Mittwoch, 23. Januar 2013

Biser Mehmeti: JETË E MOHUAR


FRAGMENT NGA ROMANI
„JETË E MOHUAR“

- Unë jam Lis Shpata! Për shumë vjet kam qëndruar në këtë dhomë të vogël dhe kurrë nuk e kuptova pse më sollën këtu. Disa herë parashtrova kërkesë të më tregonin, po asnjëherë nuk mora përgjigje. Një ditë më liruan me preteks se jam shëruar nga çmenduria...
Përsëri u krodh në humnerën e heshtjes. Dukej sikur vraponte pas atyre kujtimeve, të cilat e kishin lidhur me zinxhirë dhe s’e lejonin të ikte...
- Nesër ose më së largu pasnesër, në dhomë do të hyjnë katër ose më shumë kalorës mesjetarë, të cilët do t’i thonë po ato fjalë që m'i patën thënë edhe mua: kemi urdhër të të nxjerrim jashtë kështjellës, sepse je shëruar nga çmenduria dhe më nuk paraqet rrezik për askë!... Mirëpo, mos u bën i marrë të dalësh jashtë se do të pendohesh sa të jesh gjallë, madje ka mundësi që pas dy orësh që e shijon lirinë të bësh vetëvrasje! Një gjë duhet ta dish: këtu është më mirë se jashtë, ku mbizotëron një kaos i tmerrshëm, i cili ka për të çmendur, ngase liria s’është liri çfarë duhet të jetë. Nëse i shpëton çmendurisë atëherë të detyrojnë të bësh vetëvrasje! Tërë ditën do të sorollatesh rrugëve pa ditur ç’të bësh me jetën as me kohën që të rëndon mbi shpirt. Do të bësh një jetë të mjerë sa s'do të kesh nga të marrësh as për të ngrënë, as për të pirë. Jeta s’është më e bukur, siç ka qenë dikur. Me sytë e mi kam parë njerëz që vdisnin rrugëve nga uria, njerëz që vdisnin rrugëve, ngase s’kishin kulm mbi kokë... Në kështjellë njerëzit i quajnë “të çmendur”, po realisht s’janë të tillë. Jashtë njerëzit janë vërtet të çmendur, po mendojnë se janë të mençur…
Pas pak m’u lut që të ulesha në një skaj të dhomës, sepse
qëndrimi në këmbë i shkaktonte dhembje në gjunjë. Në fillim hezitova të largohem nga dera me grila, duke shpresuar se do të vinte Mara e s'do të mund të më gjente. Mirëpo, i nxitur nga një kureshtje e paqartë pranova të ulemi në një skaj të dhomës, aty ku para shumë vitesh kishim hapur një varr e pastaj e kishim varrosur një njeri të dashur...
- S’dua të flas për kënaqësinë që përjetova ditën kur më nxorën jashtë kësaj dhome të mbushur mërzi e lagështirë. Kur e shihja veten se s’isha brenda katër mureve, se merrja ajër të pastër, se isha i lirë të mendoja çfarë të doja, se isha i lirë të ecja nëpër një rrugë të mbushur me njerëz të lumtur, më dukej sikur isha rilindur në një botë të re. Zemra, e cila u lirua nga ato ndjenja të kobshme, vetëm sa s’më doli nga kraharori. Pas shumë vitesh qëndrimi në atë hapësirë të errët e shihja diellin, e ndjeja ngrohtësinë e tij që më dehte. Veten e krahasoja me një shpend që pas një kohe të gjatë del nga kafazi. S’mund ta merrja me mend transformimin që po ndodhte në shpirtin e në trupin tim. Sa më shumë që ecja e sa më shumë që shihja kuptoja shumë gjëra që kishin ndryshuar. Asgjë s’më dukej si më parë. Edhe qielli më dukej tjetër... Rrugës për në shtëpi disa njerëz që s’i njihja, më vështronin me sy të mllefosur sikur të isha një vrasës i rrezikshëm që gjendet në liri. Derisa më shikonin me përbuzje pëshpëritnin në mes veti me zë të ulët: si paskëshka mundur ky i çmendur të arratiset nga kështjella, ku siguria është tepër e madhe!... Një tjetër tha: unë s’jam i sigurt më të shëtis lirshëm nëpër rrugë, prandaj po iki në shtëpi!... Një tjetër tha: mos ke dert se së shpejti e zënë dhe e kthejnë sërish atje ku të çmendurit e kanë vendin... Si të isha një bishë e egër që ka zbritur nga malet njerëzit të tmerruar largoheshin prej meje. Disa herë e vura gishtin në tëmth dhe e pyeta veten: a jam vërtet i çmendur apo vetëm u dukem njerëzve...
