohur gjatë kohës së studimeve të tij në akademinë e arteve të bukura në Bullgari e në Rusi ku kishte shkuar.
Njëra prej tyre, kur pa portretin e saj, teksa Guri ishte ende në punim e sipër, tha me habi:
- Eu, bre, sa të mëdhoj i paskam sojtë ! (sytë)
Të gjithë sa ndodheshin rretheqark u shkulëm së qeshuri.
Në mesditë u nisëm për në fshatin Brezhdan, që ndodhej në vazhdimin e kodrave buzë rrjedhës së gjerë të Drinit të valëzuar. Udhëtuam nëpër arat e baltosura, bashkë me shoqëruesin që na printe, me këpucët e rënduara nga tre kile secila. Dhe arritëm te një shtëpi dykatëshe me shkallët e drunjta që zverdhnin nga pastërtia, sikur të ishin larë me ujë floriri. Pikërisht aty shihej fare qartë, mësymja e pareshtur që bënte perandoria e baltës, për të pushtuar shtëpitë e tyre edhe beteja e përjetshme e gruas shtëpiake, për ta sprapsur energjikisht. Në dhomën e pritjes me shilte leshi dhe divane të mbuluar tërë qëndizma që binin erë sapun, nga kujdesi i maksimal i atyre grave duararta, preferuam të ulemi këmbëkryq sipas zakonit.
Aty, pranë oxhakut, ku zuri vend mbi shilten e butë, piktorit të madh i mbetën sytë çuditërisht tek i zoti i shtëpisë, Zeka. Guri hapi dosjen menjëherë dhe i tha atij të qëndronte disa minuta pa lëvizur. Bëri me pak vija të shkathëta një skicim të përsosur, duke e kapur portretin e tij në karakter, aq sa na la të gjithëve të befasuar. Pastaj me një pamje krejt entuziaste tha:
-Portretin e këtij burri, me vetullat bishtake të ngritura përpjetë, me këtë hundë si sqep shqiponje dhe me mustaqet si pendë korbi, do ta vendos në ndonjë nga tablotë mia, si karakterin më tipik të shqiptarit.
- Bëje ushtar të Skënderbeut, duke vrapuar mbi kalë me shpatë në dorë! - shtova unë për humor.
-Unë ushtar i atdheut kam qenë e jam në çdo kohë ! - tha befas Zeka. - Kalin me shalë e kam këtu pas shtëpisë. U bie arave cep më cep fluturimthi. Bashkë me të kam kaluar Drinin disa herë me not...
Pastaj sofra e madhe e bujarisë dibrane me qengjin e pjekur dhe shishet e vogla të aranxhatës me raki rrushi para secilit, na mblodhi të gjithëve përqark, si në një drekë mbretërore, ku mbret i sofrës ishte i madhi Guri Madhi. Natyrisht, mbretërit janë ushqyer në tryeza nga më madhështoret, por sofra shqiptare seç ka një madhështi tradicionale të veçantë. Sepse burrat ulen këmbëkryq në rrumbullakësinë e rrethit miqësor të barabartë, para bukës, kripës dhe zemrës të servirur nga i zotit i shtëpisë. Ndoshta prandaj ne ndjemë si asnjëherë, se ai fshatar i thjeshtë kishte shtruar aty me shumë dëshirë dhe sinqeritet, bujarinë më të madhe të njeriut zemërbardhë të botës. Në një pritje karakteristike, ku dollia dhe urimet jehonin si vetë valët e Drinit që oshtinte matanë dritareve.
Sa i përket rakisë, zonja e piktorit, Filloreta e nderuar, m’u lut veçanërisht qysh në Tiranë të mos e lija kurrsesi Gurin e saj të dashur të pinte raki. Unë vërtetë nuk isha terjaqi rakie, por nuk isha as budalla, t’i hiqja këtij miku të shtrenjtë, dhe vetes time të drejtën për të respektuar këtë pije tradicionale aq të preferuar, me shumë histori dhe me aq shumë shëndete e dolli të ngritura nga shqiptarët nëpër qindravjeçarë dasmash dhe gëzimesh të shumta familjare. Aq më tepër, të shpërfillja rakinë e mrekullueshme të Dibrës, që siç na tha Zeka: "Kishte ngjallur edhe të vdekurin" kur padashur i kishin spërkatur arkivolin me raki, në vend të ujit për të zbutur dërrasat e thara nga dielli.
E si të mos pinte aty mes popullit, ai artist i popullit, dhe unë të bëja gabim t’i fshikulloja në vesh porosinë e Filloretës për të mirën e tij. Në atë rast, ajo dolli mes burrash dibranë të luftës dhe të punës ishte pikërisht e mira e tij kryesore, të ishte burrë mes burrash. Pimë, uruam, bëmë qejf dhe na gufoi shpirti duke kënduar: "Të kisha pas një djalë si Mema, paç me i hy vezirit brenda, me ia lan oxhakun me femna !" Në atë mjedis gazmor të paparë, Zeka, me atë fytyrë tejet të këndshme, na krijoi emocione të jashtëzakonshme duke zbrazur nga goja e tij një gurrë të pashterur me këngë trimash.
Pas këngëve të tij, Guri u përkul e më tha, se nuk mund te largohej nga mejdani i këngëve shqiptare, pa ia thënë edhe një herë në Dibër asaj intermexos së gjithë këngëve korçare: "Një ditë shkova nga Drenova" dhe bëmë të dy bashkë një duet të duartrokitur nxehtësisht nga të gjithë miqtë e sofrës.
Por kopsa ishte kryefjala e këtij rrëfimi. Pra, qysh kur u nisa nga Dohoshishti, vura re se kopsa e parë e palltos sime të madhe, ishte varur në dy fije peri nja dy centimetra më poshtë dhe kishte rrezik të këputej rrugës. E kisha mbajtur me kujdes, sa të shkonim te kjo shtëpi që na priste, ku mund të kërkoja një gjilpëre me pe për ta qepur. Mirëpo rakia dhe gazi ma largoi nga mendja këtë qëllim që i pata vënë vetes. U kujtova papritmas kur do të dilnim dhe i thashë Zekës, që e kisha pranë te sofra, po të ishte e mundur të më sillte një gjilpërë me pe, për të qepur kopsën rebele të palltos sime, që kërkonte patjetër të arratisej prej meje, për të mbetur si medaljon kujtimi në arat me grurë të Brezhdanit blerosh.
Ai qeshi me shprehjen time të frymëzuar nga rakia dhe u tregua i gatshëm në çast:
- Bjere t’ua çoj grave ta qepin!
Shkuam të dy ta marrim te varësja e asaj ode, ku na ishte shtruar sofra dhe ku e kisha pasur pallton gjatë gjithë kohës para syve. Teksa po kërkoja ku ishte kopsa e varur t’ia tregoja Zekës, shqeva sytë nga habia dhe mbeta pa frymë. Kopsa ishte në vendin fillestar ku e kishte qepur rrobaqepësi në Tiranë, me perin e së njëjtës ngjyrë dhe madje e shtrënguar më fort se të tjerat.
- Ku e ke? - më pyeti Zeka sërish.
E vështrova burrin simpatik si torollak, pa ditur ç’farë t’i tregoj dhe thashë vetëm:
- Ore mik, sot ose unë jam bërë tapë fare, ose kam qenë i verbuar e më bënë sytë, kur e pashë kopsën të varur në Dohoshisht.
Ai qeshi dhe më tha:
-Gratë tona kanë shtatë palë sy. Ato e kanë për turp të shkoj miku nga shtëpia jonë te shtëpia e një tjetri me këpucët me baltë, me rrobe të lagura e t’i bien kopsat rrugës.
-Mirëpo, nuk arrij të kuptoj, or mik i dashur, kur e morën ato gra symprehta pallton nga varësja, kur e qepën kopsën dhe kur e sollën prapë te vendi?... Sepse unë gjatë gjithë kohës që ne rrokullisnim gotat njërën pas tjetrës me aq zell trimëror, i kisha sytë e merakosur të fiksuar pikërisht aty...
Ai qeshi përsëri, pa dhënë shpjegime të tjera për enigmën, më fërkoi krahët dhe zbritëm shkallët për të veshur këpucët, jo vetëm të lara, por edhe të lustruara me bojë. Pastaj buzagazi i rrethit familjar që na përcolli deri në kufi me fqinjin e tyre, na mbeti në sy, si një sekuencë e filmike e rrallë dhe e paharruar.
Ikëm për të kaluar mbrëmjen në një drejtim tjetër dhe kudo na priste befasia origjinale e mikpritjes. Derisa mbaruam ditët tona plot krijime të pashlyera dhe u kthyem në Tiranë. Por për shumë kohë një pjesë e trurit na mbeti, të dyve me Guri Madhin, në fshatrat e Peshkopisë, tek ato shtëpi aq të paqta, tek ata burra dibranë të punës e të këngës dhe tek ato gra nikoqire deri në mahnitje.
 
 
 
 
 
MOS MA PUTH VAJZËN
Po ta shihje Kazazin me sy të zakonshëm e pa i kushtuar vëmendje figurës së tij, ai të jepte përshtypjen e një fshatari të humbur, i cili sapo i kishte mbaruar punët e mbjelljeve në brazdat e veta dhe po dridhte cigare në heshtje. Kur e vëreje me kujdes, duke mbajtur kutinë e duhanit në njërën dorë dhe letrën e hollë në tjetrën, nuk mund të mos të mos vije re lëkurën e rrjepur nëpër gishta, nga alergjia në çdo fillim pranvere. Pastaj po të pyesje dikë që e njihte, merrje vesh se ai ishte një intelektual me arsim të lartë që kishte punuar disa vjet në ambasadën shqiptare të Gjermanisë.
Më ra rasti të punoj me të, duke qenë bedel, për të bërë punët e tij, në mënyrë që ai të merrte rrogën. Sepse nuk ia thoshte fare në detyrën e drejtorit të muzeut, ku e kishin vënë pas kthimit nga Gjermania. Madje më thoshte shpesh për të më dhënë kurajë: "Mua më ke sa të të mbaj me muhabet, të mos mërzitesh, se për punë të tilla jam fare nul. Kur ta shohësh që t’u lodhën veshët e të pengoj, më thuaj pa druajte, ik o Kazaz, mos më çaj kokën më tepër dhe mua nuk më ngel hatri, për kokën e vajzës së vetme !" Kaq i sinqertë, mirënjohës dhe shpirtmirë ishte ai njeri.
Kazazi kishte një vajzë gjashtë vjeç, një manare flokëverdhe e vetullverdhë, si e ëma, e cila e veshur bukur si kukull e ndiqte të atin pas. Ndonëse ai nuk e përkëdhelte asnjë herë dhe nuk lejonte askënd ta bënte këtë gjë. Kur e putha së pari për ta marrë me të mirë e për t’i bërë qejfin të atit, Kazazi më vërejti ashpër dhe pa u rezervuar aspak nga unë që isha bedel i tij, më tha me ton të prerë:
- Të lutem, mos ma puth vajzën!...
- Pse? - e pyeta krejt i habitur e pak hatërmbetur, që edhe përkëdheljen aq të zakonshme për fëmijët, ma ndaloi me ton të pazakonshëm.
Atëherë ai buzëqeshi për të më zbutur dhe më tregoi ngjarjen e më poshtme. Një ndër rrëfimet "kokëçarëse", që kanë zakonisht njerëzit e ardhur nga jashtë, i cili më ka mbetur i paharruar për tërë jetën.
-U sëmura nga një ftohje, - e filloi Kazazi ngjarjen e tij.- Mjeku i trupit diplomatik, më rekomandoi pas kurimit, të shkoja nja dy javë, për ta marrë veten shpejtë te një kamp malor në kufi me Zvicrën. U nisa menjëherë, për t’i çuar deri në fund këshillat e tij. Bujtina ku u instalova, në një hyrje për persona pa familje, ishte me tre kate dhe me dhoma të drunjta të mobiluara mjaft mirë. Pasditen e asaj dite që sapo u rehatova në dhomën time, vura re se te apartamenti përballë zuri vend një çift familjar, me një vogëlush të bukur, flokëkaçurrel biond, siç janë shumica e fëmijëve gjermanë.
Duke qenë tepër i përmalluar për vajzën time katërvjeçare që lashë në Berlin, pasi kisha qenë tri javë larg saj në spital dhe tani sërish në kamp verimi, më tërhoqi shumë shpirtërisht pamja e atij djali gjerman që ngjante si vëllai i sime bije. Pra, malli im për fëmijë dhe dëshira e atij vogëlushi për tu argëtuar në mjediset e jashtme të atij kampi, sikur takuan njëri- tjetrin, të thirrur nga një telepati e çuditshme. Unë i putha faqet dhe i fërkova kokën flokëbutë, si e një qenushi të lezetshëm dhe ai më erdhi pas, te stoli ku ulesha zakonisht në lulishten përballë diellit. Më ndiqte pas e nuk me shqitej me fjalët e tij të lezetshme, duke dashur ta shoqëroja në lodrat me topin e vet shumëngjyrësh që nuk e lëshonte nga duart. Luajtëm bashkë gjithë paraditen e ngrohtë, me atë diellin alpin, që as të digjte as të linte të mërdhije, ndonëse ishte korrik. Pasdite sapo u zgjua nga gjumi, vogëlushi u shpëtoi prindërve nga duart me kundërshti të dukshme dhe erdhi direkt tek unë, tashmë krejt buzagaz si të ishim miq të vjetër. E putha dhe i lëmova kaçurrelat si zakonisht, duke i dhënë edhe një çokollatë që kisha në xhep, të blerë posaçërisht për të në dyqanin e kampingut. Ai e mori dhe e hëngri në çast, duke përcjellë edhe në fytyrë shijen e kënaqësisë së tij. Luajtëm bashkë sërish deri afër mbrëmjes, kur prindërit mezi e shkulën nga stoli ku qëndronte pranë meje. Ndonëse unë i thashë ëmbëlsisht disa herë: "Shko tani bukurosh me mamin dhe babin se u bë vonë!"
Të nesërmen në mëngjes ai i çua nga gjumi më herët se ditët e tjera dhe erdhi direkt te stoli ku isha ulur përballë rrezeve mëngjesore, që më binin përsipër nga qielli si një tufë e verdhë mëndafshi. Filluam nga lodrat me figurat që i bëja, duke kaluar gishtin lehtas mbi rërën e shkrifët të rrugicave te lulishtes dhe ai dallonte në çast lepurin nga peshku apo zogun nga macja. Pastaj i pasoja topin sa here e gjuante lehte drejt meje dhe në një çast kur u lodha së tepërmi e desha të pushoja pak, ia fsheha pas shkurres dekorative, kur nuk e kishte mendjen.
-Ku është topi? - e kërkoi ai në çast.
-Humbi ! - i thashë për të zgjatur sadopak kohën e çlodhjes.
-Ku humbi? - pyeti duke picërruar sytë si dy rruzuj sedefi të bardhë.
-E mori xhaxhi kusari!- i thash unë.
-Ç’domethënë "kusar" ? - u interesua ai me habi.
-Është ai xhaxhi që vjedh topat e kalamajve dhe i shet në treg... - i thashë pa i peshuar fjalët. Por kur ktheva kokën, vura re se të dy prindërit e tij, që po pinin kafen në ballkonin sipër nesh, po na ndiqnin me kujdes.
- Ku është tregu të shkojmë t’ia marrim?- tha vogëlushi ngulmues.
Atëherë unë zgjata dorën pas shkurres, nxora topin dhe ia dhashë. Ai qeshin i gëzuar dhe tha:
- Ti xhaxhi je "kusar" ?...
- Jo, unë, jo, ai xhaxhi që e vodhi e iku fshehtas! - i thashë për ta mbyllur atë dreq bisede që hapa padashur. Pa ditur se ai fëmijë tepër kureshtar, nuk dinte ç’ishte vjedhja, të cilën ne në Labëri e mësonim nga prindërit qëkur lindnim, sa herë flitej për vjedhjet e bagëtive në kopetë e fshatit dhe çmonim hajdutët si guximtarë të mëdhenj.
Të nesërmen në mëngjes herët, kur çela derën për të dalë nga dhoma ime, pashë përballë në korridor çiftin me valixhet gati për ikje. Ata më prisnin për të më përshëndetur para largimit.
- Mirupafshim, zotni i nderuar!- më tha i ati i fëmijës, një intelektual me sqimë në veshjen e tij elegante, duke më zgjatur dorën miqësisht.
Krejt i habitur për ikjen e tyre të parakohshme qysh ditën e tretë të ardhjes aty, pyeta:
- Si ka mundësi, ju sikur thatë pardje, se e keni prenotuar hyrjen për dy javë?
- Nuk mund të vazhdojmë më tej, kemi probleme familjare, për të cilat na duhet të shkojmë patjetër! - tha ai, teksa e shoqja mbante djalin përdore që të mos turrej tek unë.
- Dëshiroj shpirtërisht të mos ketë ndodhur ndonjë fatkeqësi në rrethin tuaj familjar ! - ia ktheva me sinqeritet.
- Jo, asnjë fatkeqësi nuk na ka ndodhur...
- Atëherë, si?
- Meqë po ngulmoni të dini arsyen, po ju them se kemi problem vazhdimin e qëndrimit tonë këtu.
- Pse? - u habita unë ca më tepër.
Duke heshtur pakëz, për të renditur fjalët sa me qetë, ai tha:
-Djali ynë u lidh me tepër nga ç’duhet me ju e me përkëdheljet tuaja të pa praktikuara për edukimin e tij. Ne përpiqemi që në këtë moshë delikate të formimit të karakterit të fëmijës, të rritim një njeri me dinjitet, jo një qen që lëpihet pas të zotërve, gjithashtu të nxjerrim mes njerëzve një krijesë të pastër, që të mos dijë se ekziston vjedhja e sendeve të tjetrit...
Mbeta i hutuar për një çast, por e përmblodha veten shpejt. E kuptova thellë të gjithë gabimin tim trashanik, aq të pakujdesshëm.
- Ju lutem qëndroni, të shkoj unë, që ju shkaktova këtë shqetësim! - u thashë i turpëruar dhe i zënë ngushtë.
-Jo, jo, kurrsesi, mirupafshim! - tha ai vendosmërisht duke më zgjatur dorën përfundimisht, pastaj bashkë me të shoqen ngritën valixhet dhe dolën, duke tërhequr përdore vogëlushin që mbante kokën pas, me sy të lotuar drejt meje.
E ndjeva veten aq keq sa nuk e kisha ndjerë ndonjëherë gjatë gjithë viteve në atë vend. Dhe që nga ajo ditë e ikjes së tyre, për të qenë larg nga unë, sikur të kisha sëmundjen e tmerrshme të leprozës, vura mend e nuk e putha më vajzën time. Por nuk lejoj edhe asnjeri tjetër ta puthë e ta përkëdhelë. Prandaj të lutem, mos m’u zemëro!...
 
