Dienstag, 9. Juli 2013

Rrahim Sadiku: Përflakja patriotike

Rrahim Sadiku

Përflakja patriotike
(tregim)

E takuan Bilallin dhe u gëzuan që po e shihnin pas rreth dy dekadash mërgimi një mik të dashur. Pas përshëndetjeve të ngrohta e të shpejta, ai nisi të fliste se ishte dikur, është sot e do të qëndrojë edhe në të ardhmen stoik, si rrallë kush mbi këtë dhe. Shtoi me të shpejtë se të gjithë e dinë se ishte, po duhet ta dinë se është edhe sot patriot e se pos patriotizmit, në jashtësi dhe në brendi të tij nuk ka tjetër gjë. Shtoi se patriotizmin e thellon, e pasuron dhe e ruan ai me xhelozi. Prandaj nuk ka kund edhe një tjetër si ai, ngado që të kërkosh.
Të dy mbetën si të gozhduar. Kishin ardhur ta takonin mikun e vjetër e ai sikur po tallej me ta. Po tallej apo si e kishte hallin! Filluan të shikonin njëri tjetrin të habitur. Po u shkonte mendja se ai kishte pësuar krizë nervash dhe nuk mund t’i koncentronte mendimet. Bilalli sikur nuk i shihte, sikur nuk e dinte se ata ishin aty. Fliste e fliste për patriotizëm. Për do kontribute që kishte dhënë gjatë kohës së okupimit klasik (ata kurrë nuk e kishin kuptuar se cili duhej të ishte okupimi modern), se ishte dalluar me grumbullim e dhënie parash gjatë luftës... U ulën e po e shikonin. Ai nuk ndalej. Bimit i ra ndërmend atëherë, se atje jashtë, në rrethet shumë të ngushta patriotike të mërgatës, Bilallin e kishin cilësuar dhe trajtuar si tradhëtar. Këtu ishte e gjitha. Tash ai, duke i ditur ata si njerëz me ndikim në krahun e atyre të luftës, donte të tregonte menjëherë se ishte krejt tjetër. Pasi e zgjidhi enigmën. Bimi ua bëri me shenjë të tjerëve që të mos bënin zë e të dëgjonin. Bilalli, si i kurdisur, vazhdoi të flsite:
“Unë dhe të këtillët si unë ishim, jemi e do të mbetemi patriotë. E gëzojmë dhe përgëzojmë aftësinë tonë patriotike. Mu për këtë më shtohet e më shtohet dashuria për këtë tokë të vuajtur. Të shumëvuajtur. O, sa jam i lumtur tash kur e them me gjithë zemër, me sa më zë fyti, si i zgjuar nga ëndrra: pasha sytë jam në Kosovë! E kur ia thash së pari vetes këto fjalë, o miq, (pra ai e dinte se ishin aty) isha duke zbritur nga aeroplani, me të cilin lirisht u ktheva nga mërgimi i gjatë...”
Një pikë loti a djerse i shkoi faqes dhe ai e fshiu me shpejtësi. Bëri përpjekje të dukej ai i zakonshmi, të fliste për gjërat që duhej të fliteshin në këso rastesh, po nuk u frenua dot.
