Montag, 18. März 2013

Arif Molliqi: MANTELI I SHËMTISË


Tregim nga Arif Molliqi


                   MANTELI I SHËMTISË

  (Fragment nga romani: “Shënime nga arkiva e qytetit D.”)

 
        Pas atyre krimeve që u shpallën si të kryera, Altin Lluka ishte i bindur se nuk qe rastësi ajo që pa në oborrin e vet.

         Kishte ardhur një njeri, i cili po e therrte një ka në mes të oborrit. Të tjerët ia mbanin. “I vetmi ti je fatzi e fatlum të njëjtën kohë”,  - i foli ai që ia mbante thikën te qafa.

         Kur kreu punë, në dorë i mbeti thika e përgjakur.

         Deshi t’i thoshte edhe diçka, por e kuptoi se kau nuk e dëgjonte. Kafsha e gjorë, me thikën e ngulur gjer në palcë, nuk kishte mundësi të mbrohej. Por, pagëzimi i një kafshe të mundur me fjalët “ fatzi e fatlum”, nuk ishte asgjë tjetër, pos një shpikje e atij që i pëlqente të ftohtët e kafshës. “Tani jam më i madhi këtu. Ndryshe, ti je luftëtar që nuk kursehesh as pas betejës”,- i foli përsëri ai.

         Pse kau ishte “fatzi e fatlum” në të njëjtën kohë, Altini nuk e kuptoi.

         Derisa po e kujtonte këtë enigmë si proverb të kasapit, që mbante thikën në dorë, nëpër mend iu kujtua një tjetër moment.

         Një natë, i kishte ardhur një njeri te porta, dhe i kishte trokitur.

         “Kush je ti?”,- i kishte thënë Altini.

         Ai ishte përgjigjur:

         “Hape, jam kalimtar i mesnatës! S´jam as vdekja, as lindja! Sjell kumtin për shkëlqësinë e Tij: qyteti është i rrethuar! Me shtatë shpirtra të macës vi!”

         Fytyra e zverdhur, gjaku, plaga e trupit ishin argumente se vërtetë ai e kishte përjetuar mundimin për shtatë shpirtrat. Deshi të thërrasë: një herë tjetër, ju lutem, se sonte e kemi një grua në lindje, por, ishte e kotë. Dera e portës kërciti vajtueshëm. I panjohuri hyri siç ishte i përgjakur, me plagë trupi.

         Altinit i ra ndërmend se, në këtë kohë, nuk mbahet porta e hapur, por ishte vonë. I çmendur!, i tha vetes. Duhej të isha kujtuar sa ishte dritë, e jo tani që është errësuar. Të paktën, ai nuk i beson se, rastësisht, edhe ka mbetur dera hapur.

         Besimi tek koha e ditës dhe e dritës e kishte tradhtuar. Meqenëse ishte një kohë e mërrolur, dhe nata e dita i ngjanin njëra-tjetrës, nuk deshi të mendojë se në oborr është therrë një ka. Nga dera ku qëndronte vazhdimisht duke i shikuar kalimtarët, që ecnin rrugës, herë -herë e kthente kokën nga ai njeriu që e mbante thikën në dorë. E shikonte kafshën e gjorë, që ishte shtrirë përtokë. Ajo, për të mbramën herë, shpurdhi dy-tri herë me këmbët e prapme. Nga pamja e krijuar, Altinit i mbeti një ndjesi nga trishtimi. Ajo ndjesi i erdhi shumë e ngjashme, sikur atëherë kur foli me të plagosurin në derë të oborrit. Sadoqë nuk i kujtohet saktësisht, të tjerët thonë se nga dera disa herë kishte folur vetëmëvete: ,,Arratisu, miku im! Nuk të takon ta shikosh kafshën e përgjakur! Kafsha është e pafajshme!...”.

         Për një kohë shumë të gjatë, derisa e shikonte kaun dhe e rikujtonte të plagosurin, pas shpinës, e ndjeu dihatjen e një fëmije që po ikte i frikësuar, kur e pa gjakun. Këtë nuk është dashur ta lejonin, mendoi derisa fëmija po qante.

         „Si nuk u mbushëm mend?”, - tha dikush. „Në sytë e fëmijës krijojmë imazh trishtues; thika në qafën e kaut, gjaku në mes të oborrit dhe plaga ende pa u harruar në trupin e të panjohurit, janë të tmershme.

         Në të vërtetë, ne jemi vetë ata që i bëjmë veprat trishtuese dhe frikësuese.

