Montag, 12. November 2012

Daniel Gazulli: MOTRA IA GODITI

 
MOTRA IA GODITI
 
- tregim-
 
Ishte Pashkë, pothuej fundi i vitit të parë në shkollën fillore.
Si gjithë fëmijtë kurreshtarë, ndalesha e lexoja çdo gja.
Edhe kur shkoja në Kishë me gjyshin, lexoja shkrimet mbi varre.
Gjyshi ndalej pothuej gjithmonë tek varri i familjes, një varr i naltë prej guri të gdhendun, gjithë ornamente, me dy dhoma varrimi; nxirte kutinë e duhanit dhe dridhte një cigare, duhan Sheldie, ai ma i miri. Mandej e linte cigaren pranë Kryqit të madh, po prej guri, në krye të varrit, dhe futeshim në Kishë të shihnim Meshë.
Shpesh herë, kur mbaronte Mesha, shkëputesha nga dora e gjyshit dhe vrapoja për tek varri të shikoja nëse ishte përsëri cigarja aty. Rrallë ndodhte që ta gjeja përsëri.
Pyesja gjyshin kujt ia kishte lanë atë cigare dhe kush mund ta kishte marrë, po ai më përgjigjej gjithmonë: “Do ta kuptosh kur të rritesh.”
Atë të Djelë Pashke kishim shkue ma heret dhe gjyshi po pastronte disa barna të këqija rreth varrit.
Unë, shumë kurreshtar, përpiqesha të lexoja çfarë ishte shkrue mbi rrasë të varrit. Nuk e kisha aspak të lehtë, se shkronjat ndryshonin mjaft nga ato që kisha mësue në abetare.
Vetëm fjalinë e fundit arrija ta lexoja qartë: “Motra ia goditi, sot me 14 t’Marcit 1896”.
“Kujt ia ka goditë këtë varr e motra, gjysh?”- e kisha pyetë një ditë.
“Gjyshit tim” – më ishte përgjegjë ai.
Nuk e zgjata ma, edhe pse kurreshtje më shtynte të pyesja, përse pikërisht e motra, e jo vëllaznit apo të bijtë, sepse e dija që stërgjyshi im kishte pasë edhe një vëlla tjetër.
Në vjeshtë të atij viti na e lamë Krythën dhe u vendosëm në Shkodër.
Gjyshi kishte shumë mall të kthehej në Sapë, të shëtiste nga një fashat tek tjetri, të takonte motrat e tij, të takonte miq të vjetër, por sidomos të vinte këtu, në Varreza, e të ndalej gjatë, të dridhte cigare e ta linte mbi varr, të bisedonte me za të ultë diçka që unë nuk e kuptoja e nuk e merrja me mend me cilin fliste. Nganjëherë rrinte shumë gjatë në varrezë, dridhte disa cigare dhe i rreshtonte pranë Kryqit të varrit.
Tashma isha rritë e kishte ardhë koha ta pyesja:
“Përse ia goditi pikërisht e motra varrin gjyshit tand e jo vëllaznit apo bijtë?”.
Gjyshi më shikoi gjatë. Me vështrimin e tij sikur më mati shtatin, që tashma dilte ndonjë cantim mbi të, edhe pse porsa kisha mbushë pesëmbëdhjetë vjeç.
***
“Kur vdiq gjyshi, nisi rrëfimin e tij të ngadalëshëm gjyshi im, kam qenë 25 vjeç e i martuem me gruen e parë. Ti e di se mue më kanë vdekë dy gratë e para, mandej u martova me gjyshen tande.”
E dija sigurisht që gjyshi kishte qenë i martuem tri herë e se gruen e parë, me të cilen kishte jetue vetëm gjashtë muej, e kujtonte shpesh e me dhimbje.
“Ishte i vetmi burrë që kishte mbetë në shtëpi. Ku të shkonte, ishte 83 vjeç dhe vuente nga bulçimi. Kush ishte për pushkë, në shtatë e shtatëdhjetë vjeç, kishte dalë kaçak, se Valiu i Shkodres kishte nda mendjen me na shue të gjithëve.
A i shikon, m’u drejtue gjyshi tue hedhë shikimin varreve përreth, janë të gjithë varre të reja. Ma i vjetri asht i familjes sonë. Po kjo Kishë e këto varre kanë sa nuk mbahet mend. Kishte ardhë, pra, vetë valia prej Shkodre me dy taborre. Ishte betue me na nxjerrë fare të gjithë sa ishim.
