Freitag, 28. September 2012

Mihallaq Qilleri: SPITALI PSIKIATRIK



  SPITALI PSIKIATRIK

( Fragment nga romani në proces "DASHURI E THINJUR")


....................................................................................................................................................................

Rëndonte mbi tokë, por edhe mbi qëniet njerzore një qiell asfiksues. Rruga, ashtu gjithë pluhur siç ishte, ngjante si lëkura e një gjapëri të trashë që dikur ishte zvarritur mes këtyre ndërtesave të ulta të periferisë, kishte lënë aty veshjen e vet të gjithgrisur dhe pastaj ishte zhdukur diku. Ndoshta vijonte ta vështronte këtë mjerim të paanë diku nga qielli, nga ajo mjegull e pistë që endej si përlhurë e palarë prej vitesh, apo prej ferishtesh te thara e të ndyra dhe gajasej me këto fytyra të myrëtuara që ecnin atje poshtë si të dehur.
Qyteti, megjithatë, kishte qendrën e vet disa qindra metra larg së këtejmi, e cila dikur pati një shkëlqim të çuditshëm, madje një ngazëllim të ri përfshirë edhe historinë së tij mijëra vjeçare. Ashtu, i shtrënguar mes lumit dhe një kalaje bizantine, ky grumbull ndërtesash, rrugësh, fatesh, vdekjesh e lindjesh, varfërie e pasurie, megjithatë nga kjo pikë e periferisë, ngjante sikur nuk ekzistonte. Këtej nga i duhej të ecte Diana Gosnishtit, shtriheshin ca fusha të mbjella me misër, shtëpi të shtrembëra njëkateshe si prej kartoni dikur të lagur e të tharrë më pas, gjerdhe të rrëzuara aty aty, ose përpjekje pronarësh të çuditshëm për të rivendosur kufij atje ku ato nuk kishin ekzistuar kurrë. Dhe vërtetë, nga malet kishin zbritur qindra familje të etura për mirëqënie qyteti, pa e besuar ende kishin rënë në kurthin e pasigurisë dhe papunësisë.
Diana Gosninisti ishte një grua rreth të gjashtëdhjetave, por që në të vërtetë ngjante disi më e re. E veshur me një pallto të lehtë e të shkurtër, aq sa i dallohej edhe rrethi i fundit të saj të zi, i gjatë thuajse ne kercinjtë e këmbëve, kësaj gruaje, në të vërtetë i mungonte një kapele gri për të t’i shtuar përfytyrimit se këtej, në këtë humbëtirë, po ecte si një qënie e buisur nga romanet e Dikensit, e cila, megjithatë, ndihej sikur shkelte në tokat e veta të dikurshme. Sytë e saj kishin një pikëllim të çuditshëm dhe nuk kuptohej nëse këtyre anëve ajo kërkonte diçka të zakonshme, apo thjesht ishte arratisur nga luksi i banesës së saj për një aventurë të fshehtë. Kishte duar të vogëla, të bardha, këmbë të plota, një trup përmbi mesataren, flokë të shkurtër të cilat, nga që nuk i kishin rezistuar erës që fynte ishin shpupuritur aq shumë sa tani i përplaseshim mbi ballin e lartë e syve të trishtuar. Shikonte si e hutuar këtë peisazh të verdhë, ndonjëherë pengohej në gropat e rrugës dhe, megjithë, mendimin se këtej duhej të gjente patjetër ndërtesën e një spitali psikiatrik, nuk mund të mos i tërhiqnin vëmendjen banesat e rrethuara me lloj-lloj hekurash e llamarinash të ndryshkura. Jeta brënda tyre, mendonte gruaja, duhej të ishte disi me e ndryshme nga kullat gjysmë të shembura në male, ndonëse shtëpitë shiheshin të pambaruara. Diku, sapo ishte ngritur një dhomë sa për të futur kokën, gjetkë po shtohej një kuzhinë, ca më tej qenë mbjellë pemë. Ngastra toke të punuara përgjysëm edhe ato, i sillnin ndërmend përkohëshmërinë e të ardhurve në këtë periferi qyteti. Vetëm ideja se spitali psikiatrik ishte ndërtuar dikur këtu për të pasur mundësinë e shmangjes të të sëmurëve prej skandaleve me njerëzit normalë, ose mundësitë e ndonjë arratisjeve të papritur të mund të shiheshin deri në kufi të maleve, nuk e përligjte tani të gjendej në mes të kësaj katrahure urbanistike. Por ama, ashtu siç shkatërrohet mendja njerëzore, ashtu edhe mjedisi mund të sakatohej përbindshëm. Ky mendim që i erdhi në kokë aty për aty, si solli gruas një buzëqeshje të çuditshme dhe besoi se gjithçka gjendej në të dy anët e kësaj rruge të pluhurosur, lidhej me një institucion të çuditshëm që rëndom quhej tranzicion.