Kur u gjenda në një udhëkryq u ndala, ngase s’e kisha të
qartë cila rrugë më shpinte në shtëpi. Derisa qëndroja në krahët e pritjes pranë meje kaluan dy miq të mi nga koha e fëmijërisë. Sapo ua zgjata dorën për t’i përshëndetur, më vështruan me habi të madhe... Kush dreqin je ti që na trazon, më tha njëri prej tyre me zë kërcnues... Ik në dreq të mallkuar e sytë mos t’i shoh kurrë më... Pastaj filluan të largohen prej meje me frikë të madhe... O Zot, i thashë vetvetes, çka po ndodh kështu me mua?! Gëzimi e lumturia që u gjenda jashtë zunë të fashitën e në vend të tyre të shfaqet një zhgënjim i pakufishëm... Shpresova se së paku në gjirin familjar do të gjeja qetësinë që më kishte munguar për shumë vjet... Gruaja ishte plakur shumë sa më ngjallte neveri. Ajo më priti çeherngrysur dhe sikur u hidhërua tepër kur më pa...E mallkoj ditën që u martova me ty, më tha me zë të përvajshëm... Për shkak të marrëzirave tua në jetë përjetova vetëm fatkeqësi e asnjëherë gëzim. Mallkuar qoftë dita që e lidha fatin me ty!... Në çdo vend ku filloja të punoja askush s’më fliste me gojë! Sapo kuptonin që isha gruaja jote, më largonin nga puna. Pjesën më të madhe të kohës e kemi kaluar të uritur. Fëmijët kur s’kishin çka të hanin gjithnjë qanin. Asnjëri nga miqtë tu s’erdhi të na shikonte nëse ishim të gjallë apo të vdekur…
Edhe dy fëmijët e mi, të cilët tashmë ishin rritur, më pritën me indiferencë të çuditshëm që më vriste në shpirt. Djali as që ma zgjati dorën të më përshëndeste e lëre më të më përqafonte. Më vështroi me një urrejtje të madhe sikur të isha një mysafir i padëshiruar. Pas një kohe më tha: ku dreqin s’vdiqe brenda atyre mureve të ftohta, po erdhe në shtëpi të na i shtosh edhe më shumë problemet! Të gjithë miqtë që i kam pasur më kanë braktisur duke më thënë: ti je biri i një të çmenduri, i cili ka punuar kundër kombit e kundër shtetit... Një ditë në shkollën ku mesoja erdhën dy njerëz bashkë me mësuesin, i cili as vetë s’e di pse më donte më shumë se nxënësit e tjerë. Ata ishin çeherngrysur. Njëri prej tyre e thirri emrin tim. Kur u ngrita në këmbë, e ndjeva veten të turpëruar para nxënësve dhe para mësuesit... S’ka vend në shkollë për fëmijët e njerëzve të çmendur, të cilët ia shesin shprtin djallit! më thanë... Pastaj m’u afrua mësuesi, ma ngrehi veshin fort dhe më tha: ik nga shkolla dhe kurrë mos eja më!... Disa nxënësit u pikëlluan shumë, madje edhe filluan të qajnë, kurse disa duartrokitën me ovacione... Sot kam mbetur pa shkollë, të sorollatem rrugëve si një qen endacak... Kur dëshiroja të gjeja ndonjë
vajzë për t’u martuar, të gjitha më refuzonin me arsyetim
se “babai yt është i çmendur!”...