 
 
 
 
 
HAKA E GRAVE

Kisha shkuar në Korçë për të takuar disa miq të hershëm dhe për të çuar në bibliotekën e qytetit pesë kopje të romanit tim të fundit. Pasi mbarova punë me librat, hyra në kafen "Kursal" që kisha frekuentuar prej kohësh. Teksa po kërkoja ndonjë tryezë bosh, vura re dy sy të mëdhenj, me një vështrim të vrarë prej kali, që nuk po më ndaheshin. Personi mjekërrosh ma bëri me dorë të shkoja te tryeza e tij, ku ndodhej krejt i vetëm. U afrova instinktivisht dhe e përshëndeta me kokë, duke e kundruar me vërejtje, si njeri krejt të panjohur për mua.
-Ke të drejtë të mos më njohësh, o byrazer, kam ndryshuar nga mjekra… -tha ai dhe befas deklamoi një varg: -"Moj mëze që më tërbove…"
-"Kapistallin s'ma pranove…" -ia plotësova unë në çast dhe i buzëqesha kënaqësisht, duke sjellë ndërmend poezinë e vëllimit poetik, që më kishte dhuruar në një takim poetësh, para dy vjetësh në Korçë.
-Ai jam, Ilka, kirurgu që bën vjersha, -tha duke më zgjatur dorën dhe më ftoi të ulem.
-Po ç'e ke lënë gjithë atë mjekër, mor Ili? -i thashë dhe u ula si me mikun që më kishte lënë mbresa të këndshme me poezitë e bisedat e tij gazmore.
-Mjekrën e kam lënë që të mos më njohin të njohurit e këtushëm. Kurse juve që vini pe Tirane, u flas vet, -tha me një buzagaz të rezervuar.
Nuk kërkova sqarim për rebusin e shprehjes së tij dhe kalova tangent te kujtimet e mia. Madje më ra ndërmend edhe përshkrimi që i kishte bërë një letrareje që shkruante vetëm për seksin: "Ajo kur ulet të shkruaj, heq breçkat që të frymëzohet! "
-Kam menduar shpesh për ty dhe për qyfyret e tua, - i thashë miqësisht.
-Ashtu? Më bëhet qejfi shumë. -u shpreh me gaz.
-Po hë, ia vure kapistallin mëzes tënde, apo vazhdon t'i thurësh vargje?
Ai u prish pakëz në fytyrë. Por më pas e mblodhi veten menjëherë dhe kaloi në gjendjen e mëparshme, me ata sytë e tij që ruanin një përndezje të vazhdueshme.
-Ia vura kapistallin bashkë me samarkën dhe hipa kaluar. Po ç'e do, ajo e kish revanin shumë të shpejtë dhe më rrëzoi plasur në tokë… -tha duke lëkundur kryet dhe thirri kamerierin.
Ai vet pinte konjak, unë porosita një krem uiski.
-Pijet e grave të pëlqejnë… -tha dhe nënqeshi lehtë.
-Më pëlqen, se ka pak alkool, -ia ktheva
-E ke trurin të pagoditur nga hallet, që s'të kërkon alkool. -vërejti dhe heshti mendueshëm.
Ndjeva, se ndryshe nga humori i dikurshëm, diçka fshihej pas mërzisë dhe gotës së konjakut që kishte vënë përpara. Veç kësaj, sytë e njeriut, buzët dhe duart e tij flasin nganjëherë më shumë se fjalët.
-Po, hë, si qe puna, që mëzja të plasi përtokë? -vijova ta gërmoj.
-Megjithë mend kërkon ta dish?...
-E kam thjesht nga kureshtja.
Ai më hodhi një vështrim të thellë drejt në sy, me mëdyshje për të mos e zgjatur atë bisedë. Por duke parë përqëndrimin tim në pritje të vëmendshme, vijoi me një pamje paksa dramatike në fytyrë.
-Është histori që nuk kam qejf ta tregoj, bile as ta kujtoj. Po ty do të ta them, o byrazer, se ke kohë pa më takuar dhe e kuptova që s'din ç'më ka ngjarë...
-Dramë ?
-Tragjedi. -tha dhe filloi të flasë me ton të shtruar. -Eh, or, mik vëllai, mos pësoftë njeri atë që pësova unë…Njeriu në jetë duhet t'i presë të tëra, se s'dihet nga i vjen e mira dhe e keqja. Ja, ajo që s'e prisja kurrë, më erdhi nga s'e kisha pandehur… Të them të drejtën, më vjen zor të t'i tregoj të gjitha, po ndryshe nuk kam si të jem i sinqert me ty… Dihet që femrat kanë gjynahet e tyre, po ne burrat e martuar, të stërvitur në atë zanat, kemi neps pe qeni. Le të jetë gruaja e mirë sa të dojë, pulka e botës na duket më e majme. Kjo është fabula mitologjike e tradhtisë së tërë mashkujve... Dhe qe ta kam llafin, me një kolegun tim kirurg, që punonim bashkë ne spitali, Tomi quhej, na u tek të hanim një drekë të mirë matanë kufirit, në Kostur. Unë me mëzen time, mjeken stazhiere pe Kolonje dhe Tomi me dashnorkën e tij, një pelë e bardhë me flokë të verdha, që punonte drejtoreshë në bankën e kursimeve. Tomi e kish zënë mikeshë, kur i kishte hequr një kallo te gjishtrinjtë e këmbës dhe ia kishte pëlqyer ato këmbkat e mbushura e syçkat bojëqielli. Më pas zuri t'ia digjte edhe atë kallon kronike në krye të këmbkave. Ajo qe e martuar me një veteriner, po ama vdiste për mustaqkat e Tomit. Kurse stazhierkës sime beqare, i pëlqeu mëzja e vjershës dhe deshi vet kapistall të përdorur…
Unë qesha padashur dhe e kundrova me simpati për humuroin e tij edhe tani, teksa mundohej te fliste sa më seriozisht.
- Mos qesh me proçkat tona si burra të martuar. Se dashuria është sëmundje, është një patologji që askush nuk mund ta shpjegojë. Misteret e dashurisë janë nga më të çuditshmet. Kush mohon pasionet që të krijon, e ka gabim, ato janë më të fuqishme nga çdo gjë, se të shpien deri në marrëzira. E, nejse, rregulluam vizat në konsullatën greke për vajtje e ardhje brënda ditës dhe me bencin e Tomit shkuam në Kostur. Afër është pe këtej, një orë e pak. U lamë në gjolin e Prespës dhe drekuam në një restorant lluksoz, shumë të shtrenjtë. Gjashtëqint euro na bëri dreka. Pimë shampanjë dhjetëvjeçare. Hajd, or hajd, shampanja dhjetëvjeçare të bën kalë varvat, ç'e do viagrën para saj, bre. Ata të parët s'kanë qenë budallenj që e pinin me poçka e i bënin gratë të pillnin një dyzinë. Më pas u ngjitëm në dhomat tona, te moteli që kishim zënë…
Kamerieri solli porosinë time dhe Ili vijoi:
-Do thuash ti, aq shumë para, për të bërë qejf me një grua tjetër…Nuk është vetëm ndërrimi i gruas, bre. E vërteta është, se gruaja ime kur u bë me dy fëmijë, e kishte bezdi të madhe atë punë. "Plasa me punët e shtëpisë, laj, shpëlaj, gatuaj e ushqej fëmijët, vjen edhe ti e më thua mbaji këmbët ngritur të bëj qejf unë, më ler rehat sot, të të bëj një lakror që të pëlqen!" Ja kështu më thoshte gruaja. Kurse kjo tjetra, mëzja pe Kolonje: "Ilkë, o shpirt, do vdes po s'të kam pranë!" dhe më rrufiste e më lëshonte avullin e ngrohtë në gojë, sikur i kullonte shpirti parfum e sherbet. Epo hë de, si të mos më prishej mendja të harxhoja për të bërë qejf me një zoçkë të këtille, bre!…Mëndja e burrit me vidha është, gratë kanë kaçavidhën në dorë, të zhvidhosin kur të duash, shpëton vetëm po i pate vidhat të ndryshkura. E, nejse, ajo pela e bardhë e Tomit, Florenca, ishte aq e lojtur pas tij, sa do linte edhe mamanë duke vdekur, për të bërë gjysmë ore dashuri me Tomin. Pastaj që t'i shkonte së ëmës, do vraponte si e hazdisur. Edhe atë ditë e kishte kohën me krëk, se në orën katër pasdite duhej të ishte patjetër në punë, të mbyllte llogarinë e bankës. Dhe për shkak të saj, më tre e çerek u nisëm nga Kosturi të kthehemi me yrysh të madh. Në një gjendje të atillë ishte marrëzi të rendje me revan galopant. Po ne si të pjerdhur nga trutë që ishim, kaluam dy doganat me një frymë dhe po zbrisnim kthesat e Kapështicës për të arritur kohën. Kjo do të kishte qenë tmerrësisht komike, po të mos ishte bërë aq tragjike…
Ili ndaloi një grimë, uli kryet dhe fytyra e tij mori një shprehje tepër të dhimbshme. Mandej vijoi me një ton krejt të ndyshuar, duke u gëlltitur shpesh për të mposhtur ringjalljen e emocioneve.
-Që të ta ngas llafin, te një kthesë, jo dhe aq e ngushtë sa të mos merrej me shpejtësi nga Tomi, benci ynë fluturovi poshtë greminës, njësoj sikur ta kishte thëthitur vetë djalli…Mbaj mend vetëm që ne bërtitëm të katër njëherësh dhe pas tre-katër rrokullimash tatëpjetë rrëpirës, nuk mora vesh gjë tjetër…Erdha në vete pas dy ditësh te salla e reanimacionit. Kur hapa sytë, pashë se më kishin hequr njërën këmbë dhe më kishin ngjitur e arrnuar dorën e bërë sallatë. Kokën prapa e kisha tërë xhumba…
-Po të tjerët? -nuk m'u durua mua.
-Vdiqën në vend, bre !... -tha Ili me dëshpërim dhe iu mbushën sytë me lot. -Benci u bë rrangalle bashkë me ta, vetëm mua më kishte flakur përjashta gjatë rrokullimave.
-Pah, ç'tersllëk i tmerrshëm! -shtova i përpirë trup e shpirt nga ngjarja.
Ai fërkoi mjekrën, rrudhi ballin dhe tha trishtueshëm:
-Lere, o byrazer, na zuri haka e grave... Po edhe haka e burrit të Florencës…Bile ai nuk e pranoi fare arkivolin e saj në shtëpi. U kishte thënë: "E kam dërguar gruan në zyrë, jo në Greqi, ku paskërka shkuar ajo me jaran brënda orarit të punës." Edhe gruaja e Tomit, ia bëri nderet për hir të fëmijëve, po nuk derdhi asnjë pikë lot për të. Kurse gruaja ime më la menjëherë. Mori fëmijët dhe shkoi tek i ati. Korça nuk i honeps dot këto imitime skandalesh të jetës perëndimore, që na i ka qejfi ne qejfëllinjve provincialë dhe sa të hapësh e të mbyllësh sytë, të var teneqenë… Eh, ç'grua e rrallë ishte ajo imja, bre byrazer! Me një fisnikëri të madhe karakteri. Po unë jam sjellur si koqe me të. Rastis që ne, intelektualët, ngaqë na pëlqen mëndja shumë, veprojmë me gratë fare pa mënd…
Duke vërejtur shprehjen që kishte marrë tani fytyra e tij, kuptohej pa më të voglin dyshim, se në brendësi të vetvetes, veç pendimit, ai ndiente pështjellim dhe zbrazëtirë të dhimbshme.
Vështrimi im u vendos padashur pas shpinës së Ilit dhe vetëm atëherë pashë dy patericat e mbështetura pas murit.
- Kam mbetur pa punë, se zanatin s'kam si e punoj me dorën që s'e komandoj dot pe nervave të dëmtuara. Me protezën e këmbës së djathtë, tani s'bëj as për portier spitali. Se edhe ajo punë kërkon t'i kesh të dy këllqet të saktë. Kam mbetur si lanxho, siç më sheh. Tani unë s'i përkas më kësaj bote dhe mundohem të mos bie në sy të njerëzve. Në një situatë të tillë, njeriu bëhet fatalist. Megjithatë ruhem të mos bie në ndonjë plogështi depresive dhe kam filluar gjene të shkruaj poezi. Ato sikur më ngushëllojnë cazë!...
Kisha mbetur i topitur, me një tokël në fyt dhe më shkreptiu në mendje: Sikur ta dinin njerëzit e shkretë cilat rrugë të jetës çojnë në greminë, mbase do të bënin shmangie të mëdha në jetë.
 