“Po kthehem në atdhe, po kthehem– brohorita. Dhe kam shumë besim se këtu jam njeri i nevojshëm, tepër i domosdoshëm, e binda veten... Më falni që nuk po ndalem (u kujtua për ata përsëri) po e kam nga malli... Ndoshta nuk u duket se fola shumë, se po e teproj. Por jo. Ta dini se e them me bindje që pa mua nuk mund të ketë zhvillim e përparim në këtë tokë të bekuar. Besomëni... Gjithë rrugën e bëra duke e bindur e stërbindur veten për këtë. Dhe u binda aq shumë, sa gati edhe qava. E mu kur lotët po nisnin rrugën e tyre për tu bërë publik, se si më shkoi një e dredhur shtatit, një si e ftohtë e pa kontrolluar. A do të më kuptojnë – pyeta veten. A do të ketë njeri tjetër, me këtë aftësi si i kam unë, për të më ndihmuar në punë? Për këtë kisha shumë mëdyshje dhe për pak u zhgënjeva. Por, do ti e aeroplani ateroi. Ndoshta edhe do të isha kthyer... Kur aeroplani preku tokën, e dija atëherë se ishte vonë për mendime të tjera. Edhe nuk doja të mendoja tjetër, se tashmë e kisha hedhur disa hapin e parë në tokën e lirë të atdheut. Ndërdija ime, e mësuar gjatë jetës në mërgim, sa zgjatën vitet e okupimit me frikë e me andralla, u zgjua pavetëdijshëm. Ajo kishte mbetur gjithnjë e vëmendshme dhe sikur më tha të kisha mendjen. U drodha dhe u shndërrova i tëri në sy e vesh. Po asnjë polic nuk më bërtiti, asnjë civil nuk mu vu prapa të më zhbironte dhe eca deri te taksi pa më ndodhur gjë. Madje tejet krenar...
“Eh, liri , e dashura liri- thashë me vete dhe ia mora këngës. U ndjeva më trim se kurrë. Edhe taksisti kishte qëlluar një trim i rrallë e një atdhetar i kulluar dhe u kënaqëm. Kemi kënduar derisa arrita këtu, në qytetin tim të dashur, ku qava, pushova e vrapova derisa u lodha. E të erdhën mandej patriotët për të më vizituar. U mahnita. Nuk e paskam ditur se ku kam lindur e ku kam pasur nderin të jetoja kur isha fëmijë. Këtu secili po më del më trim, më sakrifikues e më atdhetar se tjetri. Pa, pa, pa, sa shumë trimëri paska pasur në këtë qytetin tim e nuk e paskam ditur! Romane, novela, poema... shkrime pa fund mund të dalin nga veprimtaria e bujshme e secilit...”
Fliste e fliste Bilalli e ata u larguan pa ia prerë fjalën, pa u përshëndetur, sepse filloi t’u ushtonte koka... Ikën, por nuk kishin shpëtuar... E takuan rreth dy muaj më vonë e ai u sul t’i përqafonte, t’i uronte e t’i ftonte për të pirë së paku një kafe së bashku. Nuk ia prishën. Ende nuk ishin ulur mirë, kur Bilalli e vazhdoi rrëfimin e tij, mu aty ku e kishte lënë atë ditë:
“Kaluan shumë ditë e unë kam jetuar si në ethe. Sidomos natën. Kudo hare, gëzime e heroizma që nuk i zë as kënga. Kreshnikëri ore, kreshnikëri. Kudo po i takoja të gjallë e plot elan Mujin e Halilin. Vërtetë shpatë e topuzë nuk kishin, po me pushkë, mitraloza e bomba ishin të ngarkuar sa mezi ecnin. Edhe me para ishin të ngarkuar, po. As nuk e dija se ku i merrnin as kur i jepnin. Kafe më kafe kam shkuar me grupe të ndryshme shokësh të këtillë. E të kemi porositur mish sa gati na pëlcisnin zorrët. E të kemi dëgjuar këngë të zhurmshme, aq sa gati na pëlciste timpani i veshit. Dhe mu atëherë rakia shkonte, përvëlonte të bënte zog të lirë, gati për fluturim... Oh, sa bukur e ndjenim veten, kur i shihnim këngëtaret, me fustanin më pak se një pëllëmbë, me shpatulla, bel e faqe të denja për Hollivud, me zë nga i cili u dridhej nga emocioni, nga fjalët e mëdha të këngëve ku trimëria rridhte e rridhte, për të treguar se çka është patriotizëm i kulluar. Pikërisht ky patriotizëm (e jo lakuriqësia e trupit, si mund t’ju shkojë në mendje) bënin që paranë për ato e jepnim me grushte. Më besoni se këtë e bënim për t’i elektrizuar ato, për t’i cytur edhe më shumë atdhetarisht. Po edhe ato hidheshin mbi ne e pa dhuronin lumë puthjesh... Lumë ore, lumë. Ani kur ndokush në ekstazë e sipër, nxirrte atë të bekuar revole, e ta zbrazte tërë karikatorin aty, mu para këmbëve të orkestrës. Pa, pa, pa, pështjellimi që bëhej. Kurse madhështia jonë, ndjenja jonë patriotike, e etja për ta bërë vendlindjen nuse rritej e rritej. Të fillonim mandej me dolli për të parë vendin të përparuar, të kulturuar e më të bukurin mbi këtë dhe. Kur ishim te këto urime, na dukej sikur e arrinim ta preknim edhe qiellin me dorë. Atëherë bëhej çka bëhej e tej, diku nga fundi një oborri, jehonte edhe ndonjë shpërthim bombe. Ngriheshim atëherë në valle dhe nuk ndaleshim derisa nuk laheshim në djersë e derisa nuk na ngulfaste lodhja...