         Ktheu kryet majtas e djathtas, për ta kërkuar me sy fëmijën e frikësuar nga gjaku, por ai nuk ishte. "I çmendur!",- e përsëriti atë që e kishte dëgjuar shumë herë, kur njeriu i drejtohet vetes nga një trishtim a frikësim. Si ka mundur të ndodhë kjo?! Para fëmijëve njeriu ka ekspozuar “mantelin e shëmtisë” nietzchiane. Ky mantil shëmtimi nuk është gjë tjetër, veçse një lëkurë e zezë, me të cilën e mbulojmë trupin dhe fytyrën çdo ditë.

         Mungesë mirësjelljeje.

         Markezi, në një tregim, thotë: “Të gjithë qentë mund të qajnë, po t´i mësosh. Puna është se të zotët e tyre e shikojnë jetën duke i edukuar me zakone që ua shpifin, si për shembull, qysh të hanë nëpër pjata, ose si t´i bëjnë pisllëqet e tyre me orar, dhe në të njëjtin vend. Dhe harrojnë t´ua mësojnë gjërat më të natyrshme që u pëlqejnë, si të qajnë e si të qeshin”.

         Derisa po e përsëriste mendimin markezian, të tjerët u qeshën me pamjen e Altinit. Ose, ndoshta, ashtu iu duk atij.

         Një grua rreth të dyzetave, kur e pa oborrin e përgjakur, foli:

         “Më mësoni t’i lutem Zotit! Kurrë nuk u luta në jetë!”.

         Sa u bë gati t´ia thoshte fjalën e parë, hyri një grua tjetër, që në duar mbante një krijesë të re. Pse u tremb Altini deri në atë masë, kur e pa atë foshnje, asnjëherë gjer sot nuk e ka shpjeguar. “Pse u tremba për dhuratën që na fali Zoti?! Vërtet, nuk e kuptoj as sot. Frika ishte bërë më e fuqishme se dashuria. Ç´më ngjau? As sot për atëherë nuk e di!”, -e përsëriste shpesh këtë Altini.

         Vaji i foshnjës së posalindur, ia kujtoi të përfolurën e lënë nëpër kohë dhe Zaratustrën se. “Gjithçka tek gruaja është mister, dhe gjithçka tek gruaja e ka një zgjidhje, e kjo quhet barrë”.

         Pse e kujtoi këtë?

         Sepse iu kujtua një enigmë e çuditshme për një grua. Ky mister, për gruan barkëfryerë, ishte përhapur si thirrje gojë më gojë, dhe njerëzit nuk e kishin kuptuar se ajo, ishte,  a nuk ishte grua e martuar. Duke e menduar gruan barkfryrë, atij iu riprodhua në kokë një ngjarje e shkuar.

         Dy shtëpi përtej shtëpisë së tij, një mort i parakohëshëm.

         Pal Lluka vdiç në rrethana misterioze. Në qytetin D. u krijuan rrëfime të çuditshme rreth vdekjes së tij. Për gruan e Palit, Mrikën, ose siç e quanin gjithë lagja „Vejusha e Pal Llukës”, dikush e kishte qitur fjalën se ajo ishte me barrë pa pasur burrë. U bë grua me fjalë. Kështu drama tragjike rreth vdekjes së Palit, dalëngadalë, po kthehej në një ngjarje tragjikomike. E po, aso bote, kur erdhën prindërit për ta marrë „Vejushën e Palit”, diçka ndryshoi. Por i kujtohen fjalët e babait të Palit, kur i tha mikut: „Pa ruaje se kjo grua me barrë, kur do të lindë fëmija, është i këtij trualli“.

         Gruaja fatkeqe, duke i dëgjuar këto fjalë, asnjëherë nuk i shkoi mendja të pyeste se kujt i takon fëmija në bark të nënës. Por, tha: „Ç´punë keni me fëmijën tim?”.

         Më në fund, tamam kur ishte harruar gati në tërësi enigma për barkëfryerën, doli fjala se fëmija i posalindur nuk ishte kopil. Fëmijë pa babë. Duke e paramenduar me kohë këtë zgjidhje, erdhi mendimi tjetër për krijesën e re, se duhet pagëzuar sipas zakonit me emrin e atij mysafirit që ka qëlluar në konak në momentin e lindjes së tij. Po mysafiri, një i plagosur, i skuqur nga gjaku dhe plaga, si e kishte emrin?

         As Altini, as gruaja që lindi atë çast, nuk e kishin menduar se ç´emër do të merrte krijesa e re. Kurse mysafirin nuk e kishin pyetur për emër. Kur gruaja lajmëroi për lindjen e fëmijës, i panjohuri, me një nënqeshje, për herë të parë, pak më i gëzuar se herave të tjera, po bëhej gati ta zbrazte një pushkë, ndryshe nga ato pushkët e vjetra.

         Dikush foli:

         „Ai që s´e njeh besën për besë, s´e njeh zotin për zot!”.

         „Lëre”, -i tha Rrusta i Alisë. „Këtu ka gëzim të dyfishtë”.