 
 
 
GRUAJA ÇAPRAZE
 
Më kishte ndodhur shpesh, kur kthehesha në mesditë nga puna, shihja te hyrja e katit të parë të pallatit pranë apartamentit tim, një grua që më ndiqte vështrimndezur nga përzemërsia. Ajo kishte portretin e një femre afër të dyzetave, me gjoks të shëndetshëm, që i binte në sy nga dekolteja e hapur. Më buzëqeshte rregullisht dhe më përshëndeste vetë e para. Madje kur kaloja ndonjëherë pa e pasur mendjen, çohej përgjysmë, në shenjë respekti, ndonëse nuk kisha me të ndonjë njohje apo prezantim direkt. Dija vetëm se ajo ishte gruaja e një shefi në bashki. Dhe kaq.
Pas disa përshëndetjeve entuziaste të saj, fiksova bindjen e plotë, se kisha të bëj me një zonjë të sjellshme për ta pasur zili. Dhe për të mos e lënë të më përshëndeste gjithmonë ajo e para, fillova të gatitem, me t’u afruar në atë segment rruge, ku isha i detyruar të kaloja patjetër për në shtëpi, të tregoja dhe unë mirësjelljen time. Në këtë rast, ajo më përgjigjej me një përkulje të thellë e plot gaz, nga stoli ku zakonisht qëndronte duke u marrë me punë dore. Më duhet të them gjithashtu, se gjithçka nga ana ime ishte vetëm mirësjellje. Sepse nuk më kishte shkuar në mendje absolutisht asnjë ndjesi tjetër, përveç respektit për atë zonjë të nderuar që më kishte bërë përshtypje të mirë. Madje e quaja shefin bashkiak, njeri me fat që kishte lidhur jetën me një grua të tillë.
Ajo çuditërisht ishte pa punë, ndonëse me burrin në bashki, ku mund të gjendeshin për të variante punësimi. Por kjo ndodhi vetëm pas disa muajsh, kur rastësisht e pashë të rrethuar nga një kub xhamash, te arka e farmacisë kryesore të lagjes sonë. Mora vesh më vonë se kishte një emër me tingëllim të çuditshëm, quhej Qefsere dhe për shkurt gratë e thërrisnin Qefe.
Shkova një ditë në atë farmaci për të marrë barnat e një recete të gruas sime, e cila e mbërthyer keqas nga dhimbjet e nervit shiatik, kishte zënë shtratin e po lëngonte. Kjo gjendje e pazakonshme më kishte trishtuar mjaft. Sepse veç merakut për vuajtjet e saj, po rëndohesha së tepërmi edhe duke kryer të gjitha punët e shtëpisë, nga gatimi, deri te larja e teshave.
Qefja më pa të trishtuar, me kokën mbi dorën të mbështetur te banaku, teksa farmacistja shkoi te aneksi i brendshëm të përgatiste recetën dhe më pyeti:
- Ç’ke zotrote që qenke i mërzitur?
- Ah, moj zonjë, kam gruan shumë sëmurë. - i thashë shkurt, pa i kushtuar vëmendje bisedës me të.
- Ç’ka gruaja jote? - ngulmoi ajo.
- Është bllokuar në shtrat nga shiatiku, e më ka zënë halli!
Ajo qeshi dhe ma ktheu në çast:
- E, ore e, te shtrati i saj e ke hallin! Ti je pallosh, të... edhe në këmbë! - tha ajo copë, pa kurrfarë druajtje, duke u shprehur në një mënyrë që nuk e kisha marrë as me mend se mund të fliste një femër, madje një tip fare pa afërsi konfindenciale me mua.
Krejt i pa përgatitur të dëgjoj fjalë të tilla nga goja saj, në çastin e papritur m’u duk sikur më bënë veshët dhe e pyeta sërish për t’u siguruar:
- Çfarë the, moj, çfarë the?
- Ti (të bën) në këmbë! - përsëriti ajo me gojën plot, duke qeshur me zë.
M’u duk sikur më ra mbi kokë tavani i farmacisë e më zuri nën vete. Kaq të rënda mu dukën atë çast ato fjalë të pabesueshme të dilnin nga goja e saj. Ndryshe të dëgjuara nga ndonjë tjetër, mund të mos më bënin aq përshtypje. Sepse me figurën e jashtme, ajo kishte zënë vend në trurin tim, si simbol i gruas së edukuar me dëlirësi dhe plot mirësjellje femërore.
- Ik, moj gojë çapraze!- ia ktheva me mllef sapo mora veten.- Të dija goxha zonjë, po paske qenë kaq e ulët!
Fjalët e mia nuk bënë asnjë efekt përmirësues në fjalorin e saj. Përkundrazi, ajo qeshi me sarkazëm dhe vijoi:
- Gjoja, s’ta ka qejfi ty!...
- Mbylle atë dreq goje, se i vure kapak balte të gjithë respektit tim!
Ajo vijoi të qeshte paturpësisht dhe shtoi më tej:
- Shko shitju ndonjë budallaqje në vend tjetër, se unë të kam kuptuar ty që nga maja hundës!...
Atë çast doli farmacistja nga aneksi me pakon e barnave dhe me shpjegimet e përdorimit të tyre, nuk më la hapësirë kohe t’i jap përgjigje tjetër. Por kur dola jashtë, isha i tërbuar e më erdhi plasje që nuk munda t’i them edhe ca fjalë siç e meritonte, pa bërë skandal që ta merrte vesh farmacistja. Sakaq mendova, medet, sikur këtë opinion për mua ta kishin edhe gra të tjera që më njihnin e nuk shpreheshin dot hapur si ajo.
Sapo arrita në shtëpi, ia tregova gruas sime gjithë bisedën e poshtër që bëra me të, duke i shprehur edhe mahnitjen time për ato fjalë të papritura që dëgjova nga goja e saj.
Por në vend të errësimit që prisja në fytyrën e saj, përkundrazi, gruaja ime nënqeshi lehtas.
- Asaj i ka plasur cipa, - më tha me ton të qetë. - Po pse, nuk e njihje Qefen ti?
- Si mund ta njihja? - i thashë me habi. - Ajo më është treguar deri sot si kancelarja gjermane Anxhela Merkel...
- Qefen e njeh gjithë lagjja, - vijoi gruaja. – Ajo edhe kur e pyesin si e ke emrin bën shaka, duke u thënë: "Po të ta them emrin,ti do fillosh të besh qef me mua." Por nuk kisha dëgjuar, se ka raste që fjalë të tilla u thotë edhe burrave. Megjithatë, ajo nuk bën kushedi se çfarë, vetëm se nuk ka turp fare dhe lëshon nga goja fjalë të pista siç i teket.
Shtova me keqardhje:
- Më tha se më ka kuptuar si pusht që nga maja e hundës, kur unë nuk e kam as hundën të madhe të bie në sy, dreqi ta hajë...
- E ke ashtu siç duhet, për veten tënde dhe për mua, po mos u bëj merak nga llafet e Qefes! - më tha ime shoqe qetas.
- Po sikur të mos jenë thjesht fjalët e saj, ky opinion do të na krijonte shqetësime të dyve...
- Të njoh vetë unë, s’kam nevojë të më thonë bota, - u shpreh ajo për ta mbyllur atë bisedë dhe hapi pakon me barnat që i çova.
Por historia e banaliteteve të Qefes nuk u mbyll me aq. Sepse për gojën çapraze të saj, dëgjova edhe më vonë, kur një miku im nga një lagje tjetër, më tha me sy të ndriçuar nga zbulimi i beftë:
- Atje te ju ka shumë femra të dorës, që të provokojnë vetë!
- Ç’i ke këto fjalë!?- ia preva në çast. - Përkundrazi, te ne femrat janë të ndrydhura nga opinioni dhe nuk ta zgjatin as në rrugë as në mjedise pune.
- Ja fut kot!- ma ktheu ai me bindje të plotë e paksa i acaruar. - Dashke të bësh edhe avokatin mbrojtës të kuçkave të lagjes tënde! - Unë ndala makinën te vendpushimi para asaj farmacisë së madhe dhe një grua te arka prej xhami, sa i hodha sytë, më shkeli syrin disa herë.
Qesha me zë.
- O, ho, ho, Qefja është një ekzemplar i rrallë i gruas me gojën çapraze! - dhe i shpjegova se ashtu quhej për shkurt. - Por thonë se ashtu siç ka emrin, ka edhe shumë qejf të përqeshë burrat, duke vënë në lojë dobësinë e tyre për t’u vardisur grave të martuara! E them këtë, sepse deri tani, nuk kam dëgjuar njeri të thotë se ka arritur qëllimin final me Qefen. Por gjithsesi, bota e grave, ashtu si bota jonë e burrave, ka patjetër edhe veçantitë tipike. Me sa kuptoj unë, ajo është një tip i lirë femre, pa kurrfarë frenimesh, që nuk e çan kokën e nuk bën llogari ç’thonë të tjerët për të, miku im... Dhe ndoshta ajo ka ecur disi më përpara, drejt një lirie pa caqe në fjalë e në mendime, ku po shkon bota e sotme...
- Bota e dhier! - e mbylli ai dhe iku i çakorduar nga përqeshja e saj.
 
 
 
 
  
NGATËRRESA E PANDREQSHME

Shkurtimi ka qenë kurdoherë mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë e shqiptimit të emrave, për të mos lodhur gojën me zgjatime rrokjesh të panevojshme. Por jo gjithmonë kjo mënyrë thirrore ka gjetur mirëkuptim mes njerëzve.
Dy kushërinjtë e parë me emrat Gracen dhe Hysen, thirreshin shkurtimisht "Cen", nga të gjithë në fshatin Prevallë të Çermenikës. Fjala vjen: O Cen ! - ou !- njëri. O Cen ! - Eu bre! - tjetri. Kushërinjtë Cen, si djem të baballarëve vëllezër, kishin pamje të ngjashme, por karaktere krejt të ndryshëm.
Cen - Graceni tridhjetëvjeçar ishte bari me një tufë dhi. Përveç cilësive të tjera, njihej nga të gjithë për sjellje të ngjashme me një cjap përçor të shkathët e të harbuar nëpër rrëpira shkëmbinjsh e përrenj të mbuluar me shkurre të gjelbëruara. Duke qenë kësisoj edhe pak allçak në përgjigjet që u jepte të tjerëve, ai dukej sikur i priste fjalët me latoren që mbante në dorë për të prerë degë të gjethuara, me të cilat ushqente dhitë. Fshati e mbante në gojë për shpotitë e tij me të cilat shkuleshin gazit. Një bari që ruante dhitë e shtëpive të lagjes së poshtme, i kërkoi cjapin e madh për të ndërzyer kopenë. Cen Graceni ia dha dhe i tha me ironi: " Për këto punë në lagjen tuaj, unë s’kam kursyer veten time, jo të kursej cjapin!..."
Krejt ndryshe Cen - Hyseni njëzetegjashtëvjeçar ishte një pendar i urtë dhe i pa djallëzuar, që me majën e hostenit nxiste lehtas vithet e qeve për të hapur brazdat e taracave në lartësitë malore të fshatit. Kur ai mbaronte plugimin e tokave të familjes së vet, u ndihte me pagesë edhe fshatarëve të tjerë që nuk kishin pendën e qeve te dyzuar. Madje hakun e punës nuk ua kërkonte me para në dorë, por me një sasi të arsyeshme bereqeti, kur ata vilnin prodhimin.
Erdhi koha kur i ati i Cen - Hysenit, dërgoi mblesin në fshatin Zdrajshë të anës perëndimore të vargmalit të gjerë. Dhe pasi Cen bujku i hodhi një sy të shpejtë nuses bukuroshe të lavdëruar nga mblesi dhe i gjithë farefisi, u lidh fejesa. Ndërsa për Cenin bari, megjithëse ishte më i madh në moshë, ende nuk po gjendej nuse. Vonesa kishte ndodhur, jo për shkak se ai ishte disi allçak, pasi në fshat ishte martuar edhe ndonjë torollak me torollaken që meritonte të njëjtin fat. Por sepse Cen bariu nuk kishte pëlqyer çdo lloj vajze. Ai thoshte se e donte nusen, përveçse tepër të bukur, edhe të mos kishte hipur asnjëherë në makinat apo autobusët që përshkonin rrugën automobilistike përfund luginës. Pasi qarkullonin fjalë, se të rejat bukuroshe të fshatrave të thellë malorë u besonin paksa si tepër shoferëve, me të cilët shpresonin se mund të martoheshin në qytet.
Pas gjashtë muajsh fejesë, pa arritur të shkëmbehen takime të dhëndrit me nusen e largët nga Zdrajshi, u pre dita e dasmës më 14 shtator. Së fundi ishin plotësuar gatitjet familjare dhe nusen e sollën në Prevallin majë malit me një kalë të bardhë, të cilit i kishin shtruar mbi samar një velenxë të leshtë me xhufka. E shoqëruar me pak krushq, ajo ishte stolisur fund e krye me një mori xhingla minglash, të cilat tringëllinin hareshëm, sa herë kali hidhte hapat nëpër rrugët e ngushta drejt majëmalit. Kishte veshur xhoke leshi të hollë me ornamente shumëngjyrëshe, jelek të punuar me fije ari dhe ishte mbuluar me një shami mëndafshi të shtrenjtë. Nusja u prit në shtëpinë e Cen bujkut me tri daulle zhurmëmëdha, me lëkura dhie të shtrënguara fort, që jehonin deri tutje luginës. Më pas ajo u vu pranë oxhakut në konakun e grave të nusëronte siç ishte zakoni e mbuluar me napë të bardhë.
Rretheqark shtëpisë, burrat e ftuar kërcenin valle dyshe dhe ngjanin me ato luhatjet e tyre krahëhapur, sikur çifte shqiponjash provonin fuqinë e flatrave të njëra-tjetrës nën klithmat e pipëzave dhe kumbimin e daulleve që gufonin pareshtur mbi gjokset e tyre. Prapa shtëpisë piqeshin në hell tri dhi dhe katër kecër të njomë për meze. Terjaqinjtë e rakisë prej kumbulle te dhoma e burrave, të shtruar këmbëkryq, përcillnin te njeri tjetri dollitë me shume shëndete dhe këndonin me fytyra të kuqëluara.
Dy baballarët vëllezër, kishin bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, që dasma e Cenit të parë në familjet e tyre vëllazërore të mbahej mend nga i tërë fshati. Dhe ashtu po ndodhte vërtetë, sepse ushqimi i bollshëm, rakia që derdhej lumë dhe hareja gjëmimtare, nuk pushuan deri vonë. Me afrimin e mesnatës, kur kumbimi i daulleve dhe rakia kumbullore ua kishin bërë dasmorëve kokën daulle, dy burrat e ngarkuar nga i zoti i shtëpisë, shkuan të futnin dhëndrin te konaku, ku do të flinte me nusen. Ata u ndalën te korridori i errët para derës, ku pritej Cen bujku të provonte plorin e parmendës së vet te nusja e re dhe e thirrën çakërrqejf:
- Or Cen !
- Ou ! - u gjegj Cen bariu, i ndodhur aty pranë me gojën e lëngëzuar, pasi kishte hedhur një sy te e çara e derës, në çastin kur nusja e kushëririt po zhvishte rrobat e rënda të dasmës, duke zbuluar kofshët e rrumbullta për të veshur këmishën e natës.
- Eja këtu, or qafir, se s’kena lanë vend pa të kërkue! - Dhe me sytë të turbulluar e pa i kërkuar shpjegime më tej në atë errësirë korridori, ata e kapën për krahësh dhe e shtynë me forcë brenda dhomës me dopjoshtratin e shtruar të nuses. Pastaj njëri nga burrat çakërrqejf, që kishte drynin në dorë, mbylli derën, futi çelësin në xhep dhe i tha Cenit nga e çara mes kanatave:
-Veni rezen e hekërt derës nga brenda dhe hajt me nji kokorroç mashkull në krye të vitit!
Pastaj të lehtësuar për detyrën e kryer, ata shkuan të vazhdojnë orgjinë e shëndeteve që kishin lënë pa përfunduar.
Daullet jehonin pa pushim dhe njerëzit nën çatitë e dy shtëpive gëzonin. Pas kalimit të mesnatës, njëri nga burrat çakërrqejf, që futën dhëndrin te nusja, shkoi te zjarri ku piqej keci i fundit për sofrat kryesore të konakut të burrave. Dhe kur dalloi aty Cen bujkun, teksa përtypte një copë mish të ofruar nga pjekësit para se te futej te nusja, gati sa nuk i plasën sytë e nuk luajti menç! Një çast dyshoi se mos ai kishte dalë i zhgënjyer nga dëlirësia e vajzës, me të cilën ishte martuar. Por kur pa se dhëndëri po përtypej me oreks të madh e pa kurrfarë shqetësimi në fytyrë, e pyeti me ankth:
-Cen, mor jahu, pse paske dalë prej konakut të nuses?
Cen bujku hapi sytë para zjarrit bubulak, sa iu dukën kokërdhokët si dy qershi të kuqe nga habia.
-S’kam shku ala ke nusja, or burrë i dheut, ça je tue thanë?...
Burri i u mendua një çast duke u bërë krejt esëll nga tronditja dhe pa lënë shkak për sherr mes dy Cenëve, vrapoi te dera e nuses.
- Or, Cen !?
Heshtje. Asnjë pipëtimë brenda konakut nusëror.
- Or, Cen, dil shpejt, se të kena fut kabim !
Heshtje....
- Dil, or Cen, se për atë zot, je tue ba gjynah, nusja nuk ashtë jotja, po e kushërinit tat!
Asnjë përgjigje.
- Çil rezen e derës, or budall, se kena lan nam pa dashun!
Më në fund zëri i Cenit allçak u dëgjua si përmes një qypi:
- Ku di gja unë, vetë më keni futë!...
- Kena hangër, me nder, m...
- Ju baftë mirë, pra!- u gjegj ai me gjuhën e vet allçakçe.
- Dil, shpejt, po të thona, or damaluk, se po na merr në qafë kotnasikot!
- Nuk dal, për atë zot, jo!... Na të dy me nusen i kena ba adetet të tana e s’kena faj!... Vetë na keni bashkue me forcë. Kjo nuse tash ashtë fati i em dhe unë fati i saj!...
Pa menduar të shqyej derën në mënyrë skandaloze, ai shkoi i pëshpëriti në vesh të zotit të shtëpisë për hatanë e madhe që kishte ndodhur:
-Ça ka ba katuni që i ka thirr të dy çunat Cen e ça kena ba na dy budallët që i patëm lanë sytë ke faqorja e rakisë...
- Hë, pra fol, ça keni ba!?- shqeu sytë nga habia babai i dhëndrit.
- Ka dy sahat kena fut ke nusja Cenin tjetër, që na shpëlaftë mortja!...
- Ku ashtë Ceni im? - pyeti ai i tronditur.
- Te zjarret, tue hang mish!...
Dy baballarët vëllezër u tërhoqën mënjanë krejt të mahnitur dhe e pleqëruan ngjarjen me gjakftohtësi vëllazërore. Së fundi, mes gjëmimit të daulleve i dhanë dorën njëri-tjetrit, pa alarmuar dasmorët dhe thirrën dhëndrin pa fat. E bindën atë, se kjo ishte një ngatërresë që nuk mund të ndreqej kurrsesi me sherr e mëri në vëllazëri. Por do të zgjidhej shpejt, duke i gjetur atij një nuse tjetër brenda vjeshtës. Dhe i thanë të vazhdonte tani të hante mish të pjekur, se këtë nuse e paskish pasur fat Ceni që pëlqente mishin e gjallë.
Dasmorët festuan të kënaqur dhe në të gdhirë u shpërndanë pa marrë vesh se në atë dasmë ishte martuar Cen allçaku i shkathët. Ndërkaq, bariu ndjehej i lumturuar fund e krye, me bindjen e plotë të provës, se nusja nuk kishte hipur në asnjë mjet me katër rrota. Por atij i kishte ardhur keq vetëm se nga ajo dasmë iu pakësua tufa e dhive.
Nusja syzezë e vetullzezë u tha grave të nesërmen në drekë, se nuk do të kishte dashur një Cen ndryshe nga ai që pati fat dhe nuk i kishte mbetur merak për të parin, përderisa atij nuk ia mbante mend as fytyrën.
 