Pas tij m’u afrua edhe vajza e vogël, për të cilën kisha menduar se është përmalluar shumë. Edhe ajo më priti me një breshëri fjalësh të hidhura... Kurrë s’kam menduar se fatkeqësitë më të tmerrshme në jetë do të më vinë nga ti, më tha me zë të përvajshëm. Një ditë u njoftova me një djalë të pashëm, të sjellshëm dhe të pasur. Me të fillova të kaloj çaste romantike. As vetë s’e di çka i pëlqente te unë sa gati u çmend nga dashuria që ushqente për mua. Katër vjet e tre muaj e ndonjë ditë më shumë i kaluam si në përralla. Ai ishte princi im që kishte ardhur me kalë të bardhë! Çdo dëshirë që kisha ma plotësonte pa hezituar. Më blente rroba të shtrenjta, më blente edhe stoli prej ari, të cilat më parë vetëm kisha mund t’i ëndërroja. Veten e krahasoja me një princeshë madheshtore. Çdo verë e kalonim në det, të cilin më parë vetëm në ëndërrë mund ta shihja. Fillova të besoj se për mua ishin hapur dyert e parajsës... Një javë para se të martoheshim, lumturia dhe tërë ato ëndrra madheshtore u rrënuan si një kështjellë prej rërë... Kur dola në takim, pa më shkuar mendja se ishte takimi i fundit, e pashë duke qajtur si fëmijë. Dyshova se ndokush në familjen e tij kishte vdekur. Pasi arrita ta qetësoj pak me fjalë të ëmbëla, me zërin që i dridhej vazhdimisht më tha: të dua më shumë se jetën time, po s’mund të martohem me bijën e një të denuari për kundërrevulucion, të një njeriu që orvatet ta shkatërron shtetin! Mbrëmë babai im kishte kuptuar se ti je bija e një njeri që tërë jetën është marrë me veprimtari armiqësore, i cili është denuar me burgim të përjetshëm. Ai s’dëshiron që për shkak tëndin të njolloset dinjiteti ynë familjar! Është betuar që nëse të sheh edhe një herë me mua, ka për të na vrarë!... I gjori iku nga unë duke vajtuar e kurrë më s’u lajmërua. Krejt kjo ndodhi shkaku i marrëzirave tua. O Zot, e humba rastin e vetëm që të bëja një jetë përrallore me një njeri të dashur. Tash jam e pikëlluar, kurse në trup kam njëqind e më shumë plagë që më kullojnë gjak e qelb... Një vit e kalova duke i sjellë nëpër mendje ditët e bukura që i kalova si në ëndërr. Njëherë më lindi dëshira të bëja vetëvrasje, por s’e di as vetë pse s’bëra. Duke dashur t’i mbyllja plagët që më shkaktonin dhembje të vazhdueshme, u njoftova me një djalë të varfër, madje jo edhe aq të bukur. Mendova së paku të ai mund ta gjej ngrohtësinë e humbur shpirtrore. Në fillim m’u duk sikur çdo gjë do të shkonte mirë. Më pati premtuar se, edhe pse nuk isha e virgjër, do të martohej me mua. Mirëpo, një ditë kushedi nga kishte kuptuar e kujt jam, andaj u zhduk pa gjurmë, pa më thënë asnjë fjalë të vetme... Shkaku i marrëzirave tua mbeta lëneshë...
O Zot, sa shumë më prekën në shpirt përjetimet e saja...