Pasiguria e veprimit që po kryente, ashtu me hamendje, e padetyruar prej askujt, duke udhëtuar disa qindra kilometra larg, ndoshta ishte shkaku i ankthit që ndjente. Kishte harruar sesi ishte veshur, përse ishte stolisur kështu banalisht, krejt pa shije, me atë fund të zi që i varej afër fundit të këmbëve dhe kishte rrezik të ndyhej edhe ai nga ky pluhur ngjites..Rruga nuk kishte as trotuar, as pemë, as vija..Vetëm oborre me gjerdhe të shtrembëra, banesa me mure tullash, qerpiçi a llamarinash, diku të ulta e diku të larta, duke të krijuar një ndjesi dramatike e varfërie të skajshme..Befas ndeshi në të djathë të saj, një mur betoni, me ca tela të përdredhur mbi të, të ndryshkura edhe ato, diku të shqyera e diku të vendosura si atë ditë, i solli vetiu një ndjenjë qetësie pas marrëzisë së përfytyruar..
Mbi një tabelë harkore ishte shkruar me bojë qielli të ciflitur emri i institucionit. Spitali Psikiatrik Rajonal. Portë të jashtme, në kuptimin me kante, një rojë a kujdestar që mund të ndalonte të hynin lirisht atje të çmendurit e jashtëm, nuk kishte. Lirisht mund të shikoje oborrin ku kishte mbirë një qetësi drithëruese. Përtej shihej dera e ndërtesës trikatëshe, gjithsesi edhe ajo e mbyllur. Qëndroi. Një drithërimë e pavetdijshme përshkoi trupin e saj. Ndjeu ftohtë. Ngriti vetiu jakën e palltos dhe mbështolli qafën. Çfarë kërkonte këtu, o zot? Përse kishte ikur nga Tirana dhe pat ecur për disa orë duke ndjekur një ëndërr? Kur e kishte parë atë ëndërr? As një mbrëmje më parë, as para dy netësh, as para..Në të vërtetë ajo ishte një ëndërr që mund të shihej edhe ditën, mjaftonte të qetësoheshe një çast diku në një stol lulishteje, ose të pije një kafe e vetme në një lokal gjysmë të boshatisur, ose, ose..të ikte yt shoq me sherbim, apo diku gjetkë, mungesë që mund të zgjaste të paktën një orë dhe... Ëndrra kishte lidhje me një emër, thellësia e të cilit sikur vinte nga Mesjeta, një emër që tashmë nuk kishte kurrfarë lidhjeje me jetën e saj, por thjeshtë me një të kaluar përtej 40 vjetëve. Sa emra të tillë ngjiten në kujtesën njerëzore dhe pastaj shuhen sikur të mos kishin ekzistuar kurrë? Mos ishte kjo një aventurë çmendurie përtej moralit të kohës, shkollimit të saj, moshës, familjes së bukur, miqësive të vjetra e të reja?
Bëri edhe një hap brenda oborrit. Befas, mbështetur pas murit, si për t’u mbrojtur nga era e ftohtë që frynte, pa një grua të veshur me rroba fshtaresh veriore, e ulur galiç dhe kishte shpërndarë përfund një kartoni, gjithë mallin e saj, të cilin me siguri priste t’ja blinin vizitorët e këtij spitali drithërues. Gjithçka atje, e lënë përtokë, ishin ca pako biskotash sigurisht të skaduara prej kohësh, ca paketa cigaresh markash të çuditshme, të gjitha të huaja, ca kavanoza kompostosh të mbetura nga një kohë kur të sëmurëve u çoheshin vetëm të tilla, kuti coca-cola a shurupe të ngjyrosura, brisqe rroje, madje edhe fiongo..Ky ishte një mall i çuditshëm të cilën gruaja e pa me habi. Përse duheshin fjongot këtu? Diana ngriu përsëri.Por nënvetëdija e saj nisi të lëvizte furishëm për të vetmin faj që zbulonte këtë çast gri. Ah, si mund të vinte deri këtu, të takonte një të sëmurë dhe të mos ishte kujtuar t’i blinte diçka? Apo kjo që po bënte nuk kishte kurrfarë lidhjeje me një vizitë te një i afërt, por një përballje konfliktoze me një njeri, gjendja e të cilit nuk i interesonte fare, madje ai duhej të përgjigjej për një akt të pamoralshëm, çuditshëm të dikurshëm?