 
 
 
 
Ç’BËRE, O BIR!...

Pas gjashtë orësh udhëtim, dalja nga toka greke dhe hyrja në superstradën Kakavi - Gjirokastër, iu duk Simonit një çlirim shpirtëror i vërtetë. Nga kjo anë rruga ishte krejt bosh këtë mesnatë dimri dhe flluskat e shiut të ndriçuara nga projektorët e bencit, ngriheshin mbi asfalt si një re e dendur fluturash..
Gruaja e tij, te ndenjësja e prapme flinte gjumin e thellë të lodhjes nga udhëtimi i gjatë dhe i kishte i detyruar të dy babë e bir mos bisedonin me zë. Nga ky shkak, djali student përkrah tij, dremiste nga pak e zgjohej herë pas here, për të mos e lënë të atin ta zinte gjumi.
Teksa xhami i parë rrihej pa pushim nga purtekat e zeza të fshirëseve, që shtynin rrëketë e ujit me zemërim, Simoni, me zë të ulët dhe pa i larguar sytë nga timoni, i pëshpëriti të djalit se po i afroheshin Gjirokastrës.
Ndërkohë Altini mendonte me habi, se i ati kishte vërtetë nerva çeliku. Ai nuk ishte mposhtur nga gjumi për ta ndalur makinën të pushonte diku pas gjithë atyre kilometrave tepër të lodhshme. Ndonëse ishin nisur vonë nga Athina dhe i ati kishte pirë pak atë mbrëmje para ndarjes me miqtë e familjes në Greqi.
Pikërisht në këto çaste, sikur mendimet e Altinit të kishin qenë ndjellakeqe, ndodhi hataja. Burri që kaloi si hije e zezë para bencit, ndanë fshatit Sofratikë, ishte zhdukur nga rruga papritmas. Rrotat e tërbuara e kishin rrufitur si me magnet, për të kaluar sipër tij, si mbi një kufizuese shpejtësie të butë, që e luhati makinën fare pak. Simoni vetëm sa rënkoi një çast dhe pa i thënë të birit asnjë fjalë, vijoi udhëtimin drejt Gjirokastrës, për të mos u zgjuar gjakprishur e shoqja prapa.
- E palose, o babi ! - i tha Altini duke zënë kokë me duar.
- Shëëët!...- i pëshpëriti i ati i tronditur. - Nuk dihet, mbase ka mbetur i plagosur! - Po, ti sus, të mos marrë vesh mami që është me zemër!...
Djali heshti i i tmerruar dhe Simoni po mallkonte brenda vetes fatin e keq, që atë natë skëterre i nxori para rrotave një njeri aq të pakujdesshëm, për t’i prerë rrugën shpejtësisë së tij marramendëse.
Ende pa gdhirë mirë, përshkuan qytetin e fjetur dhe ngjitën kalldrëmin e gurtë te shtëpia e tyre në lagjen Palorto. Gruaja me të birin u shtrinë të bënin gjumin e copëtuar. Por jo Simoni, që bashkë me njeriun, kishte vrarë për vdekje edhe gjumin e tij. Gjatë gjithë kohës risillte në përfytyrim aksidentin vdekjeprurës. Dhe në mendje i vërtitej një gjeratore e frikshme, se çdo të ndodhte pas natës tragjike, kur të dy me viktimën ishin fajtor. Por kryesisht ai njeri i çuditshëm që i preu rrugën marrëzisë së rrotave, në atë orë kur dhe vetë nata po flinte e qullur nën shi...
Të nesërmen në mesditë, mjetet e informimit bënë të ditur se gjatë natës së kaluar ishte aksidentuar me vdekje një gjashtëdhjetepesëvjeçar, te banesat ndanë rrugës së fshatit Sofratikë në aksin Kakavi - Gjirokastër dhe policia hetimore ishte vënë në kërkim për të identifikuar mjetin dhe drejtuesin e tij.
Simoni, mendoi me zemër të ngrirë, se ai nuk mund të ishte i vetmi zog nate që kishte fluturuar nëpër atë rrugë. Në arteriet e degëzuara të saj, zgjatnin dejet prej gome drejt veriut në çdo orë natës, veç Greqisë edhe Saranda me Delvinën. Pra, s’kishte pse hija e dyshimit të binte vetëm mbi të dhe makinën e tij. Ky arsyetim sikur ia zbuti disi frikën që po e mundonte pareshtur.
Kaloi java pa asnjë sinjal të frikshëm dhe Simoni doli për të përcjell të birin te autobusi i Athinës, ku ai vazhdonte studimet për të drejtë ndërkombëtare. Gjatë kthimit, në hyrje të qytetit, policia rrugore i kërkoi dokumentet e makinës dhe papritmas i bllokoi bencin për hetim. Ata i bënë të ditur se nga regjistri i kalimit kufitar në orët e vona, figuronte edhe emri i Simon Ndrekos me bencin e tij me targë të Gjirokastrës.
Megjithatë, nga kontrolli i kujdesshëm i pjesës së poshtme të shasisë së mjetit, nuk u zbulua asnjë gjumë gjaku. Gjithçka ishte fshirë nga gurgullimat e shiut të asaj nate, të shpërndarë fuqishëm nga rrotat dhe nga larja me sprucim të fortë që i kishte bërë ai të nesërmen te lavazhi. Por pas dy ditësh të tjera, ndonëse mendja e autorit të krimit mund të përgjumej nga ky mbulim fakti, vdekja e njeriut rrinte zgjuar derisa të gjendej fajtori.
Simonin e arrestuan dhe e morën në pyetje të rrepta. Ai e kundërshtoi kategorikisht krimin, si në prokurori ashtu edhe në gjykatë, ku nuk kishte përmendur prezencën e të birit në atë udhëtim, për të mos i krijuar Altinit telashe me shkollën. U thirr dëshmitare e shoqja, por dhe ajo u betua disa herë me gjithë shpirt për kokën e djalit të vetëm, se atë natë nuk kishte ndodhur gjë prej gjëje.
Kështu, pas dy seancave gjyqësore, u arrit në përfundimin, se ai mund të lirohej nga paraburgimi për mungesë provash. Por gruaja e vetëdijshme, që vërtetë nuk kishte ndjerë asnjë pipëtimë për krimin, lëshoi padashur nga goja të vërtetën, për të cilën thuhet, se vonon por nuk mungon. Kur u pyet përse kishin qenë në Greqi, përmendja e prurjes së djalit për pushime në shtëpi, bëri që të thirrej në një seancë të tretë edhe Altini nga shteti fqinj.
Gjykata e rrethit gjyqësor të Gjirokastrës e solli atë pikërisht ditën e gjykimit të tretë dhe e nxori përballë të atit që ndodhej brenda kafazit prej hekurash. Altinit iu kërkua të betohej e të nënshkruante se do të tregonte të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Pikërisht, këtë kishin kërkuar prej tij edhe i ati më të ëmën qysh në vegjëli, të tregonte gjithmonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Për disa çaste ai heshti paksa i menduar, duke sjellë ndërmend, se gjatë gjithë kohës së kthimit në Greqi nuk i hiqej nga mendja lemeria e asaj nate me njeriun fatkeq, të cilit i kishin marrë jetën. Kufoma e imagjinuar dhe kuja e njerëzve të familjes, i shfaqeshin në gjumë dhe i rëndonin në shpirt, duke e bërë të ndjehej në çdo kohë rob i dhimbjes së fshehur. Më së fundi ai mori guxim dhe foli me sytë nga fytyra e të atit që kishte filluar të zverdhej:
- Të thashë, o babi, që atë natë, se ishe pak me shpejtësi dhe pak kishe pirë, kur u nisëm!...
Simonit iu ngritën qimet e kokës përpjetë nga kjo e papritur e tmerrshme dhe e ëma shqeu sytë mbi të birin.
Kaq ishte dashur, që trupi gjykues të tërhiqej për të caktuar dënimin e vërtetuar nga ky dëshmitar okular tepër i besueshëm. Dymbëdhjetë vjet burg për aksident të rëndë me pasojë vdekjen e viktimës. Seanca përfundimtare u mbyll me një heshtje varri për të gjithë te pranishmit.
Duke zgjatur duart për vënien e prangave brenda kafazit të hekurt, Simoni e shoqëroi të birin me ca sy të llahtarshëm që i pikuan lëng të hidhur, derisa e nxorën nga salla e gjyqit.
- Ç’bëre, o bir? - mundi t’i thotë e ëma e tmerruar ende pa dalë nga dera e gjykatës.
Altini psherëtiu një çast me dhimbje dhe më pas u gjegj me trishtim:
- Babi është gjallë dhe atje brenda do hajë një pjatë supë, moj nënë, po ai i mjeri që do hajë dhé derisa të tretet nën tokë!?
- Për një fjalë goje, le në burg babanë tënd, që të kishte si syrin e vetëm!
- Po të kisha gënjyer, babi do lirohej, po do mbeteshin të burgosur përjetë të tre shpirtrat tanë. Kështu shkon haka tek i zoti dhe secili nga ne e ka shpirtin të lirë, moj nënë!...
 
 
 