Liri o liri! - them ende. Të puthsha në ballë. Po nuk paska pasur më të mirë, më të nevojshme e më të ëmbël se ti... Po, liri, po. Të puthë ashtu si më puthe ti mua kur erdha e kur të gjeta kaq të denjë e aq madhështore kudo mbi atdhe... Po mos kujtoni se kjo është e gjitha. Jo ore jo,.. As ditën nuk e kalonim keq, më besoni. Ka dashur zoti e na janë hapur plotë e përplot kafene, plot lokale për lojëra, për argëtime intime... Secila më e pajisur dhe më e bukur se tjetra. Janë të atilla sa, kur hyn brenda nuk të jepet të dalësh më përjashta. E të mblidheshim atëherë ne të patriotizmës, ne të orës së parë të patriotizmës, si po guxojmë të quhemi tani, e të përqafoheshim sikur nuk ishim parë me vite. Eh, kemi vuajtur ne atë kohë kur as guxonim të qanim hallet e le të festonim. Për të treguar se ishim liruar, fillonim e të qanim hallet e kësaj toke të vuajtur e të dashur sa s’ka më. Kur lodheshim duke biseduar për të kaluarën, i ktheheshim së ardhmes. Flisnim me kompetencë për rrugët që duhej ndjekur për të qenë shembull për të gjithë. Gjenim edhe mënyrën shumë adekuate se si duhet bërë bashkimi i gjithë tokave etnike. Mandej hartonim strategjinë se si duhej fituar pavarësia e plotë e atdheut. Kur kishim pakëz kohë të lirë, shkonim e pushonin një trohë, për të marrë veten, se ju, nuk e dini sa të lodhshme janë këto punët e atdheut! Dhe mos kujtoni se kur vendosnim për atdheun pajtoheshim në të gjitha pikëpamjet. Jo ore, Po të na dëgjoje nganjëherë, mund të mendoje se po ziheshim e se po bëheshim gati të thernim njëri tjetrin. Derisa secilën mbrëmje njerëzit na shihnin duke ngrënë e duke pirë.”