Një javë pasi dola nga kështjella shkova në ansamblinin e këngëve dhe valleve “Karadaku”, në të cilin kisha qenë anëtar aktiv për dhjetë vjet dhe në të cilin i bija kavallit. Në zyrë e takova kryetarin e ansamblit, një njeri të moshuar, i cili sapo më pa i lëshoi shtatë palë mrrola. Më vështroi ftohtë dhe me disponim të prishur sikur ta kishte parë një fantazmë. Pa më përshëndetur fare më tha: a s’të paskan treguar se dy ditë pasi të mbyllën në kështjellë, të përjashtuam nga ansambli! Nga dikush erdhi një urdhër se duhet të t’i marim të gjitha mirënjohjet e lavdatat që i pate marrë gjatë aktivitetit tënd disa vjeçar... S’ke më çka kërkon në ansamblin tonë!... Thua të gjej një mundësi të të pranoj përsëri?! Është e pamundur, sepse njerëzit mund të kenë dyshime edhe në mua... O Zot, s’mund të besoja se një fatkeqësi kaq e rëndë më kishte pllakosur. Një ditë tjetër shkova në shoqatën e peshkatarëve, e cila ishte formuar para disa vitesh me iniciativën time. Dëshiroja t’i takoja disa nga miqtë e fëmijërisë, për të cilët më kishte marrë malli. Në zyrë takova një njeri të panjohur. Kur e pyeta për kryetarin e shoqatës, më tha se ka disa vite që ka vdekur. Kur i tregova se jam anëtar nderi i kësaj shoqate dhe se tash e tutje dëshiroja të jem aktiv, ai i rrudhi supet, e hapi një sirtar nga i cili nxori do letra të zverdhura nga pluhuri. Lexoi diçka në to e pastaj më tha: të kanë përjashtuar nga shoqata para shumë vjetësh për shkak se ke marrë pjesë në demonstrata armiqësore, madje ke qenë në ballë të tyre... Duke bartur mbi shpinë peshën e madhe të dëshpërimit u ktheva në shtëpi, e cila më dukej disi e huaj. U kyça në dhomë. Më pëlqente të kredhesha në mendime. S’e kisha të qartë çka po ndodhte me mua as me jetën time. E shtërgova kokën me duart që më dridheshin. Më dukej sikur brenda një kalë i harbuar sorollatej me një trok të fuqishëm. Shp-esh vetja më dukej sikur isha inkarnuar në një trup që është ringjallur po që s’mund t’i shkëput lidhjet me një kohë tjetër. Diçka më thoshte se për një kohë të gjatë kisha qenë i vdekur, pastaj isha ngritur nga varri dhe isha kthyer sërish
të vazhdoja jetën ku e kisha lënë në gjysmë. Tash s’e kisha
të qartë si mund të jetoja në mesin e të gjallëve…
Dy ditë e dy net s’kam dalur nga dhoma, përveç kur më kaplonte nevoja fiziologjike. Kam menduar për gjëra absurde, të cilat në vend që të më nxjerrnin nga kriza nervore më zhytnin edhe më thellë.Dikur kuturisa të dal jashtë dho-mës pa e ditur as vetë pse bëja një gjë të këtillë. Në atë çast disa gurë u përplasën në dritaren e dhomës sime. Pas pak të gjitha xhamat e dritares u thyen. Gurët filluan të depërtojnë brenda në dhomë. Dola në dritare të shihja çka po ndodhte. Në oborr i pashë disa fqinj të mi e disa njerëz të panjohur. Në mesin e turmës së shfrenuar kishte fëmijë, burra, pleq, gra e vajza të reja. Me shumicën prej tyre e kisha kaluar fëmijërinë, andaj s’e kuptoja urrejtjen e tyre ndaj meje dhe familjes sime. Njëri prej tyre, i cili kishte qenë dhe kishte mbetur i varfër (më herët tinëz prindërve shpesh i dërgoja gjëra ushqimore dhe veshmbathje në shtëpi!) sapo më pa në dritare më qëlloi me guri në kokë. Gjaku zuri të më rrjedhte nga balli currin... Idot, më tha, na e ke poshtëruar lagjen!... Prej se u ktheve në lagjen tonë ke sjellë vetëm frikë, dyshim e shqetësim, më