 
PROVA SEKRETE E VAJZËS

Nila ishte një topolake me ngjyrime brune në trup dhe me ëndrra të guximshme në mendje. Ndryshe nga shoqet e moshës së saj, ajo me të mbaruar shkollën e mesme të minierave në Përrenjas, hyri në një kurs për shofere. Të gjithë në familje e porositën të kishte kujdes me këtë profesion, sepse duke filluar qysh në guidat e kursit, meshkujt lakmitarë do t’i binin në qafë për çdo lehtësi që mund t’i bënin. Nila u përgjigjej të gjithëve: "Ju lumtë atyre po më gjetën budallaqe !"
Instruktori i kursit, një shofer nafte me përvojë, e filloi pretendimin e vet, jo me gojë, por me gishtat e dorës së majtë. Sa herë duhet t’i mësonte ndërrimin e marsheve, nga krahu i pasagjerit të parë, ku qëndronte zakonisht për ta mbajtur nën kujdes kursantin, ai bënte sikur nuk e shihte levën dhe i prekte gjurin.
- Profesor, leva e marsheve është prej hekuri, jo prej mishi!- i tërhiqte vëmendjen ajo.
- Po, po, Nila, më fal, se e kisha mendjen te gropat e rrugës ! - justifikohej kot ai, sepse mendjen e kishte pikërisht te gropat e mishit të saj.
Nila, si vajzë e mprehtë dhe me pasion për punët që niste, e mbaroi kursin shkëlqyer si në teori edhe në praktikë. Me të marrë patentën shkoi në sektorin e komunales dhe mori një furgon të vjetër për të punuar në transportimin e plehrave. Vuajti disa muaj me radhë, duke e çuar mjetin e amortizuar herë pas here te ofiçina e parkut automobilistik për riparime, të cilat s’kishin të mbaruar. Sa ndreqej njëri defekt, shkaktohej tjetri. Dukej sikur edhe hekurat e ndryshkur ia bënin me inat daljes së saj femërore në një punë të tillë. Shpesh detyrohej t’u jepte xhenerikëve edhe ndonjë shpërblim nga rroga e pakët që merrte.
- Lere, atë dreq furgoni më të vjetër se unë! - i thoshte i ati i moshuar. - Ai qafir nuk kërkon vetëm krahët e tu, po edhe paratë e djersës!
- Nuk e lë! - ngulmonte ajo. - Të paktën ushtroj zanatin.
Nila mori vesh se në drejtorinë komunale të rrethit kishte ardhur një furgon i ri fringo, për të cilin drejtori Sinan Puria, nuk kishte vendosur ende kujt do t’ia jepte nga katër shoferët pretendentë të ndërmarrjes se tij. Dikush nga ata, i kishte ofruar një shuk me të holla, që ta merrte mjetin fringo, pa hyrë në garë aftësie me të tjerët. Nila vrapoi t’i lutej drejtor Sinanit, që jo vetëm ta merrte si femër, por edhe t’i premtonte punë të palodhur për ta mbajtur Përrenjasin të pastër si oborrin e një nikoqirje të mirë, mjafton ta merrte atë mrekulli vezulluese. Aq më tepër kishte bindjen, se drejtori i moshuar nuk mund të pretendonte kurrsesi trupin e saj të njomë e topolak në këmbim të atij furgoni.
Pasi e pa mjetin të parkuar në fund të oborrit të drejtorisë, ajo hyri me një frymë te zyra e drejtor Sinanit, duke pasur brenda vetes një ngasje e tundim të paparë ndonjëherë. Me buzagazin e saj engjëllor iu lut atij atë mesditë, aq sa ishte gati t’i falte shpirtin, vetëm ta merrte atë furgon të mahnitshëm.
Drejtor Sinani e dëgjoi qetësisht të gjithë lutjen e saj të përgjëruar, duke u lëngëzuar brenda gojës e duke picërruar sytë te gjoksi i saj mollëzak, dhe në fund i tha krejt gjakftohtë:
- Furgoni qëkur erdhi më tha një fjalë: Jam me moshë te re dhe më fiton, kush fal për mua dhuratë nga mosha e re e vetes...
Nila e kuptoi ku rrihte çekani i ndryshkur i drejtorit dhe e kundroi me keqardhje në fytyrën e zhubrosur nga rrudhat gjashtëdhjetë e ca vjeçare. Por ajo mendoi se diçka duhet të bënte, për ta bindur atë plak kërkues thesaresh vajzërore, që të mos i shpëtonte nga duart një rast kaq i shkëlqyer. Ndonëse pa përvojë në marrëdhënie me meshkujt, ajo mori parasysh të përpiqej shumë, derisa ta çonte plakushin pushtanik në shtatë çezma, pa i dhënë të pinte nga uji i kulluar i trupit të saj.
- A nuk ka zgjidhje tjetër, sikur të lija rrogën gjashtë muaj pa marrë? - pyeti ajo me drithtirë gjymtyrësh.
- As furgoni vetë po ta pyesësh, nuk besoj se pranon zgjidhje tjetër nga një vajzë si ti! - i tha ai duke lënë të kuptohet se mund ta merrnin me lekë, ata që e kishin trupin me gjemba, jo me lule të freskëta siç e kishte ajo...
Nila heshti një grimë dhe tha më së fundi:
- Do ta shohim edhe atë gjë!... - vendosi duke hedhur sytë e turpëruar te muri i zyrës së drejtorit, ku ishin afishuar disa tabela me fotografi e shifra nga arritjet e ndërmarrjes dhe përfund tyre ishte mbështetur një divan i butë prej sfungjeri të veshur më lëkurë të zezë. " Këtu do të më shtrijë, - mendoi vajza me trishtim, - në këtë divan të zi, për të më zhyer vajzërinë time të bardhë, që nuk kam pranuar t’ia lejoj as atij djalit që kam dashur në shkollën e mesme. - Dakord, o drejtor, po si do bëj, që ta marr furgonin? - e pyeti ajo drejtorin pas pak, gjithnjë me një drithtirë trishtuese në trup.
Sinani e çoi buzën lapurake vesh më vesh nga kënaqësia.
- Meqë je dakord ta marrësh, shko te administrata, thuaji asaj të bëj gati dokumentet për firmë. Dhe do vish prapë tek unë në zyrë, në orën pesë pasdite të marrësh çelësat e furgonit... - i shpjegoi ai me neps të dukshëm në sytë e tij epshorë.
- Mirë! - u gjegj Nila dhe pasi i dha Sinanit një puthje falënderimi të sinqertë në faqe, doli për të shkuar në zyrën e administratës.
Dokumentet u bënë shpejt dhe pasi firmosi vetë Nila, shkuan bashkë me punonjësen e administratës te zyra e drejtorit. Ai i tha punonjëses të linte aty dokumentet e të shkonte në zyrën e saj dhe Nilës të ulej në karrigen përballë. Pasi firmosi edhe vetë në sytë e vajzës, drejtori i futi shkresat në sirtarin e tij.
- Tani furgoni akull i ri është i yti! E paç hallall!- i tha asaj me një pamje tepër entuziaste, pas së cilës vajza do të priste pasdite me zemër të ngrirë pasojën e hidhur të kësaj fitorie.
Fjala "Akull" ia akulloi edhe asaj krejt trupin, duke e venë në mendime të ankthshme, si mund të bënte që pasdite, kur boshatiseshin zyrat, të mos këmbente rininë e saj me një organ mashkullor prej akulli shumëvjeçar. Ndjeu se gjendej në një dilemë të tmerrshme. Sikur ta merrnin vesh prindërit, sidomos babai, atë kusht llahtarshëm që kishte pranuar, asaj jo vetëm do t’i shuhej menjëherë ajo ëndërr e bukur me xixëllime fringo, por do të futej në dhe e gjallë. O zot, tha me vete, pse na ke bërë ne femrat, të paguajmë kaq shtrenjtë edhe për sende që meshkujt mund t’i marrin pa poshtëruar veten kaq shumë!... Në ankthin e këtij halli, iu kujtua çfarë i kishte treguar ajo shoqja e saj, që e zgjati zhvirgjërimin në disa takime, duke i larguar vëmendjen mashkullit, për të mbaruar pa arritur depërtimin. Do provoj sekretin e saj, tha me vete, dhe po e pashë keq, do i shkas nga prehri si ngjalë.
I dha dorën drejtorit dhe shkoi hëngri drekë fare pa oreks te një restorant i rëndomtë. Dhe pasi u soll përqark nëpër dyqane të shtynte kohën, në orën pesë pa pak, u paraqit te dezhurni i zyrave të ndërmarrjes. Ai i porositur nga drejtori, i tha të ngjitej menjëherë te zyra, duke menduar se Sinani kishte bere sevap që ia kishte dhënë furgonin kësaj vajze te re.
Nila hyri te zyra e drejtorit, duke përfytyruar me dridhje të tmerrshme në gjunjët e saj, se si pas pak do ta mposhtte organin e akullt të këtij plakushi, në trupin e saj të virgjër.
Sinani u çua nga karrigia dhe e ftoi vajzën të rehatohej te divani. Shkoi i vuri çelësin derës dhe iu ul fare pranë, duke shtrirë dorën nën fustan, deri ne thellësi të kofshëve të saj. Rrëshqitja deri afër fundbarkut të saj e një miu të qullur nga ata të gjirizeve, mbase do t’i dukej më pak rrëqethëse dhe e frikshme në ato çaste. Plaku përkuli kokën dhe e ngjeshi mes kofshëve te saj me një puthje e lëpirje gati prej bulldogu. Pastaj e shtriu trupin e saj të ngrirë tejpërtej divanit dhe i hoqi të mbathurat. Puthi sërish e lëpiu i verbuar nga vështrimi pa syze në afërsi të organit femëror. Së fundi u bë gati të përdorë organin e tij, ende pa arritur formën e gatishmërisë së nevojshme burrërore.
Vajza ndjeu diçka paksa të fortë në afërsinë fundore të trupit. Pikërisht në atë çast të frikshëm, mendoi të provonte atë që kishte dëgjuar nga shoqja e saj. Atëherë për t’i larguar vëmendjen eksituese, Anila e pyeti me sytë nga fotografitë e tabelës te muri sipër kokës:
- Drejtor, cili sektor ka dalë fotografi këtu?...
- A, a, kush?... - tha ai i jargavitur dhe ngriti kryet përpjetë nga tabela.
Anila ndjeu se kallëpi i akullit në afërsi të trupit të saj filloi paksa te zbutej. Ky fakt i çuditshëm i dha kurajë ta nxisë me tej:
- Ja, ja, ky, ky këtu !...
Sinani u kapërdi me fytin krejt të thatë.
- Aha, janë ata të pastrim gjelbërimit !... - tha ai dhe filloi sërish të hungërojë e të mundohet me masazhe dore për të marrë veten.
Kur ajo ndjeu serish tendosjen e akullt pranë trupit të saj, i tha edhe njëherë duke vënë gishtin te një pikë mbi fotografi:
- Po kjo këtu, unë jam ?....
- Ku ? Ku?... Nuk e dalloj dot ...
- Këtu te kjo ku kanë dalë shumë veta...
- Lere ta llafosim më vonë, se i kam lënë syzet te tavolina!... - tha ai dhe kuptoi se ishte lëngështuar krejt nënvete, pa arritur të bënte gjë.
Vajza ndjeu se tashmë kallëpi i akullit të tij kishte shkrirë tërësisht. Ai u mundua edhe me tej, por nuk mundi ta ngjallte sërish atë send të vdekur.
Pas kësaj drejtor Sinani u tërhoq te fundi i divanit, ngriti pantallonat dhe i tha vajzës me keqardhje të thellë:
- Çou vogëlushe, vish të mbathurat, se nuk funksionova dot sot ! Pata emocione të çuditshme. Një herë tjetër. Ne tani jemi miq...- tha ai dhe shkoi te tryeza i dha çelësat e furgonit.
Anila nënqeshi e gëzuar deri në thellësi të shpirtit dhe tha me vete: "Po arrite edhe një herë tjetër të shtrish trupin tim nën akullin tënd të qullosur, të lumtë ty, o rrapatuç plak!... Dhe tani që ta mora furgonin, po më re prapë në qafë, do shkoj të tregoj atje ku duhet, të të shkrihet edhe akulli i shpirtit tënd!
 
 
 
 
 