“Hanim, e pinim, e këndonim e vallëzonim të gjithë njëzëri... Na shihnin pothuaj duke u kacafytur dhe habiteshin. Nuk e merrnin dot me mend se për këtë të shkretë tokë martire ne po e shkrinim veten, se kishim mendime shumë të ndryshme dhe shumë të zhurmshme. Fundja çfarë debati mund të jetë ai ku nuk ka përplasje mendimesh. E ne kishim kontradiktë mendimesh, sepse e dinim që vetëm kontradiktat të përparojnë... Kur mendonin se e kishim bërë mjaft, ia jepnim dorën njëri-tjerit e kërkonim falje, se nuk pëlciste hataja ore... Madje, që ta merrni vesh edhe ju, neve as mendja s’na shkonte të bënim ndonjë hata. Secili kërkonte të përfillej mendimi i tij, vetëm mendimi i tij, e për të tjerët as donte të dëgjonte. E pse të dëgjoje se çka thoshte tjetri, në fund të fundit? Cili është ai afër meje që rrah gjoksin? Një që ka shkuar katër vite në studime, e një provim nuk e ka dhënë. Po kjo nuk do të thotë se ai nuk është patriot. Të fikë fare kur vjen puna për t’u matur nga aspekti i atdhedashurisë. Jo vëlla, ai qëkur ishte tetë vjeç bëri një vepër të madhe atdhetare, e cila nuk u shënua nga historianët tanë dembelë dhe u harrua, sa as vetë ai nuk e di se çka bëri atëherë... Mu pse është veteran i orëve të para, ai kur flet kërkon ta dëgjosh domosdo e të mos e kundërshtosh as edhe në një fjalë. E di ai se mendimi i tij nuk mund të jetë pa peshë, prandaj i ka hak edhe kërkesat,.. Dhe ne e dëgjojmë e nuk ia prishim kurrë. Zoti mos e pastë thënë. Kurse do të tjerë nuk ke përse e dëgjon. Kush na qenkan ata, mund të pyesni ju. Ata ore, që jo një po disa orë nuk ndalen, po flasin e flasin për vete, vetëm për vete. Madje kur e bëjnë këtë edhe na shesin mend. Në mesin e tyre është edhe Ai (kështu e quan veten) që kujton se është i vetmi që di të tregojë se cila rrugë duhet zgjedhur për të ardhmen, se ky apo ai veprim na hap horizonte për jetë më të mirë! Oh, Ai është një profesor, një mendjemadh që kurrë në jetën e vet nuk i ka mbajtur orët e mësimit me rregull, që ka luajtur nëpër çajtore shah e domino nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kurse ai tjetri! Po ai është burrë i mirë. Një bujk që kurrë nuk e ka ngrysur ditën duke punuar në arë. Me atë që më ulet sikur me qëllim gjithmonë përballë, nuk ia vlen të merremi. Është një zejtar, që tërë jetën është marrë me thashetheme e me asgjë tjetër. Po edhe ky, për punë patriotizmi, është i rrallë. Mos fitoni bindje të keqe për njeriun. E ky që flet me të madhe është njeri i rrezikshëm. Sidomos për çështje të atdheut ai nuk të falë. Edhe pse nuk është asgjë më shumë se një copë shofer, edhe pse nuk e di as vetë se për kë ka punuar deri sot, për diskutime atdhetare nuk e ka shokun. Të mahnitë fare. Ky tjetri...Ky popull e di se jo vetëm që duam të tregohemi trima të mëdhenj, por ne edhe se jemi trima, prandaj nuk po ua shpalos bëmat e të gjithëve se humbim shumë kohë. Atdheu tash ka nevojë për veprime e jo për fjalët tona...”
Si duket edhe rrëfimi i Bilallit e gjeti fundin.