E gjitha pamja e ndërtesës së rrjepur nga shirat që ishin përplasur në të prej dhjetra vjetësh pa kujdes e kujtesë, i solli një drithërimë. Ndoshta kështu duhej të ishin katandisur tashmë edhe shpirtërat e atyre njerëzve që endeshin dhomave të saj. Dhe me një shpirt të tillë të rrjepur, të përgjysmuar, të shformuar, a mund të bisedohej? Aq e marrëzishme paskish qenë hakmarrja e saj sa nuk kishte mundur të mendonte para se të nisej ketu as për atë që në jetë fantazme të sendërtuar prej shkatërimit e deformimit, as për atë që vuajtja është thjesht një mjerim i paanë dhe trupi tretet vetiu i rrahur nga duhma të habitshme të brendshme, kujtimesh a alucianocionesh të ngjashme? Bisedohet me një njeri normal, të cilit kemi të drejtë t’i kërkojmë llogari për tradhëtitë, vjedhjet, gënjeshtrën, vrasjet, ikjet , harresën, por jo me një qenie të cilit të gjitha këto të marra së bashku janë shformuar në një masë amorfe copëzimesh të hatashme që gjallojnë në jo më shumë se përtej një minute kohe?
Ndjeu se gruaja malësore që shiste aty mallin e saj të mjerë, kishte nisur ta shikonte me kureshtje. Ndoshta shpresonte që kjo kliente do të mund të blinte diçka aty, sepse po e shihte duarbosh. Nga ana tjetër, ashtu vetëtimthi, njëherësh nëpër disa dritare të spitalit, nisën të shfaqeshin e të zhdukeshin ca hije të deformuara njerëzore, të cilat, pasi përplasnin kokën pas hekurave, ktheheshin përsëri diku në thellësi të dhomave të tyre. Mesa duket vet prania e saj mes këtij oborri të zbrazët e të mbuluar me një pluhur kafe të zbehtë, nisi të zgjonte aq shumë interes te këta njerëz të harruar brenda kafazeve metalikë e mureve të trasha, sa një pjesë e personelit u alarmua nga kryengritja. Kishte ndodhur edhe herë të tjera kështu. Pra duhej paralajmëruar njeriu që e shkaktonte këtë ngjarje. U hap dera kryesore e spitalit dhe atje u shfaq një grua e veshur me bluzë të bardhë. Diana Gosnishti e ndjeu se qe bërë pikërisht ajo objekt i kësaj agonie sfilitese të sëmurësh dhe atë çast duhej të vendoste përfundimisht. Te ecte e vendosur drejt derës së spitalit dhe atje të kërkonte të shihej me Mark Vigun, apo të kthehej mprapsht e të thyente qafën së toku me marrëzinë, apo ëndrrën e saj. Kjo dilemë zgjati vetëm dy sekonda. U kthye. Deri sa kapërceu portën e jashtme zallamahia e krijuar tashmë prej të sëmurëve, të cilët protestonin për këtë ikje, e përndoqi deri sa doli. Përballë, matanë rrugës, ajo pa një lokal ku shkruhej thjesht BAR – KAFE. U nis për atje. Ndoshta duhej që qetësohej për disa minuta sa të kthjellonte së paku idenë ngulmuese..Përse kishte ardhur deri aty?

.......................................................................................................................................

1 Kommentar:

  1. Përshëndetje miq jam këtu për të dëshmuar për mrekullinë që sapo më ndodhi më 14 janar 2022. Burri im më la mua dhe vajzën time për një grua tjetër, isha aq i frustruar sa bëra gjithçka që ishte e mundur për ta bërë atë të kthehej por jo dobi, u dekurajova disa herë, por nuk u dorëzova, derisa takova Dr Ediomo dhe gjithçka ndryshoi. Me ndihmën e mësueses, burri im është kthyer me mua dhe ne jemi të lumtur dhe jetojmë së bashku si një. Dua të të falënderoj mësues Ediomo dhe do të vazhdoj të dëshmoj fuqinë tënde. Kontakto me të në E-mail: drediomo77@gmail.com. Whatsapp: (+2348155926512) (+2349132180420). Mos hezitoni të kontaktoni me të, ai do t'ju ndihmojë të gjeni një zgjidhje për problemin tuaj

    AntwortenLöschen