tha një tjetër me përbuzje të shpluar... Largohu nga lagjja jonë se s’duam të na e shkatërrosh lumturinë, më tha një tjetër, për të cilin flitej se si fëmijë ishte rrëzuar nga një lis i lartë e pastaj kishte pësuar tronditje në tru... Largohu nga fshati se s’duam të të shohim me sy, klithën e bërtitën të gjithë si në kor derisa hudhnin gurë drejt meje... Në dhomën tjetër i dëgjova klithjet e llahtarshme të gruas e të fëmijëve... Një kohë të gjatë jam sorollatur nëpër hapësirën e dhomës duke kërkuar një rrugë që do të më nxjerrte nga ai labirint. Diçka më thoshte sikur kisha filluar të çmendesha... O Zot, i thashë vetvetes, sa gjë e tmerrshme qenkësha të dukesh i çmendur në sytë e të tjerëve... Kur u shfaq nata oborri u zbraz nga turma e shfrenuar. Para se të largoheshin, më thanë: sërish në mëngjes do të vijmë dhe nëse të gjejmë këtu do ta kallim shtëpinë!... Gruaja dhe fëmijët m’u lutën të dilja nga dhoma e të bisedonim. S’dëshiroja të dilja, sepse kisha marrë trajtën e një kufomës që ka qëndruar në varr dy ose më shumë vjet. U shtrina në shtrat, edhe pse e dija se s’mund të çlodhesha e as të flija. Menjëherë më kaploi një ankth i vjetër. Tërë natën më bëhej sikur qëndroja në dritaren e dhomës, kurse fqinjët të shfrenuar hudhnin gurë e dru mbi kokën time. Gjatë kësaj kohe ata lëshonin klithje të llahtarshme dhe ovacione të gjata. Disa herë më bëhej sikur vrapoja me shpejtësi të madhe nëpër do hapësira të zbrazta, kurse mbrapa më ndjekte një grumbull ujqish të uritur... S’më kujtohet sa herë gjatë asaj nate të tmerrshme, për të cilën dyshoja se s'do të përfundonte kurrë, ngrihesha si somnabul dhe me sy të buhavitur vështroja xhamat e thyer dhe gurët e shkapërderdhur nëpër dhomë. Një mendje e marrë më sfiliste pa pra: merre një copë xhami e me të jepi fund kësaj jete të neveritshme.
Mirëpo, sapo ngrihesha jeta më dukej tepër e dashur, prandaj e braktisja atë mendim të egër...
Pas tri ditësh i thashë vetvetes: pse s’provoj të gjej një ambient tjetër ku askush s’më njeh... Kisha dëshirë të filloja jetën nga e para duke e ndryshuar vetveten. Duhej të bëhesha hipokrit, dinak dhe servil, atëherë do të kisha një jetë të lumtur, madje të gjithë fqinjët do të më çmonin... Dola nga dhoma si të diljas nga varri. I thashë gruas dhe fëmijëve: më e mira në këtë situatë është ta braktisin fshatin e lindjes, sepse s’mund të jetojmë kur të gjithë na urrejnë... Prita të më përkrahin të gjithë. Mirëpo, të gjithëve fytyrës u ra hija e vdekjes. Gruaja u ngrit në këmbë e pastaj më tha: e gjallë s’lëvizi nga shtëpia se askujt asgjë të keqe s’i kam bërë!... Edhe djali u ngrit në këmbë i shastisur sikur ta kishte parë djallin me sy... Unë s’ndahem kurrë nga nëna as nga shoqëria... Edhe vajza zuri të klithë e të çirret me zë të lartë: ne s’të kemi faj pse je ngatërruar me shtetin!... E rrëmbeva kokën me duar që të mos më pëlciste. I mbylla veshët që të mos dëgjoja asnjë fjalë. Diçka më thoshte sikur e gjithë bota ishte ngritur kundër meje... Kur u kyça sërish në dhomë fillova të mendoj për gjëra që s’kisha dashur kurrë të mendoja e të cilat më shkaktonin dhembje e dëshpërim. Një zë i panjohur më tha: prania jote u shkakton telashe të gjithë njerëzve, madje edhe atyre për të cilët u sakrifikove gjatë tërë jetës. Është e pamundur të jetosh në mesin e njerëzve që të urrejnë!...