“Eu, ende nuk paska ateruar edhe me mend në Kosovë ky” – u habit Bimi dhe u bëri shenjë shokëve të largoheshin se po u pëlciste koka. Do zoti e u takuan me Bilallin të nesërmen, kur ai sapo e kishte shtruar me raki e me meze me disa tregtarë të njohur, që po fitonin miliona ato ditë. Ishin mbushur me veten ata e as nuk shikonin tutje. Nuk donin t’ia dinin se ende llogarinë e bënin me gishta, kurse shkrim leximin ende nuk e kishin filluar. Bilalli i pa nga larg shokët e vjetër dhe u ngrit me hov e u doli përpara. I mori përqafe dhe i uli pothuaj me dhunë mu në ballë të tavolinës, Mendonte se ashtu i nderonte edhe më shumë. I njoftoi me miqtë e tij tregtarë dhe u mburr se e kishte për nder që ishte nxënës disave prej tyre. Ata e kuptuan se i lavdëroi për ta ngritur edhe më shumë veten. Po si patriotë ata te Bilalli nuk ishin edhe aq të çmuar. Së paku këtë e thoshte qëndrimi i tij. Fundja, le të mendonin ata ç´të donin, Bilalli nuk kishte kohë për të humbur dhe menjëherë u dha shenjë të cakërronin gotat, të fusnin diç në gojë dhe duke kujtuar se po e prisnim me padurim vazhdimin e rrëfimit të tij patriotik, ia filloi:
“Disa po kujtojnë se ne kemi gjetur mundësi e po kënaqemi pa e vrarë mendjen për asgjë, pasi paskemi kohë e para. Nuk po duan ta kuptojnë se ne, si trima që jemi, duam t’ua ngulisim në mendje të gjithëve se kush ishte, kush është dhe kush do të jetë populli ynë dhe shteti ynë. Po u themi me fakte se ne ishim ata që kemi dhënë çdo gjë për këtë popull e për këtë vend, ne. Kjo na shtynë dhe na jep të drejtë që tani t’i kërkojmë edhe të drejtat tona, edhe që të na ndahen merita publike. Kur kërkojmë këto, mos mendoni se i duam për vete edhe për përfitimet që sjellin ato. Pikërisht për të mos ndodhur këso keqkuptimesh, secili nga ne e thotë troç se nderet për ne, benificionet për ne janë realisht benificione për kombin, për kujtesën e tij dhe ato vlejnë si mësim për gjeneratat e ardhme,.. Na dëgjojnë duke folur shumë e me të madhe dhe kujtojnë se jemi nga ata mburravecët e asgjësë. Ne të gjitha i bëjmë vetëm për t’u dhënë mësim të tjerëve, për t’u treguar se si secili duhet ta thotë pa drojë mendimin e tij, se nuk është turp edhe kur flet për vete, se mburrja deri dikur është edhe vlerë për patriotët e kulluar, se nuk duhet stepur për të shfaqur mendime të goditura edhe politikën vendore e botërore... Jemi duke u flijuar vëllezër, jemi duke u flijuar, por jo kot. Po flijohemi duke e ditur se po i sjellim të mira të mëdha vendit tonë. Prandaj nuk na dhimbset as koha e as vetja. Mu pse orët më të shtrenjta të jetës sonë i kalojmë me halle të atdheut, nuk jepemi. Nga angazhimet e shumta që kemi, mezi gjejmë kohë për të qenë pak edhe me familjen tonë. Kur mbrëmjeve, me mundime të mëdha, dalim e turremi kafeneve, nuk e bëjmë për të kënaqur veten, po duke e ditur se me praninë tonë aty u japim shembull të gjithë atyre që janë aty. Edhe na nderojnë sa nuk mund të besoni. Ende pa u ulur, na vijnë pijet e para nga kush e di kush, po pas pak vijnë edhe meze të zgjedhura. Për ne porositen edhe këngët patriotike. Pothuaj tërë natën këndohet për ne. Atëherë krenaria na shtohet më shumë. Të shkojmë pastaj tavolinë më tavolinë e të përqafohemi, e të urohemi, e të betohemi se këtë vend do ta bëjmë lule e dritë. Me po të njëjtat fjalë na e kthejnë edhe të tjerët, sepse tashmë dimë pothuaj çdo gjë secili për secilin...”