         „Përnjëmend kanë filluar ta qartin besën, se në shtëpi të huaj nuk qitet pushkë pa të dhënë leje i zoti i shtëpisë”, -foli një plak.

         Me përjashtim të këtyre shqetësimeve, mendoi Altini, nuk do të duhej të isha shumë i gëzuar, po as shumë fatkeq. Tani puna është si t'i shlyej kujtimet për kaun fatzi e fatkeq, për gruan barkëfryrë e fëmijën kopil të „Vejushës së Palit”, dhe për „në shtëpi të huaj nuk qitet pushkë, pa të dhënë leje i zoti i shtëpisë”. Kjo ishte nyja që ishte lidhur, e Altini nuk e gjente fillin e fijës. Ndërkohë, mundohej të mos e humbaste fillin e asaj kohe që po kalonte, dhe të asaj që pritej të vinte. Në këtë kohë, gjithnjë e më shumë, po mësohej me pamjen e oborrit, duke i shlyer ato pamjet e mbetura shumë gjatë brenda trurit.

         Ishte duke e kujtuar historinë e të plagosurit, kur erdhi dikush e i tha:

         „Sonte do t´ia shtrojmë!”.

         Ai e kuptoi ndryshe këtë.

         „Është ndonjë festë që e paskam harruar?”.

         „Jo”, -tha lajmëtari. „Kur theret një ka si ky, në mbrëmje mblidhemi”.

         „Çudi, a u dashka njeriu të festojë kur theret kafsha!”,- mendoi Altini, por nuk foli. Në familjen e gjerë të Altin Llukës, zakonisht, këto ndeja bëhen në odën e ndërtuar apostafat për miq. Për darkë, e zonja e shtëpisë përgatit një bukë misri, mish të pjekur, por edhe lakra me mish. Atë natë, derisa po përgatitej darka, vëllai i madh e shtroi një sofër të vogël. Mbi të vendosi një shishe me raki. Kush e pinte, dhe kush nuk e pinte, u mblodhëm rreth sofre.

         Një fqinj, që ishte rritur në Gjermani, nuk e hante mishin.

         „Është vegjetarian”, tha dikush. Mbase askush nuk e mori këtë si risi, vëllai i madh ia nisi me tregue për Shkup e për Shkodër. Tregoi se kur i kanë ndjekur Isniçin nga Lugu i Moravës, atje nga Molla e Kuqe, e kishin pasë harruar kaun e zi. Pas dy-tre muajve, duke u borroçitur i ziu ka, erdhi nga Nishi në Isniq.

         „Mos ai kau që ka ardhur nga Nishi, ishte kau që e therrën në oborrin tonë?”-pyeti Altini.

         „Hajvan!- i tha dikush. - „Koha e kaut të Isniqit ka qenë kur i shpërngulën shqiptarët nga Molla e Kuqe këndej”.

         Mirëpo në këtë dialog diçka ndryshoi: Për një çast, ndërhyri televizioni: „Nesër nga burgu i Nishit lirohen të burgosurit e qytetit D. ”.

         „Nuk e besoj!”

         „Nga andej, vetëm të vdekur mund të vinë.”

         Altinit si në përrallë, iu kujtua kau i Isniqit, që erdhi nga Nishi, dhe lajmi në televizion. Qyteti i Nishit po i shfaqej gjithnjë e më shpesh, por tani jo si në tregimet e as si ajo historia e Çela- Kullës së Nishit, që qenka ndërtuar me krena njerëzish, por si realitet i ri. Drama, e quajtur „ Burgu i Nishit“, Altinit iu duke si diçka e paimagjinueshëm, si diçka në kërkim. Dikush e pret gjithë jetën, dhe nëse asnjëherë nuk ke mundur ta paramendosh si ndodhë ajo, ti ndalesh dhe nuk i beson.

         Ose i frikësohesh për diçka që nuk shpjegohet.

1 Kommentar:

  1. Përshëndetje miq jam këtu për të dëshmuar për mrekullinë që sapo më ndodhi më 14 janar 2022. Burri im më la mua dhe vajzën time për një grua tjetër, isha aq i frustruar sa bëra gjithçka që ishte e mundur për ta bërë atë të kthehej por jo dobi, u dekurajova disa herë, por nuk u dorëzova, derisa takova Dr Ediomo dhe gjithçka ndryshoi. Me ndihmën e mësueses, burri im është kthyer me mua dhe ne jemi të lumtur dhe jetojmë së bashku si një. Dua të të falënderoj mësues Ediomo dhe do të vazhdoj të dëshmoj fuqinë tënde. Kontakto me të në E-mail: drediomo77@gmail.com. Whatsapp: (+2348155926512) (+2349132180420). Mos hezitoni të kontaktoni me të, ai do t'ju ndihmojë të gjeni një zgjidhje për problemin tuaj

    AntwortenLöschen