 
KUR DEL DANA NË BALLKON

Kur del Dana në ballkon, çelin lulet nëpër saksi dhe Astrit Biraku, te pallati përballë, sheh botën të tërë. Ballkoni i Danës, me sytë shumëngjyrësh të luleve, vështron nga lindja dhe ka përkarshi malin e Dajtit. Por sytë me bisht të Danës shohin vetëm gjysmën e sipërme të malit, për shkak të lartësisë së pallatit pesëkatësh, ku banon vejani Astrit Biraku. Ai ka ballkonin me vështrim nga perëndimi dhe nuk sheh as gjysmën e malit, as diellin e mëngjesit që ka fatin ta shijojë qysh në rrezet e para Dana përkarshi. Por ky pozicion nuk e pengon atë të ndjehet fatmadh, sepse Dana ka në gjoksin e saj dy male më të bukur se Dajti. Dhe kur sodit herë pas here malet bardhosh që ajo i lë shpesh gjysmë zbuluar, ai nuk e ndjen fare nevojën e pamjes së Dajtit, që s’ka mundësi ta shohë nga ballkoni i tij.
Dana jep mësim në një nga klasat paralele të shkollës fillore "Ramazan Jarani" që ndodhet në mes të lagjes. Ajo është martuar qëkur mbaroi arsimin e lartë për cikël të ulët, me një kryeinfermier të qendrës spitalore universitare të kryeqytetit, njëzet vjeç më të madh në moshë. Dhe kjo lidhje martesore e papërshtatshme për të, pati dy arsye që e përligjën në opinion. Dana ishte vajza e tretë nga gjashtë motrat e saj, prej të cilave as dy më të mëdhave nuk u kishte dalë ende fati. Veç kësaj, ajo e kishte dredhur fijen e mëndafshit me një djalë harapçi Tirane, siç i thoshte vetes, që e kishte mbajtur dy vjet të fejuar e të ekspozuar gjithandej dhe më pas ishte martuar pabesisht. Megjithatë, kryeinfermieri, të cilin e thërrisnin doktor Kaçi, ishte burrë serioz, i mirë nga shpirti dhe e mbushte çantën me llapushkat e mijësheve, duke bërë gjilpërat e kurave në pothuaj krejt banesat e lagjes së madhe të Alliasit.
Tani që Kaçi i saj ka dalë në pension, duke e mbyllur jetën pa fëmijë, Dana po lulëzon në pranverën e pjekurisë dyzetvjeçare, me një pamje që i tërbon meshkujt gjuetarë pas femrave bukuroshe me burra të vjetruar. Pas daljes në qarkullim të filmave serial brazilianë, në pothuaj të gjithë kanalet televizive dhe pas qarkullimit të thënies proverbiale grarishte, se "Burrë kanë të gjitha gratë, kush është e zonja të ketë dashnor!" Ajo filloi të tërhiqte vështrimin e të ndjente të ngjitur te gjoksi i bëshëm, sytë prej mastiçi të vejanit Astriti Biraku përkarshi.
Astriti dyzetegjashtë vjeçar është ushtarak karriere në drejtorinë e forcave të kufirit dhe gruaja i ka vdekur para tre vjetësh nga kanceri i gjirit. Dy fëmijët e vegjël i ka marrë e ëma e tij për t’i rritur në Elbasan, ku shkon çdo fund jave. Me trupin e ngjeshur prej këmbësori të stërvitur nëpër gjatësinë e piramidave të brezit kufitar verior, ai del shpesh vetëm me kanatjer në ballkonin me pëllumba, ku femrat e pallatit përball e presin me zili daljen e tij. Sidomos Dana, kur sheh gjoksin e tij muskulor, bën në tapetin e trurit e saj sfilatën e krahasimit me trupin skeletik të Kaçit dhe i shpëton një psherëtimë e pavetëdijshme. Astriti ka në kafazet e drunjtë të ballkonit tre çifte pëllumbash, që janë bërë pasioni i tij kryesor, me të cilin shtyn vetminë dhe kohën e lirë.
Ishte ora dhjetë e paradites së diel, kur njëri nga pëllumbat e Astritit, një grixho mashkull me pupla te këmbët dhe me krifë të ngritur përpjetë te prapshtina kokës, kishte shkuar te ballkoni i Danës, ku ajo i kishte thërrmuar një biskotë. Më pas qëndroi aty rreth dy orë i ngujuar me këmbët e verdha mbërthyer te mbajtësja metalike e tendës prej mushamaje. Me gjithë ndjelljet e përsëritura të të zotit për ta ushqyer bashkë me të tjerët, ai nuk po shkulej andej. Astriti u bë merak se mos pëllumbi qe i sëmurë dhe ashtu me kanatjer siç ishte, për shkak të vapës që kishte filluar bashkë me mëngjesin, shkoi trokiti te dera e Danës për ta marrë.
Dana çeli portën e blinduar dhe bashkë me vështrimin e habitur për vizitën e tij të beftë, sytë saj me bisht fluturues si të dallëndysheve, gati sa nuk e përpinë bustin e tij muskulor të paraqitur aq afër.
- Urdhëroni ! - e ftoi kënaqësisht, duke menduar se ai më së fundi kishte marrë guxim të hynte në shtëpinë e saj, pasi siç dukej kishte vënë re Kaçin e nisur qysh në mëngjes për të peshkuar në Erzen si çdo të diel. Ajo menjëherë bëri mënjanë me derën të hapur tërësisht, të hynte brenda miku i shumëpritur.
Astriti i shkëputi sytë nga gjoksi saj pothuaj krejt i zbuluar me këmishë verore të tejdukshme dhe i tha me një lëngështim te çuditshëm në gojë, që i bëri fjalët e tij të kullojnë ëmbëlsi bashkë me zërin:
-Më falni, zonja profesoreshë, që po ju shqetësoj, po një pëllumb timin e ka zënë meraku me ballkonin tuaj dhe nuk shkulet andej për qamet, megjithëse u lodha tërë mëngjesin duke e thirrur...
Dana e ftoi të hynte brenda dhe pasi mbylli derën pas krahëve te tij, e thumboi guximshëm, pa e marrë seriozisht punën e pëllumbit:
-E kam kuptuar prej kohësh që të zotin i pëllumbave e ka zënë meraku me ballkonin tim, po uluni një herë të pini një kafe! - i tha ajo dhe i tregoi mikut njërin nga kolltukët.
Ai nënqeshi pakëz dhe duke u rehatuar në kolltukun prej meshini ia ktheu në çast:
-Si mund të ndodhë ndryshe, kur stilisti i qiellit punoi nëntë muaj, vetëm për të përsosur modelin e zonjës së këtij ballkoni dhe të tjerat rreth e rrotull ia la fatit?...
Dana e krehur në sedër qeshi ëmbëlsisht dhe shkoi në aneks, mori një komplet rakie, i mbushi një gotë dhe ia vuri përpara në tryezën e mesit prej qelqi.
Astriti krejt i mahnitur nga gatishmëria e saj e beftë dhe i trazuar keqas në ndjesitë e veta nga rrumbullakësia fantastike e kofshëve të saj të mbushura e të zbuluara nën këmishë deri sipër gjunjëve, ndjeu në tërë trupin ca dridhma të pazakonshme. Çaste të rrezikshme këto, kur gratë harrojnë se kanë në trupit e tyre femëror polin pozitiv të magnetit dhe rrezatimi i zbuluar i tij shkakton tërbimin e papërmbajtshëm të meshkujve.
- Ku është Kaçi?- pyeti ai duke shtrënguar nofullën që gati po i zbërthehej nga vendi.
Dana ndali hapat drejt aneksit, ku do bënte kafen dhe u kthye përgjysmë.
- Eh, Kaçit i janë fiksuar ato dreq cironka që zë andej nga Erzeni me shokë të dielave dhe ka ikur që në gjashtë të mëngjesit... - fjalën "cironka" ajo e lëshoi me një përçmim të atillë, që tingëlloi njësoj sikur të ishte fjala për "cironkën" e burrit të saj shtatpakët.
-Lëre kafen, faleminderit, kam pirë! - tha ai dhe pasi e ktheu gotën e rakisë me eks, u çua në këmbë për t’u dhënë fund dridhmave të padurueshme. Mbërtheu me të dy krahët e fuqishëm trupin e tultë të kësaj gruaje fantastike dhe e puthi me një afsh të zjarrtë të paprovuar ndonjëherë në jetën e tij.
Një copë herë shtrënguar, ai ndjeu në krahët e veta, se tani dridhmat kishin shkuar me të njëjtin intensitet te trupi i bardhë i Danës, e cila nuk lëshoi asnjë fjalë më tej. Krejt i paduruar e mori në duar dhe shtriu në divanin e kolltukëve, duke ndjerë sikur kishte përpara trupit të tij të uritur prej kohësh, një llokum të madh, nga ata të rekordeve "Gines", që bëjnë pastiçierët e punishteve të dëgjuara, për të joshur vizitorët e ëmbëlsirave.
Por Astriti i shndërruar në përmasat e një ariu të pangopur, nga ata të pyjeve që kalojnë kufirin e futen te fqinjët, jo vetëm e hante të tërë atë llokum vigan të bërë me mjaltë lulesh, po dukej sikur nuk po i mjaftonte. Sepse u bë dy orë e ca që pëllumbin e kishte shuar nga mendja dhe truri po i avullohej për të tretën herë mbi atë krijese femërore të fundosur në sfungjerin e divanit, e cila po aq e uritur dhe drithmëtare, po ofshante në jermin e rënkimeve të kënaqësisë.
Në çastet kur ishin duke çlodhur frymëmarrjen e çoroditur dhe ajo krejt e përhumbur po thoshte me vete, uh, ç’mashkull qenka ky, moj nëna ime, ra befas zilja e derës me tringëllimat treshe të Kaçit, i cili çuditërisht ishte kthyer me shpejt se herët e tjera.
Dana brofi nga divani si një sustë e tendosur në maksimumin e tërheqjes.
- Shko shpejt në ballkon merr pëllumbin!- i pëshpëriti ajo të dashurit, me një pamje sikur e nxori atë fjali të frikshme nga fundi trupit të saj, pikërisht aty ku ishte rraskapitur më tepër.
Dana hapi derën, duke u mundur të përmbajë tensionin nervor të çastit dhe sytë i shkuan padashur te vargu i peshqve të radhitur në një purtekë shelgu që mbante Kaçi në dorë me krenim.
-Sot kam kapur peshq më të mëdhenj dhe i kam zënë më shpejt se herët e tjera!- tha ai me një zë, që asaj iu duk sikur vinte nga një planet i largët, që mund të quhej "Kotësia"
- Në shtëpi ka njerëz!- mundi të sajoj fillin e bisedës Dana. - Ka ardhur komshiu përballë të marrë pëllumbin e tij. Mbylla derën dhe shkova në ballkon i hapa vend te vazot e luleve për të vënë karrigen, që të ngjitej ta zinte sipër tendës, ku kishte dy orë që nuk shkulej e mund të na e bënte me glasa...
Sakaq Astriti hyri nga ballkoni në dhomë më pëllumbin në dorë, që për fat nuk ishte larguar nga vendi, si i vetmi fakt real që mund të shuante dyshimin e ekzistencën së tij në shtëpinë e kësaj gruaje. Ai i zgjati dorën të zotit të shtëpisë, pa rënë në sy për gjendjen e brendshme prej lojtari të zënë mat.
- Ju lutem të më falni, zoti Kastriot, për shqetësimin dhe falënderoj profesoreshën që më ndihmoi ta zinim, pa u rrezikuar të rrëzohesha nga ballkoni, në atë lartësi ku kishte qëndruar ky shpend i pabindur për tu kthyer në shtëpi, me gjithë ndjelljet që i bëra nga ballkoni im !- mundi të lëshojë fjalët me breshëri Astriti dhe lëvizi drejt derës për të mos krijuar ndonjë dyshim me zgjatjen e qëndrimit aty.
- Qëndroni të paktën për një gotë raki!- e ftoi Kaçi aq shpirtmirë. Ndonëse shpirti i mirë i burrit dhe qenia e tij mashkull i mirë, janë për gruan e re dy gjëra krejt të ndryshme.
- Tu rrittë nderi, ja ku e piva rakinë që më qerasi zonja juaj e nderuar! - tha Astriti ngulmues, duke treguar gotën bosh mbi tryezë dhe pasi i zgjati dorën sërish, doli nga dera si i çliruar nga vargonjtë e tmerrit.
Kaçi u përtyp paksa i hutuar dhe iu kthye së shoqes:
-Shiko, vogëlushja ime, sa të mëdhenj! Sot do hash edhe ti që s’i ke qejf cironkat, se këta janë peshq tamam! - dhe i zgjati asaj vargun për të shkuar të zhvishej.
- Do ha! - tha ajo nga sikleti, por sytë e saj dukeshin sikur thonin, eh, ta dish ti more peshkatar lumi, ç’alamet peshk deti kam ngrënë unë sot...
Astriti shkoi te ballkoni i tij, puthi disa herë pëllumbin te krifa grixho dhe i mërmëriti butësisht: Sot ne të dy kaluam kufirin dhe hymë në thellësi të truallit fqinj, por shyqyr zotit që na doli për mbarë të priteshim bujarisht, ti si pëllumb i paqes, unë si Shënvalentin i dashurisë...
 
 
 
ÇIFTI I HESHTUR

Ata që quheshin nga të gjithë çifti simpatik, ishin dy kamerierë të bar-restorantit kryesor të qytetit provincial. Bimi dhe Elda kishin zënë vend në një nga bangat e fundit të klasës, ku kryenin vitin e fundit gjimnaz të shkollës së natës. Ndryshe nga disa mistrecë të rritur, që i shtynin orët me muhabete e karagjozllëqe, kamerierët e fejuar qëndronin krejt të heshtur në skajin e tyre fundor. Buzëqeshnin ëmbël, kur u drejtoja vështrimin dhe putheshin ndonjëherë kur i kisha sytë larg tyre.
Mua më kishin caktuar me detyrim të jepja mësim letërsie në klasën e tyre, sepse disa të tjerë kishin nxjerrë lloj-lloj arsyesh për të mos punuar me ta. Por arsyeja vërtetë ishte se, mësuesit nuk çanin dot me kokat e gdhenjve, të ulur nëpër banga, sa për të marrë një dokument shkolle. Dhe kuptohet, puna e detyruar me këta tipa që nuk hanin pyka, kërkonte mundim dhe nerva të forta. Por sidomos durim të përkryer, për ta përsëritur njëmijë herë fjalën që nuk hynte kurrsesi në trurin e tyre të pagdhendur qysh në fëmijëri. Bimi dhe Elda ishin shtyrë nga viti në vit më pesën mëshirëmadhe, vetëm sepse ishin të urtë.
Thuhej mes mësuesve, se një kope me lepuj mund ta bëje zap shumë më lehtë, se një klasë me ronxhobonxho të tillë, që shpërthenin papritmas në të qeshura për budallallëqe krejt të kota dhe të shkatërronin orën e mësimit."Shkepsiri" tha njëri që nuk e kish mësuar mirë emrin e Shekspirit të madh të letërsisë angleze dhe hajde t’i mbaje bubullimat e gazit të tyre që nuk ndaleshin, derisa ra zilja, pa arritur të shpjegoj mësimin e ri. Le të ishin të rritur në moshë, ata sapo uleshin në banga, bëheshin njësoj si kalamajtë. Kur e shihje vajzën në këmbë, të dukej aq e hijshme dhe elegante, sa të merrte në qafë. Por sapo ulej në bangë, e ulte edhe veten deri në atë shkallë, sa zbulohej tërësisht se ishte nga mendja një kokërr budallaqje, që mjerë kujt i binte në pjesë. Ngaqë më vinte keq për gjendjen e tyre, një mbrëmje u detyrova t’i them njërës që s’i mbyllej goja:
- Dëgjo, moj vajzë! Kur dikush që kërkon të lidhë jetën me ty të sheh të heshtur, mund të thotë, kjo kasafortë kaq e bukur, kushedi sa miliona ka brenda. Po kur t’i harron e lë krejt pa çelës dhe zbulon të gjithë boshllëkun tënd, ai ikën nga sytë këmbët.
Mirëpo atyre nuk u bënin fare përshtypje këshillat e mia dhe përsëri qeshnin.
Bimi me Eldën kishin të keqen tjetër, në trurin e tyre rrëshqitës si xham i pjerrët, nuk zinte vend asnjë pikë uji, nga tërë ato kova me lëndë mësimore që zbrazja mbi ta. Bimit, të mbushur me katra, që e thërrisja të ngrihej në mësim e më thoshte pa lëvizur nga banga: "Vëre katrën, profesor!" arrita deri aty, sa t’i thosha: "Mëso pesë vargje, ose pesë rreshta, të marrësh një pesë!" Pra, një lëshim ky, në kontrast të madh me nxënësit e ditës, nga të cilët kërkoja analiza ideoartistike të thella. Elda, disi më ndryshe, mundohej të nxirrte pak fjalë çalamane të mangëta, sa për një pesë gjysmake.
Erdhi dhe fundi i vitit, kur duhej të mbyllja regjistrin e klasës së tyre. Kisha vendosur që Eldën ta shty nga halli, për të mos lënë shumë mbetës në atë klasë, kurse Bimin ta lë përsëritës për vitin tjetër. Ai e dinte mirë gjendjen e tij me shtatë katra në regjistër dhe erdhi më tha teksa po dilja nga klasa:
- Ke vendosur të më lësh, profesor?
- Po të të kaloj ty, që i ke duartrokitur katrat publikisht e me zë të lartë, duhet të mos lë asnjë tjetër që ma ka sjellë shpirtin në majë të hundës.
- Po unë s’të kam bërë fare zhurmë, profesor?
- Për qetësinë tuaj të lavdërueshme si çift, do kaloj Eldën. Ti mëso për vitin tjetër pesë vargjet, apo pesë rreshtat që të kam thënë disa herë.
- Ju nuk jeni aq zemërngushtë sa thoni, profesor!
- Nuk është punë zemre, po punë fjale, që e ke thënë me gjëmim "Vëre katrën!" dhe tani ajo s’më lejon të lë asnjë tjetër në klasë, po të kalova ty.
- E ke gabim që më lë, - tha qetësisht, - Një copë pesë për mua, nuk do bëjë hatanë.
E vështrova mendueshëm me keqardhje.
- Po mirë, more Bim, ta zëmë se të fal një pesë dhe ti e mbaron këtë hall, po si do çash në jetë pa dituritë më elementare që të nevojiten?
- Kismet, si të jetë thënë... Unë nuk do bëhem profesor si ju, pjata dhe lugë do çoj te klientët nëpër tavolina...
- Do vijë dita që kamerieri duhet të jetë jo vetëm i arsimuar, po duhet të dijë edhe gjuhë të huaj, - ngulmova ta bind.
- Eh, o profesor, edhe për një copë gur, siç jam unë, do ketë vend diku në ndonjë mur të shtrembër, sa të mos rrokullisem të më marrë lumi!...
Këto fjalë të dhimbsura të një mendje fukarai më bënë të mendohem. Ai iku i mërzitur dhe më dërgoi të ëmën që kishte muhabet me time shoqe.
- Po, Bimin tim që e kam rritur me kothere, do lësh në klasë ti, o goxha profesor, që po të mbaj në gojë tek të tërë, si floririn e të gjithë mësuesve!?
- O, ho, ho, leri këto lëvdata të kota, se do ta shoh edhe njëherë atë punë! - i thashë për ta hequr qafe dhe duke mos pasur mundësi të lë asnjë tjetër, i kalova të gjithë, duke i hedhur në kontingjentin jetësor, si dengje pa markë.
Pas dy vjetësh kishte ndryshuar sistemi shoqëror dhe me privatizimin e bërë në sektorin e tregtisë, Bimi me Eldën kishin marrë nga ndarja me punonjësit e tjerë, lokalin e brendshëm të bar-restorantit. Ata u bënë pronarë të ligjshëm dhe ndërtuan një banak modern në fund të sallës së madhe, ku bari i tyre filloi të tërhiqte klientë nga i gjithë qyteti.
Bimi si kamerier dhe Elda e bukur si banakiere, i shtuan mjaft të ardhurat, blenë frigoriferë të fuqishëm, pajisje e komoditete pune, furgon furnizimi dhe një veturë për argëtimet e tyre familjare. Duke dalë kësisoj në krye të konkurrencës mes lokaleve tregtare.
Teksa isha duke zbritur nga shkolla me çantën time të punës në dorë, Bimi para derës kryesore më pikasi. Futi një çast kryet brenda, diçka i tha së shoqes te banaku dhe më thirri entuziast:
- Të lutem, ktheu një minutë, o profesor!
Nuk ia prisha qejfin, më tepër se u bëra kureshtar përse më donte tani që s’kishte aspak nevojë për mua. Hyra brenda dhe kur vura re përzemërsinë, me të cilën më ftonte, duke më marrë për krahu të ulesha te njeri nga kolltukët e rehatshëm, qëndrova së fundi përballë tij. Ai i bëri shenjë gruas dhe ajo solli menjëherë një tabaka të madhe me birra dhe meze të bollshme.
- Ti je rob zoti, o profesor! Ne të dy me Eldën nuk e harrojmë kurrë të mirën tënde. Tani mos na e prish qejfin të pimë ndonjë birrë për shëndetin tënd dhe te na urosh, se na ka shkue puna fjollë me këtë lokal!
Mbeta pa fjalë. Ngrita gotën që ma kishin bërë gati dhe u thashë:
- Hajt, u priftë e mbara dhe me fitime të tjera më të mëdha në të ardhmen! Më bëhet qejfi, që e paskeni rregulluar jetën tuaj për bukuri, me punë!
- Faleminderit shumë, - tha ai me një shprehje plot respekt në fytyrë. - Po edhe një fjalë du me ta thanë, o profesor, se më ka ngelë merak kur më ke thanë: Si do çash në jetë ti Bim, që nuk mësove asgjë në shkollë, e unë të thashë, kismet, o profesor. A e shef tani, ti me alamet diplome profesori, s’ke para të hysh në lokalin tim të pish një birrë me gruan. E mua s’më mungon tani asgjë prej gjëje!...
E kundrova qetësisht te ata sytë që i shkëlqenin nga euforia dhe i thashë:
- Kjo është koha jote, o Bim, koha ime ende nuk ka ardhur !...
Nuk di nëse më kuptoi saktë ku e kisha fjalën, por di se ai e përdori dhe e shfrytëzoi në maksimum kohë që kishte në dispozicion.
Kaluan disa vjet. Unë ika në kryeqytet, besnik i profesionit dhe pasionit tim. Dhe Bimi me atë copë pesën që i fala atëherë, nuk u bë profesor. Por se si u ngjit deri deputet në parlament, se si i rregulloi problemet e arsimimit, e di vetëm ai. Guri i tij nuk zuri vend në ndonjë mur të shtrembër, por në majën e kalasë shqiptare.
Ndodhi një ditë rastësisht, i pashë nga larg si çift, kur zbritën nga benci luksoz dhe hynë në një dyqan mode të Tiranës. Të veshur të dy me kostum të zi firmato. Bimi me kravatë të kuqe dhe këpucë lustrafine me majë. Elda me shall farfuritës dhe këpucë më taka të holla. Të dy me pamje të velur, sikur kishin zbritur nga një planet tjetër i rruzullimit.
Unë me një qeskë në dorë, ku kisha blerë ca karota dhe presh, ika ca më larg tyre, për të pritur kohën time. Ndoshta vjen...
 