“Po qenkeni dritë e lule me të vërtetë“ – nuk u kuptua në e kishte me shaka apo me të vërtetë Goni, që me ta ishte për herë të parë. Bilalli, që ishte nxehur pak nga pija, kujtoi se duhej të fliste edhe ndryshe, kështu që ia nisi:
“Kjo që fola deri tash nuk është e gjitha ajo që mund të thuhet për shumë prej atyre që hanë e pinë nëpër ato tavolina. Ajo është vetëm e dukshmja tyre. Se nuk kemi edhe informata të shumta për secilin dhe e dimë se çka kanë bërë në të kaluarën e çka do të bënin edhe sot, po të kishin mundësi. Ne flasim e përqafohemi edhe me ata, po e dimë se në brendi, në mendje e në zemër janë të prishur... Ashtu si e dimë se disa si unë jemi si hyjni, si shenjtëri kombëtare. Duke qenë të këtillë ne e ata të atillë, kalojmë edhe më mirë e japim shembuj edhe më të mirë. Tregojmë se atdhetarët duhet të jenë edhe diplomatë, duke menduar diçka tjetër e duke folur diçka krejt tjetër, duke e përqafuar me afsh edhe atë që të neveritë, duke i thënë qengj edhe atij që e di se është ujk. Ne kështu e ushtrojmë dhe e ngulisim tek të tjerët tolerancën e mirëkuptimin. Afrojmë e i bëjmë miq edhe ata që duhej t’i trajtonim si armiq. Me këtë e lëmë rrugën hapur për t’u takuar përsëri në mbrëmje, po edhe të nesërmen, po edhe vazhdimisht.... E mirë kjo raki për besë, e mirë. Mezet qenkan ftohur, po nuk do t’i lëmë të na shkojnë dëm. Gëzuar! ”
Bimi dhe të tjerët nuk po gjenin forcë të duronin më. Derisa Bilalli po bëhej gati për të vazhduar rrëfimin, ata u ngritën të iknin. Edhe do të kishin ikur pa hezituar, por nuk po i mbanin këmbët, nga rakia që kishin pirë. Ishin si të shokuar edhe nga fjalët që kishin dëgjuar... Ata po merreshin me largimin, kur i panë shumë afër pjatat plot mish që avullonte, pijet që sikur ua bënin me sy. Ata i kishin në duar gotat e andej po mundoheshin si e si të dilnin sa më shpejt jashtë asaj kafeneje kundërmuese. I ngritën gotat e po dëshironin të ishin sa më larg atyre njerëzve që as vetë nuk e dinin se si ishin kandisur. Por, u ishte bërë vonë, pasi Bilalli tashmë e kishte gjetur fillin e bisedës dhe e kishte lidhur mirë ligjërimin e tij:
“Nuk jam tashmë vetëm unë që përsëris shpesh: Po pasha sytë jam në Kosovë, do të jetoj në Kosovë dhe do të shkrihem për vendlindje, jo! Me burra si unë është mbushur i gjithë vendi. Se shkoj edhe në qytete të tjera, në vendpushime, në piknikë. Kudo mirë e më mirë. Më besoni burra se aspak nuk pendohem që e lash punën në botën e jashtme, që këtu nuk po punoj asgjë për të fituar e po i shpenzoj ato para që i kam fituar me pikën e mundit për vite të tëra. Aspak nuk pendohem për këtë. Po kush më njihte mua atje? Po kush më pyeste si kam kaluar? Po kush më porosiste një pije a një meze si të njohur që më kishte? Askush ore, sikur isha një hiq fare. E këtu nuk më ndahen nderet. Nuk më ndahen fjalët e mira, njohjet me njerëz të shquar, shumë të shquar... Nuk ka dy ditë e jam njohur me Trullacin. Me Trullacin, ej. Kam kujtuar se është mendjemadh e vuan nga pozita që ka, po nuk kishte qenë e vërtetë. Ai ishte burrë e shkuar burrit. Kemi pirë e kemi ngrënë sa mezi na e mbante barku. Dikur dëgjova se e kishte bërë një shtëpi të re në qendër dhe si pa dashje ia lëshova një grusht para në xhep. Ai nuk tha gjë po më shikoi me dashamirësi... Po sa burra të mirë ishin Simi, Shtërpani, Mjerani etj. Dushi... Me të gjithë tash e mbas do të jem mik e shkuar mikut. Nuk e kemi të vështirë ne patriotët të lidhemi mes vete e të gëzojmë këtë që kemi arritur... Nuk e kemi të vështirë t’u bëjmë ballë sfidave të jetës tani...”
“Mirë e ke, po si mendon të vazhdosh të kënaqesh kështu pasi të të jenë mbaruar paratë, se ato të mira janë, po firojnë shpejt, sidomos po fillove t’ua lëshosh në xhepa atyre që i kanë më të gjerë se të ishin thasë...- e pyeti Bimi, që mezi i shqiptonte fjalët nga pija.