Nisi atje ku e dinte se na dhimbte ma shumë. Shkatrroi varret. Kishte sjellë me vete do magjypë prej Jemenit e për një natë tanë natën shkatrruen varret, theyn Kryqa, deri eshtnat e të shuemëve i nxorën përjashta. Ishin edhe dy burra katundi, Përgjinësh u kanë pasë thanë, që nuk kishin dalë kaçakë, e që mihen në varre me jemenët. Nuk ka ma Përgjin tash, kanë dalë fare. Jo që të dalun fare kanë qenë gjithmonë.
Gratë që e kanë pa atë mënxyrë thonë se nuk ka gja ma të shëmtueme në këte botë. Gjithë ky vend mbushë me kocka njerëzish”.
U ndal e drodhi një cigare tjetër. Ngadalë, shumë ngadalë. E uli po shumë ngadalë në rranxë të Kryqit.
“Kur e moren vesht njerëzit, u sulen turr e vrap për në varreza. Sa kishte dalë drita. Njerëzit po them unë, po vetëm gra ishin, sa na kishim dalë kaçakë.
Gra dhe babë Ejëlli. Tetëdhjetëetre vjeç e me bulçim, mezi merrte frymë.
I doli para xhabia me nizamë. “Ju do të hyni këtu të pastroni vendin kur të mbarojmë na!” - , i tha ai babë Ejëllit.
“Këta janë varret tona”, ia ktheu babë Ejëlli.
“Ktheu ti qen plak në shtëpi, se po i ve jemenët me të varrosë për së gjalli!” – iu kërcënue xhabia.
“Nuk asht punë që s’bahet, por mbasi t’i kam mbarue edhe unë do punë” – ia ktheu qetë babë Ejëlli.
Mandej nxori dy alltitë me mulli dhe filloi prej xhabisë. Një me shtatë e lau veten.
Jemenët moren ograjat.
Nizamët, që shoqnonin xhabinë, u sulen mbi gra. Me bajoneta. Katrinën, due me thanë gruen teme të parë, e shpuen tej përtej me bajonetë. Ishte gjashtë muejsh shtatëzanë.
Krisi pushka prej Lezhet e në Shkodër, po në Krythë nuk mundi me hy asnjë. Valia kishte sjellë nizam të madh dhe e kishte rrethue Krythen në katër anët.
Hallëmadhja ime, motra e gjyshit, vendosi mos me i varrosë të vëllanë e të renë pa u goditë varrin. Pagoi pare të madhe, solli mjeshtra e për një ditë e një natë goditi varrin me dy dhoma, për babë Ejllin dhe gruen time, Katrinen.“
U ktheva e lexevo edhe një herë mbi rrasë të varrit: “Motra ia goditi, sot me 14 t’Marcit 1896”.
Ndërkohë gjyshi kishte dredhë një cigare tjetër dhe e uli mbi varr, rrazë Kryqit.
“Këndej asht varrosë babë Ejlli?” – e pyeta, tue vu ore se cigarja nuk ishte në mes të varrit, po djathtas Kryqit.
“Po, foli ai si me vete, nga ana e detit asht varrosë Katrina, kurse nga ana e malit babë Ejlli”.
Ka kalue gjysëm shekulli qysh atëherë.
Kur shkoi në Krythë, ndalem gjithmonë tek varret. E nuk harroi të la një cigare mbi varr, djathtas Kryqit, nga ana e malit, andej nga asht varrosë babë Ejëlli. Janë cigare të gatshme, nuk janë duhan Sheldie, nuk e di a do t’i pëlqejë babë Ejëlli, po kot e kam marak, se më duket sikur më buzëqeshë atje prej Qiellit, i kënaqun që po i la një cigare.

______________
Marrë nga ZEMRASHQIPTARE

1 Kommentar:

  1. Përshëndetje miq jam këtu për të dëshmuar për mrekullinë që sapo më ndodhi më 14 janar 2022. Burri im më la mua dhe vajzën time për një grua tjetër, isha aq i frustruar sa bëra gjithçka që ishte e mundur për ta bërë atë të kthehej por jo dobi, u dekurajova disa herë, por nuk u dorëzova, derisa takova Dr Ediomo dhe gjithçka ndryshoi. Me ndihmën e mësueses, burri im është kthyer me mua dhe ne jemi të lumtur dhe jetojmë së bashku si një. Dua të të falënderoj mësues Ediomo dhe do të vazhdoj të dëshmoj fuqinë tënde. Kontakto me të në E-mail: drediomo77@gmail.com. Whatsapp: (+2348155926512) (+2349132180420). Mos hezitoni të kontaktoni me të, ai do t'ju ndihmojë të gjeni një zgjidhje për problemin tuaj

    AntwortenLöschen