 
 
 
 
 
KËNGËTARJA FATKEQE

Pamjet e madhërishme të shuarjes ditore të yllit tonë jetëdhënës, që vdes e ringjallet herë pas here për të na dhuruar jetën, më kanë tunduar t'i sodis sa herë ndodhem në brigjet detare. Lindja e diellit ka një bukuri ngazëlluese, po nuk di pse mua më pëlqen sidomos solemniteti i perëndimit. Ndoshta ngaqë melankolia e diapazonit fantastik të ngjyrave të tij të kuqërremta, gjatë zbritjes në horizontin e kaltërt, i sfidon të gjithë piktorët...
Në verën e nxehtë të vitit dymijë e katër po endesha përgjatë shëtitores buzë detit të Vlorës. Ishte pikërisht çasti kur lëmshi i kuq i diellit po fundosej në peizazhin e përflakur pranë Sazanit. Me të hequr sytë nga deti për t'i kthyer nga toka e mbuluar prej muzgut, më tërhoqi vëmendjen një afishe. Lajmërohej për një konkurs të zërave të rinj që zhvillohej atë mbrëmje. Mendova se duke shkuar aty, u gjet edhe mënyra për t'i shtyrë orët para gjumit.
Krejt i vetëm, zura vend në rreshtat e parë të sallës së koncerteve, në pozicionin përballë jurisë. Nga të gjitha sa pashë e dëgjova, më bëri përshtypje njëri nga anëtarët specialistë të muzikës. Ai ishte një burrë që e çmova te mosha afër të pesëdhjetave. Ndryshe nga të tjerët, tabelat e tij vlerësues për këngëtarët e rinj luhateshin vetëm te shifrat e larta tetë deri në dhjetë. Madje edhe kur të tjerët jepnin një ose dy pikë. Kureshtja ime zevzeke për të mësuar diçka të re, ngacmohet pikërisht nga disa cingërima të tilla të veprimeve ekstreme njerëzore, ndaj dhe kërkova të njihem me të. Gjëja më e lehtë që mund të bëhet te ne, është të njihesh me njerëzit. Kjo s'kushton asgjë, përveç një pyetjeje të thjeshtë. Lamë takim pas një ore te veranda e një lokali të ndriçuar pranë Ujit të ftohtë. Morëm nga një birrë vlonjate "Norga" dhe gotat tona shkumbëzuan mbi shkumbëzimin zhauritës të dallgëve. Sakaq miku im muzikant filloi të më shpjegojë edhe shkakun tronditës pse ishte aq bujar me këngëtarët e rinj.
"Kur mbarova konservatorin për dirigjim dhe më emëruan në atë qytet të largët e të veçuar nga rrugët kryesore, desha të mos paraqitem fare në punë. Por prindërit e mi dhe sidomos babai, më qortuan ashpër që nuk po i përgjigjesha thirrjes për të shkuar atje ku kishte nevojë atdheu. Kundërshtimi im mund t'i kushtonte atij, si kuadër i vjetër, pasoja politike në biografi. Isha emëruar pergjegjës i sektorit të muzikës në shtëpinë e kulturës të Gramshit. Shkova krejt zemërthyer në atë vend të izoluar, ku ardhja e autobuzit të ditës nga Elbasani pritej me aq kureshtje, sa pothuaj i tërë qyteti, dilte në rrugë e nëpër dritare. U mërzita pa masë dhe me mjaft vështirësi u përshtata me jetën prej gjysmë robinsoni që bëja aty. U qetësova disi, vetëm pasi njoha mësuesen e muzikës, me të cilën krijova familje pas një viti.
Fill pas pushimeve verore në Vlorën time, po kthehesha tani bashkë me gruan për të vijuar punën. Aty nga ora dhjetë paradite arritëm me autobuz në stacionin e trenit të Rogozhinës. Premë biletat për në Elbasan dhe po prisnim trenin e vonuar prej dyzet minutash. Një grua e re, me një foshnjë disa muajshe në dorë, e ulur në njërin nga stolat e rëndë, më përshëndeti dhe lëshoi vend për mua dhe gruan time. Tha se banonte në Gramsh dhe më njihte nga koncertet në shtëpinë e kulturës. Bebja e saj si top sheqeri, e bukur dhe e shëndetshme, zgjati duart drejt meje. E mora në dorë, e putha në faqet e njoma dhe ajo qeshte aq gëzueshëm, sa më bëri për vete brënda pak minutave.
- Si e quajnë? -pyeta të ëmën pas pak.
-Aneta, po Neta i thërresim, - u gjegj ajo duke i buzëqeshur gruas sime, me të cilën kishte filluar një bisedë të kotë, për një ndodhi të rëndomtë provinciale.
Vijova ta përkëdhel vajzën vogëlushe, të loz me të e ta puth disa herë, aq sa ime shoqe u detyrua t'i thotë së ëmës:
-Beni vdes për kalamajtë e vegjël...
Dhe ja, koha me punë më kaloi si fluturimi i një shpendi me krahë të padukshëm. Kërkova disa herë transferimin nga ministria por nuk ma dhanë, për shkak se nuk pranonte rrethi pa u dërguar zëvendësuesi. Unë kisha qenë kali që u kap për të shirë në atë lëmë. Të tjerët nuk pranonin. Nga ky shkak kisha filluar të mos i numëroja më vitet e punës në Gramsh. Aq sa shumë prej të ardhurve më pas më dinin gramshak. Ndërkohë, isha bërë me dy fëmijë, djem.
Një ditë, kur isha duke punuar në piano, në derën e hapur trokiti papritmas një vajzë simpatike.
-Profesor Beni, a mund të hyj pak? -pyeti ajo me druajtje, duke xixëlluar sytë e zinj nën vetullat bishtngritura si dy bishta dallëndysheje.
-Urdhëro! -i thashë duke hequr gishtat nga tastiera e "Parrotit" të vjetër dhe e kundrova vajzën e panjohur me kureshtje.
Ajo nënqeshi lehtë dhe u skuq nga druajtja. Kishte një pamje aq të hijshme dhe një freski vajzërore, sa të merrte mendtë. Topolake me këmbët dhe llërët e bardha, gati transparente.
-Fol! -i thashë, -Mos ki turp!
U përtyp një çast. Dhe pasi dëgjoi kukurisjet e dy shoqeve që e prisnin në korridor, mori guxim:
-Më quajnë Neta... Mamaja më ka thënë, se kur kam qenë e vogël më ke mbajtur në duar... Dua të provoj zërin për në konkursin e festivalit në radiotelevizion...
E vështrova i pataksur e me sy të zgurdulluar. Ishte një habi tepër e këndshme për mua. Kishin kaluar shumë vite dhe as më kishte shkuar ndërmend, se ajo vogëlushja e dikurshme me emrin Neta, ishte bërë tani një bukuroshe gjimnaziste. Ajo ç’ka po shihja, ishte dëshmia më e qartë e ikjes përpjetë të moshës sime në këtë qytet, i cili, ndryshe nga njerëzit, mezi rritej.
-Patjetër, meqë të kam mbajtur në duar dikur, tani ke për të patur nga unë të gjitha privilegjet. Dhe vetëm talentin duhet ta keshë tëndin. -ia ktheva buzagaz.
Ajo qeshi me zë dhe unë i thashë:
-Thirri edhe shoqet, të të dëgjojnë!
Neta zgjati kokën te dera dhe ua bëri me dorë. Ato hynë brënda, përshëndetën dhe mbetën të heshtura. Ishin moshatare me të, por jo me pamjen e saj të papërsëritshme.
Bëra disa variacione mbi tastjerë për të çmpirë gishtat dhe e pyeta:
-Më thuaj ndonjërën nga këngët që di më mirë!
Ajo përmendi nja dy-tri këngë të njohura të muzikës së lehtë dhe unë zgjodha njërën. Kapa disa akorde për të parë deri ku arrinte tonaliteti i saj dhe u intonuam shpejt. Neta filloi të këndonte me emocione të dukshme. I thashë të mbushej me frymë, të qetësohej dhe filluam sërish. Në pak masa muzikore kuptova, se ajo kishte një zë të ngrohtë me ngjyrime interesante. Ndonëse nuk ngjitej në tonalitete tepër të larta, këndonte pastër dhe e lakonte zërin bukur në të mesmet dhe të ulëtat. Lartësitë mund të arriheshin me punë. Kuptohej qartë, kishte nevojë për prova të përsëritura, që të fitonte teknikën e të kënduarit. Dhe gjëja për të cilën nuk kishte fare nevojë, ishte dëshira e madhe për t'u bërë këngëtare.
Provuam edhe dy këngë të tjera dhe ramë dakord, që pasi t'u merrte leje prindërve, të vinte çdo pasdite për të ushtruar zërin. Pas shpresave optimiste që i dhashë, ajo iku si dallëndyshe krahëlehtë bashkë me shoqet e gëzuara.
Mendova se Neta nuk ishte ndonjë talent i spikatur, që të tërhiqte vëmendjen e publikut. Por mund të renditej në nivelin e përgjithshëm të masës së këngëtarëve të njohur, po të punonte shumë e me atë ngulm që shpalosi sot për të fituar konkursin. Nga ana tjetër, kërkesën për figurën fizike si këngëtare, e përmbushte plotësisht. Punuam pothuaj çdo pasdite për një muaj të tërë. Neta përparonte nga dita në ditë. Mësëfundi u binda, se tashmë ajo ishte e gatshme të çohej në redaksinë e muzikës në Radio Tirana. Tani edhe dita e përzgjedhjes së këngëtarëve për në konkursin përfundimtar ishte fare afër. Prindërit e saj, mamaja shtëpiake dhe babai punëtor në ndërtim, m'u lutën me besimin e plotë te një prind dyzetvjeçar siç isha unë, ta shoqëroja vajzën e tyre në përpjekjen e parë për të çarë në jetë. Ndërkohë kisha biseduar në telefon me redaksinë e muzikës dhe kisha regjistruar emrin e saj. Morëm leje në drejtorinë e shkollës së mesme dhe në datën nëntë tetor, të dy me Netën, u nisëm për në Tiranë. Zumë dy dhoma teke të veçanta te hoteli "Internacional" për t'u paraqitur të nesërmen në mëngjes në orën tetë para komisionit përzgjedhës.
Darkuam në restorantin poshtë hotelit dhe aty nga ora nëntë e mbrëmjes morëm çelësat te sporteli. Dhomat teke ishin të vogla, me mobilim të thjeshtë e të vjetëruar. E porosita vajzën të mbyllte derën me kujdes dhe çelësin ta linte brënda bravës, për të qënë më e sigurt. E ndjeja veten disi të lodhur nga udhëtimi prej katër orësh me tren dhe rashë të fle shpejt. Por krejt papritmas, rreth orës një pas mesnate, dëgjova një trokitje të lehtë te dera. Prita sa të kthjellohesha mirë, dhe pas trokitjes së dytë u çova e hapa. Ishte Neta, me këmishën e hollë të natës. Hyri menjëherë brënda derës sime dhe më një zë të frikësuar tha rrëmbyeshëm:
-Sportelisti futi një çelës në derë dhe u mundua ta hapte...Unë u ngrita dhe mbajta me dorë çelësin nga brënda që të mos binte përtokë...U tremba shumë...
U habita pa masë nga kjo ngjarje e beftë dhe vura re, se ajo ndjehej vërtetë e friksuar.
-Nga e more vesh se ishte sportelisti? -i thashë aty për aty.
-Kur nuk e hapi dot, dëgjova hapat e tij nëpër korridor dhe e pashë nga ballkoni që shkoi te dhoma e sportelit...
U mendova një grimë të gjej një zgjidhje, si duhej të veproja në këtë ngjarje të papritur. E lashë Netën në dhomën time dhe me hapa të lehtë shkova deri afër sportelit për të konstatuar diçka. Sportelisti i mbrëmjes ishte ndërruar dhe ky i natës po dremiste i mbështetur mbi divanin e sportelit. U tërhoqa mbrapsht me kujdes dhe shkova sërish në dhomë. Neta ishte ulur në cepin e shtratit tim dhe kishte mbuluar supet e rrumbullt me duar.
-Duhet të shkosh të fleshë! -i thashë. -Unë do të qëndroj zgjuar për të dëgjuar çdo lëvizje në korridor…
-Jo, jo, kam frikë ! -tha ajo pa pritur të mbaroj frazën time.
-Të siguroj që s'ka për të ndodhur asgjë, asgjë, - përsërita me besimin e plotë, se do të sakrifikoja gjumin e mëtejshëm, që ajo të flinte e qetë.
-Të lutem, profesor Beni, më ler të qëndroj këtu, pranë teje...
Hej, ç'më gjeti belaja me këtë zogëz frikacake, mendova.
-Mirë, atëherë, ti bjer fli në shtratin tim dhe unë po shkoj në dhomën tënde...
-Jo, jo, në asnjë mënyrë, -klithi ajo me një pëshpërimë në formë spazme. -Po më le vetëm, unë sonte do vdes nga frika...
E kundrova me vërejtje. Me supet zhveshur dhe kofshët e bardha krejt zbuluar nga këmisha e shkurtër që mbahej me dy fije të holla, ajo dukej si një frut i ëmbël shijeshumë i varur në degë, para së cilës do t'i lëshonte goja lëng edhe vet Krishtit. Por unë ato çaste, duke ndjerë përgjegjësinë që kisha marrë përsipër, nuk mendoja fare për ndjesi të kësaj natyre.
-Nuk bën të qëndrosh këtu, -i thashë me ton të qetë.
-Pse, kërkon me çdo mënyrë të më heqësh qafe? - tha ajo papritmas, me një nga ato nënqeshjet e lehta provokuese, që dinë t'i sajojnë vetëm femrat. -Ne kemi ndenjur pranë aq kohë në prova, dhe s'të ka gjetur gjë...Pse të mos rrimë edhe sonte...
Nënqesha lehtë me arsyetimin e saj naiv.
-Këtu ndryshon puna, -i pëshpërita me zë të lehtë, që biseda e nisur të mos depërtonte jashtë derës. -Dhoma e gjumit nuk është dhoma e pianos. Veç kësaj, unë jam burrë i martuar me dy fëmijë dhe ti një vajzë e re. Asnjërit nuk i intereson të bëhet objekt i fjalëve të kota që mund të lindin pas kësaj nate.
Ajo heshti një grimë.
-Po asnjëri nga ne nuk merret me ato fjalë që thua, se nuk jemi kalamaj. Aq më tepër, kur unë dua vet të qëndroj sonte me ty...
-Pse do të qëndrosh sonte me mua? - e pyeta enkas për të saktësuar qëllimin e vërtetë të saj.
-Ti, më ke mbajtur në duar, qëkur isha gjashtëmuajshe, pse s'do të më mbash edhe tani që jam rritur e mendoj gjithmonë për ty. Kaq e rëndë jam bërë tani për duart e tua?
Shqeva sytë mbi të, krejt i habitur me guximin e kësaj vajze të re, për të shprehur më çiltërsi të tillë fjalë të kësaj natyre.
-Pikërisht, se të kam mbajtur në duar gjashtëmuajshe, nuk mund të të mbaj tani, që je bërë gjashtëmbëdhjetë vjeç. Sepse rëndesën tënde do të më duhet më pas ta mbaj edhe në ndërgjegje. -i thashë gjithnjë qetësisht.
-Të dua shumë, profesor Beni, vetëm zoti e di sa të dua unë ty... -foli tashmë fare shkoqur, duke iu dridhur zëri nga emocionet.
Kisha mbetur krejt i befasuar me vendosmërinë e saj për të shpalosur ndjenjat kaq hapur. Gjatë kohës që bënim prova, ajo paskishte rënë në dashuri dhe unë, duke qenë i pavëmendshëm, isha treguar krejt mospërfillës. E përmblodha veten në çast.
-E shikon si më quan? Unë jam profesor për ty, jo dashnor... -i thashë me durim.
Psherëtiu lehtë dhe më shigjetoi drejt në sy.
-Për mua je profesor dhe i dashur, si nuk mund të jetë askush tjetër...
Veçimi prej të tjerëve, më dha shkas të interesohem atë çast për intimitetet e saj:
-Ke shkuar me ndonjë djalë?
-Jo. -tha prerë. -Jam siç më ka bërë mamaja... Si atëherë kur më more në duar...
-E pse tani më thërret mua, dyfishin tënd, ta bëj atë gjynah?
Kapërdiu pështymën dhe pastroi fytin lehtë.
-Sepse po të mos jesh ti, i miri për mua, do të jetë një çunak llafazan i keq, që do t'u lavdërohet shokëve: "Shtiva Netën në dorë!" siç ka ndodhur me shoqet e mia. Unë edhe nuk dua të mbetem pas shoqeve për ato që më kërkon mosha, po edhe dua që dashurinë time të parë të ta dhuroj vetëm ty, që e meriton plotësisht shpirtin tim…
Më mahniti, më la pa mend logjika e saj lakuriqe.
-Tani të tërheq tek unë bukuria e artit muzikor me të cilin merrem, po më vonë do të më mallkosh...
-Kurrë ! Mua më tërheq shpirti dhe zemra jote...
Mendova vetëtimthi se nëna dhe babai i saj, gruaja dhe fëmijtë e mi flinin të qetë këtë mesnatë dialogu pëshpëritës në dhomën e këtij hoteli të largët. Flinin me besimin e palëkudur tek unë, dyzetvjeçari. Ndërkohë, kjo nimfë e bukur, më pak se gjysma e moshës sime, kjo adoleshente marramendëse, që të tundonte aq sa të mpinte trurin me feminitetin e zhveshur dhe logjikën e saj rinore, ngulmonte të kërkonte nga unë pabesinë… Mirëpo tashmë u kuptua qartë, se puna e sportelistit kishte qenë vetëm sajesa e saj. Dhe kjo më zemëroi shumë. U çova nga karrigia ku kisha qëndruar dhe i thashë me ton të prerë:
-Vajzë e mirë, largoi nga koka ato mendime absurde dhe bjer e fli këtu, se unë po dal të marr pak ajër te dritarja e korridorit derisa të gdhihet. Në të kundërt, nesër në mëngjes e lëmë radion dhe nisemi drejt Gramshit...
Ajo më hodhi atë çast një vështrim keqardhës të atillë, që tregonte fare qartë, se ishte vrarë mjaft rëndë shpirtërisht. Pastaj uli kryet dhe filloi të përlotej.
Unë dola jashtë dhe prita lindjen e diellit.
Të nesërmen krejt serioz me njëri-tjetrin shkuam në radio. Ajo këndoi dy këngë para komisionit përzgjedhës dhe fitoi të drejtën për të hyrë në konkurs. Gjatë kthimit me tren qëndruam në stolat përballë dhe unë i vërtita bisedat rreth konkursit përfundimtar që do të bëhej më njëzet tetor. Por në të vërtetë, bluaja në tru ndëshkimin për sjelljen e mbrëmshme të saj. Gjë që më bëri të mendoj se nuk mund të vazhdoja më tej të merresha me shoqërimin e kësaj vajze hoteleve dhe sallave të tjera. Isha mësues për të dhe krahas punës që kisha bërë, duhej edhe të përdorja metodat e mia strikte, për ta bërë të mendonte, se kësaj here ajo do të humbiste për fajin e saj.
I palëkundur në vendimin tim, pas pak ditësh e lajmërova Netën, se gjoja komisioni përzgjedhës e kishte shkurtuar listën e konkursit përfundimtar, për shkak të fituesve të shumtë. Pas kësaj, dikush nga shoqet e veta më tha, se ëndrra e saj e përmbysur papritmas, e kishte bërë të qante disa ditë me radhë. Nuk më erdhi keq aspak, sepse një reagim të tillë e kisha paramenduar, qëkur vendosa të mos e çoj në konkurimin përfundimtar…
Më pas ndodhën ndryshime të rëndësishme në jetën e vendit. Unë shkova të punoj në qytetin tim të lindjes dhe Neta mbaroi të mesmen. Më tej mora vesh, se një djalë mashtrues i kishte premtuar martese dhe e kishte shpënë të shfrytëzohej poshtërsisht te semaforët e Italisë. Ky lajm krejt i papritur për mua, më tronditi e më hidhëroi aq shumë, sa u pendova thellësisht për dënimin tepër të rëndë që i kisha dhënë asaj vajze këngëtare me ndjesi të spikatura. Mund të kishte çarë në jetë nëpërmjet rrugës së këngës, për të shpëtuar nga ajo gremisje mynxyrore që kishte pësuar. Dhe që nga ai çast, ndjeva me dhimbje, se pesha e gjashtëmbëdhjetë viteve të atëhershëm të saj, nga e cila u mundova të shpëtoj, do të vazhdonte të rëndonte mbi ndërgjegjen time për gjithë jetën..."
Birra " Norga" më ngeci në fyt. Vura re se edhe sytë e Benit ishin lëngëzuar. Ndoshta nga tronditja që më shkaktoi rrëfimi i tij, befas atë çast m’u krijua një përfytyrim i çuditshëm. Shkumbëzimet e bardha të dallgëve të fuqishme, që era e fortë i sillte nga përtej detit dhe i pëplaste pas shkëmbinjve, m’u dukën si fustane nusërie të shkyer nga Otrantoja. E cila, pasi merrte vajzat tona fatkeqe, kthente mbrapsht veshjet e dasmave të tyre të mohuara.
 