Bilalli nuk donte pyetje të atilla, nuk donte të dilte nga tema e patriotizmës dhe ia nisi ashtu turbull e turbull temës së tij:
“Po ku ka më mirë në botë se këtu, ore?...Mos po përsëris gjë?! Epo edhe përsëritjet janë të mira, sidomos kur thuhen nga të përkushtuarit për atdhe e ardhmëri... Po kush më ka përshëndetur e përfillur mua atje në vend të huaj? Kush ka pasur kohë të merret me mendimet e mia, me brengat e mia patriotike? Askush. E këtu, po, jam dikushi. Patriot midis patriotësh, këshilltar midis këshilltarëve, i mençur midis mençurakëve. Dhe jo një askushi, ndonjë kushdokushi, pa emër. Rrethi im, i miqve të mi (mikeshat nuk po i përmend tani, se ato janë tjetër gjë e nuk ka kuptim të na ngatërrohen nëpër këmbë kur po flasim për gjëra kaq jetike) e ka kuptuar se jam e sotmja dhe e ardhmja e ndritur e këtij vendi. Edhe jam, e keni kuptuar apo jo. Edhe ti Bim. Edhe ti. Burgun e ke mbajtur, drurin e ke ngrënë, të zeza të panumërta ke përjetuar, po patriot si unë nuk je bërë dot. Duhet të ngrihesh e të ma pranosh, nuk është punë zilie kjo... Unë jam ura lidhëse për bashkëjetesën e ardhme të këtij vendi me botën e qytetëruar... Edhe Dushi e Trullaci u pajtuan me idetë e mia. Ata do të financojnë projektet e mia... Ja ku do të jenë paratë, ja...”
“Kjo nuk durohet më“ – u irritua Goni. Edhe pse foli me zë të lartë, Bilalli e injoroi dhe vazhdoi me të tijën:
“Besoj se tashmë të gjithë e kanë kuptuar se e mira e këtij vendi lidhet pikërisht me emrin tim e me idetë e mia. E mua idetë nuk më mungojnë. Dal kafeneve për të shitur e jo për të blerë ide. Miqtë e mi të rinj më kuptuan dhe më pranuan. Dal kafeneve që të gjejë edhe miq të tjerë të më pranojnë kështu si jam, me madhështinë që kam. Por, po e shoh se kanë filluar të ma kenë zili e kjo po më brengos.”
“Nuk besoj që askushi mund të jetë dikushi” – pa iu drejtuar askujt foli Goni.
“Djalo...” – e korrigjoi Bilalli. Njëri u mundua të fliste, por nuk mundi se ishte bërë tapë. Bilalli e gjeti rastin e ia nisi:
“Tregova më parë se ne, patriotët e mirëfilltë, jemi duke e kultivuar sistemin e vlerave, që është thelbi i zhvillimit demokratik të një vendi. Ne e njohim mendimin e lirë dhe çdo pasuri intelektuale e ligjore që ka sjellë bota me liri të vërtetë... Tregova dhe nuk po e përsëris më. Vazhdoj rrugën time me dashurinë time për të gjithë... Vetëm zgjate Zot kështu....”
“Po ti kush je ore – e pyeti Goni Bilallin. Si nuk ta paskam dëgjuar zërin kurrë?”
“Je i ri ti, djalo!”
“Si nuk më paska folur kush për trimëritë tua, për përkushtimin tënd. Si nuk paskam lexuar as në gazeta e as në libra? Gjithë kjo veprimtari atdhetare, gjithë kjo njohur, gjithë ky përkushtim nuk kanë mundur të kalojnë pa u vërejtur... Pra, kush je ti.”
“Unë jam më i madhi ndër të mëdhenj” – u përgjigj pa ndrojtje Bilalli.
“Mos ndoshta nuk të kanë përmendur askund, sepse janë frikësuar nga madhështia jote e vogël, minore?!”
“Unë jam më i madhi ndër të mëdhenj” – përsëriti Bilalli.
“Ti je një askushi, ja kush je ti – edhe Goni ia ktheu pa ndrojtje. Ti je një mashtrues. I vetes në radhë të parë, po edhe i të gjithë atyre që rrinë me ty e të dëgjojnë...:
“Nuk jam patrioti i parë që fyhem kështu” – Bilalli ishte i qetë.