 
 
 
FALJA E KOTË

Ashtu si besimtari, që kur i vjen ora e shenjtë kërkon patjetër një kishë apo xhami për t’u falur, edhe Agroni, miku im letrar, më kishte bërë mua altarin e faljes së tij.
Ai erdhi një ditë, krejt papritmas, i ngarkuar me emocione të forta, si ajo reja që nxin e mezi pret të shkarkojë ngarkesën e vet të ujshme.
-Do të të tregoj një gafë që kam bërë e nuk ia fal dot vetes! - ia nisi ai me një dridhje të lehtë nervoze të muskujve të fytyrës së tij me pamje burrërore të hijshme.
- Gafa jemi, njerëz bëjmë! - bëra lojë fjalësh për t’i dhënë impuls rrëfimit të tij.
Por pa ia varur shakasë sime, ai vijoi gjithnjë i tensionuar nga shtysa e shqetësimit të brendshëm që e mundonte:
- Para ca ditësh, - pata një rast të shkëlqyer me njërën, që po ta shihje ti, do më thoje, si ka mundësi të erdhi në dorë ajo alamet femre!...
- Po, dhe e arrite qëllimin tënd prej hamshori të lidhur me kapistër në stallën e krijimit letrar?
- Atje dua të dal, po duro! - vërejti ai me një shprehje pakënaqësie te dukshme në fytyrë, që i ndërpreva rrjedhën e rrëfimit.- Që thua ti, vëlla i dashur, ajo më erdhi deri te shtrati i dhomës sime, për të marrë një libër që ia kisha përmendur si të rrallë. Kishim prej kohësh afeksione të dyanshme të një simpatie të dukshme. Por për vetë kushtet familjare në të cilat ndodheshim, asnjëri nga ne nuk pretendonte lidhje serioze, përveç dëshirës që ajo kishte të puthej me mua dhe unë me të gjithashtu. Ndaj dhe me atë rast, u puthëm e u puthëm, gati sa nuk i thithëm gjakun njëri-tjetrit. Vura re se asaj i digjnin faqet si prush dhe mua gjithë trupi më përvëlohej. Temperaturat tona shkuan në gradacione furre, që mund t’i shuante vetëm një lumë. Çast ky, kur qeniet njerëzore nuk mund të ndalen kurrsesi pa rënë në mëkatin e ngasjes epshore që u ka dhënë natyra në trup. Në kulmin e atij momentit të artë dhe aq të paduruar, tentova me ngut ta shtrija në shtrat e t’i hiqja të mbathurat. Por femrat paskan aftësinë që për një sedër çasti, mund të dalin pa u djegur edhe nga furra e përvëluar. Ajo krejt befas e në mënyrë instinktive, si e komanduar nga ndonjë fuqi e mbinatyrshme që mund të shuante edhe zjarrin që djeg me flakërimë një pyll të tërë, më ndali dorën:
-Mos! - tha prerazi një fjalë të vetme.
Fjalë kjo, që në atë çast të papritur më tingëlloi si ajo thirrja "Ndal!" e rojës me helmetë në një postbllok ushtarak. Këtë "mos !" të zakonshëm frenimi, e kisha dëgjuar edhe më parë në rini, nga ndonjë femër, e cila më pas, pa e zgjatur shumë, e kishte hequr vetë ambalazhin e "thesarit" të saj. Por në këtë rast të shumëpritur nga të dy, u ndjeva i habitur.
-Pse shpirt?- i thashë me një zë grykor të mekur nga padurimi.
- Jo, jo, deri te ajo punë nuk mund të shkojmë sot!
- Pse zemra ime?
- Se ashtu është puna!...
Kjo përgjigje enigmatike më bëri të mendoj se mos ajo ishte me ato lulëkuqet mujore. Dhe për të vërtetuar këtë dyshim, kalova me marifet dorën sipër fustanit, deri poshtë rrafshultës së saj fundore. Por aty nuk kishte asnjë send pritës për rrjedhjen e zakonshme femërore.
-Ja, - i thashë me afsh të nxehtë, - je fare në rregull, ndaj mos më pengo të bëj detyrën time, për të shijuar kënaqësinë e dyanshme që na mundëson ky rast i rrallë!
-Jo sot, jo!...
- Kur, moj xhan, mund të ishte më e domosdoshme se sot?...
-Do gjej unë një rast tjetër! Njohja jonë nuk mbaron me kaq! - tha ajo duke u tërhequr mbrapsht, në dukje vendosmërisht, por tashmë disi më e freskuar në temperaturën trupore.
Mendova të zakonshmen e kundërshtimit të femrave, të cilat rezervohen të dorëzohen qysh në rastin e parë të afrimit të kontaktit. Ose si inerci e instinktit vetëmbrojtës ndaj rrezikut mashkullor, ose për të kryer atë ritin idiot të tyre, se gjoja nuk janë të djegura për mashkull. Dhe unë e lashë. E fala. Ndonëse padurimi më mundonte shumë, pasi ndjeja dhimbje në organet e mia, nga eksitimi i zgjatur. Por ajo më kishte premtuar një rast tjetër, të cilin unë e besova dhe nuk mund të ngulmoja në mënyrë të njëanshme, si ai demi përçor, kur tërbohet nga era trazimtare e mëshqerrës.
-Pra, kjo ishte gafa? - nuk m’u durua mua ta pyes përsëri.
- Prit! - ma preu Agroni rreptas. - Ashtu siç më tha ajo, edhe unë prita rastin tjetër. Në mënyrë që gjithçka të kryhej me kënaqësinë e përbashkët. Kësisoj, pas dy javësh e takova në rrugë krejt vetëm dhe pas përshëndetjes së zakonshme, i thashë:
- Rast më të volitshëm se sot, për ta çuar deri në fund mrekullinë e lënë përgjysmë, nuk besoj se mund të gjejmë sërish!...
Por teksa prisja një përgjigje pozitive të mirëpritur prej saj, ajo më tha krejt papritur:
-Ti kënaqesh me pak !... - dhe më zgjati dorën, duke nxituar për aty ku ishte nisur.
Mbeta i stepur në mes të rrugës, si ndonjë hu gardhi i ngulur aty rastësisht. Mu rrotullua hapësira para syve, sikur të kisha pirë një kile raki dhe duke mallkuar veten për atë falje të kotë, shfryva me duf: - Ah, moj, ah, veç mos më rënç dhe një herë tjetër në dorë, pa ta tregoj fare mirë si kënaqem unë!...
Padashur e ndërpreva Agronin sërish, duke qeshur me zë, se m’u kujtua ai proverbi i miut të rënë në kazanin e rakisë, që i tha maçokut, më nxirr nga ky lëng përvëlues, pastaj më ha kur të duash dhe sa u shkund pakëz, ia mbathi në vrimën e vet.
-E që thua ti, miku im, - vijoi ai pa ndryshuar humorin nga gazi im, - zjarri i ndezur mes nesh, që donte një lumë të tërë për tu shuar, nuk u ndez më. Sepse duhej që lumi të sillte barrë të tëra me dru, të shkulura nga ndonjë vërshim më i fuqishëm. E, ja, këtë budallallëk bëra. Tani fol ti e më thuaj ç’mendon për gafën timen prej trapi?!...
U mendova pak pastaj i thashë sipas bindjes sime:
- Ti e di, unë nuk kam shumë përvojë me femra të tjera. Se jam kapur mat qysh në fillim me atë që mora. Dhe tani ajo më shtrëngon fort me ca fije zemre të pazgjidhshme, të cilat nuk më lënë të ushtrohem me të tjerat. Por di të them, se mbase duhej të kishe vazhduar ta bindje, derisa të kalohej caku i druajtjes së saj. Sepse ne meshkujt nganjëherë i drejtojmë kërkesat tona, me thjeshtësinë e lypjes së copës së bukës, duke kujtuar se ato e kanë po aq të lehtë dhënien e donacionin që presim. Me pak fjalë, nuk mund të bësh asgjë kundër dëshirës së femrës dhe aq më keq forcërisht, siç thua, nëse ajo të vjen sërish. Kur të refuzon femra energjikisht, asaj nuk mund t’i japësh të hajë as bakllava me mjaltë, pa e pranuar me dëshirën e saj...
- Pikërisht, atë bëra. Se edhe falltar të kisha qenë, nuk mund të kuptoja dëshirën e saj përderisa kundërshtonte. Po, ah, veç mos më ardhtë edhe një herë, se ia tregoj unë si velem vetëm me erën e saj!...- përsëriti ai i penduar keqas nga falja që i rëndonte në sedër.

Përgatiti: Haxhi Muhaxheri

1 Kommentar:

  1. Përshëndetje miq jam këtu për të dëshmuar për mrekullinë që sapo më ndodhi më 14 janar 2022. Burri im më la mua dhe vajzën time për një grua tjetër, isha aq i frustruar sa bëra gjithçka që ishte e mundur për ta bërë atë të kthehej por jo dobi, u dekurajova disa herë, por nuk u dorëzova, derisa takova Dr Ediomo dhe gjithçka ndryshoi. Me ndihmën e mësueses, burri im është kthyer me mua dhe ne jemi të lumtur dhe jetojmë së bashku si një. Dua të të falënderoj mësues Ediomo dhe do të vazhdoj të dëshmoj fuqinë tënde. Kontakto me të në E-mail: drediomo77@gmail.com. Whatsapp: (+2348155926512) (+2349132180420). Mos hezitoni të kontaktoni me të, ai do t'ju ndihmojë të gjeni një zgjidhje për problemin tuaj

    AntwortenLöschen