“Patrioti i shurrës, me nder të tjerëve. Ti luan me atdheun dhe kujton se nuk e kuptojnë këtë të tjerët... Ti je një gdhë, trung i pagdhendur, lis i shtrembër (nyjak)... Gjatë jetës sate nuk e ke lexuar as edhe një libër, nuk ke bërë kurrë as edhe një punë me vlerë... Je strukur si hut dhe ke pritur kur do të të vijë diçka në sqep. Dhe po kujton se tashti, kur gjaku u derdh e vendi u lirua, mund të mbushesh si të duash... Ti nuk di asgjë. Të gjitha ato që flet për atdheun, patriotizmin, demokracinë... i ke dëgjuar nga të tjerët...:
“Unë... unë...” – Bilalli nuk po e gjente dot atë që duhej të thoshte.
“Ti nuk e meriton të jesh këtu, me njerëz që mendojnë seriozisht, duan seriozisht e edhe flasin seriozisht... Për ty të gjitha janë manipulim, lojë dhe përfitim...”
“Lëre Gon.”
“Po e lë... As nuk do të kisha folur me të e as për të, sikur të mos ishte mbushur vendi me tipa të këtillë, që janë djaj e shiten engjëj, që nuk dinë gjë e flasin për të gjitha dituritë e botës, që nuk kanë skrupull për asgjë e shtihen si tolerantë të pakufi...”
“Prandaj lëre. E sheh ky veten e rri ku e ka vendin... Mos sot, nesër. Ose, nëse vazhdon e nuk ndalet, e ndal dikush...”
Bilalli kishte kujtuar se i kishte kaluar të gjitha sprovat. Me kalimin e ditëve, e kishte bindur veten se e kishte dhënë provimin e patriotit. Mendonte se edhe si i mençur e demokrat ishte pranuar nga të gjithë. E kishte bindur veten plotësisht se më nuk do ta pyeste kush me dyshim për të kaluarën, për të bëmat, për punët patriotike... Kohë më parë ai me mendime e me të gjitha ishte në vrullin më të madh të lavdërimeve për vete dhe nuk preokupohej me asgjë tjetër. Hasja në Gonin e nxori nga ajo gjendje dhe doli krejt i zbuluar. Deshi të dukej se nuk ishte prekur, po ajo që ndjeu iu vizatua qartë në fytyrë dhe secili mundi ta kuptonte se sa shumë ishte hutuar. U skuq, u zverdh, i hipi inati e nuk po dinte çka të bënte. Për fat të tij, aty po kalonte Trullaci me Simin e me Dushin. Ata u kënaqën kur e panë ia bënë me dorë të shkonte e t’u bashkohej... Ai vrapoi nga ata, sepse mezi e kishte pritur një rrugë që ta nxirrte nga ngushtica në të cilën e kishin futur.
Bimi e shokët e tij më në fund dolën nga kafeneja...

1 Kommentar:

  1. Përshëndetje miq jam këtu për të dëshmuar për mrekullinë që sapo më ndodhi më 14 janar 2022. Burri im më la mua dhe vajzën time për një grua tjetër, isha aq i frustruar sa bëra gjithçka që ishte e mundur për ta bërë atë të kthehej por jo dobi, u dekurajova disa herë, por nuk u dorëzova, derisa takova Dr Ediomo dhe gjithçka ndryshoi. Me ndihmën e mësueses, burri im është kthyer me mua dhe ne jemi të lumtur dhe jetojmë së bashku si një. Dua të të falënderoj mësues Ediomo dhe do të vazhdoj të dëshmoj fuqinë tënde. Kontakto me të në E-mail: drediomo77@gmail.com. Whatsapp: (+2348155926512) (+2349132180420). Mos hezitoni të kontaktoni me të, ai do t'ju ndihmojë të gjeni një zgjidhje për problemin tuaj

    AntwortenLöschen