Pasi agoi një mëngjes i ftohtë vjeshte, gjatë të cilit binte
një shi i prajshëm që ma shtonte edhe më shumë peshën e mërzisë, e hapa derën e dhomës. Dola jashtë tinëz gruas e fëmijëve si të isha hajn. S’dëshiroja të përshëndetesha me askë... Kurrë i gjallë s'do të kthehem në këtë shtëpi, i thashë vetvetes me zë të përvajshëm... Derisa ecja nëpër rrugët e zbrazta pa cak e pa qëllim, një zë i brendshëm më tha: ç’dreqin të shtyri t’i thuash gruas, me të cilën për njëzet vjet jetove i lumtur: nëse s’vjen me mua, unë mund të jetoj edhe pa ty!... Askush, madje as gruaja e as fëmijët, s’të kanë faj pse nuk dite ta bësh një jetë të lumtur! U mundove ta shkatërrosh sistemin, kurse në vend të tij e shkatërrove jetën tënde... Nga pesha e rëndë e dëshpërimit gjërat në natyrë i shquaja me trajtë të deformuar ose nuk i shquaja fare... Për një çast u ndala sikur këmbët të më kishin hyrë nën dhe. Fillova me një sy tjetër t’i vështroja njerëzit që sorollateshin rrugëve, secili shkonte në punën e vet. Ata ishin tepër të lumtur, kurse unë s’e di pse mundohesha të gjeja arsyen e lumturisë së tyre. Njerëzit qeshin me zë të lartë nga kënaqësia që u ofronte jeta. U mundova edhe unë të qeshja, po qeshja s’më krijohej dot... Aha, ata e shijojnë jetën, e cila mua më ishte mohuar... Ata, për dallim nga unë, janë hipokritë e servilë... Pthu, pështyva disa herë në rrugë duke dashur ta shfreyja mllefin që më vlonte brenda... Pasi e qetësova mendjen vazhdova të sorollatem kuturu si të isha një kafshë që s’mund ta gjenë shtëpinë e vet. Pas një kohe çdo gjë zuri të ngatërrohet në mendjen time. Më s’e dija a ishte natë apo ditë, a kisha të ngrohtë apo të nxehtë, a isha i gëzuar apo i pikëlluar. Një forcë e paduksh-me më nxiste të zvarritesha nëpër do vende ku më parë s’kisha dashur të shkoja kurrë. Diçka më thoshte se mendja më ishte arratisur nga trupi. Tash më udhëhiqte instikti, të cilin s’isha i aftë ta frenoja. E kisha humbur aftësinë për çdo gjë, madje edhe për jetë...
Kur u shfaq një mëngjes i zbehtë, i cili i shëmbëllente
fytyrës së një kufomës që për shumë kohë ka mbetur mbi dhe, e pashë veten se u gjenda para kështjellës mesjetare, e cila në fillim m’u duk e panjohur. Pas një kohe m’u kujtua se para disa ditësh kisha qenë brenda për shumë vjet me akuza se kisha vepruar kundër sistemit, kundër partisë dhe kundër shtetit. Në atë çast më lindi dëshira e marrë që t’i lus njerëzit me uniforma të hirta që qëndronin te dyert që të më lejonin të hyja sërish brenda, duke shpresuar se aty mund të gjeja lumturinë që s’e kisha gjetur jashtë. Një mendje më tha: s’ka gjë më të tmerrshme kur liria të është e panevojshme!... Kur u afrova te dera e madhe pashë po ata njerëz që kishin qenë edhe ditën kur pata dalur jashtë, veçse ishin plakur shumë sa mezi i njoha. Njëri prej tyre sapo më pa zuri të zgërdhihet sikur të më shihte lakuriq... Të gjithë njerëzit këtu i sjellin pa dëshirën e tyre, më tha me zë ironik... I pari je ti që vjen këtu me dëshirë dhe lutesh që të të lejojmë të hysh brenda... Një tjetër u ngrit në këmbë e pastaj më tha: nuk të lejojmë të hysh brenda nëse nuk ke ndonjë arsye... Pasi u mendova disa çaste i thashë: nëse s’më lejoni të hyj brenda atëherë i thërras njerëzit të ngriten në kryengritje të përgjithshme kundër shtetit! Ata e shajnë sistemin që nuk u ofron jetë të lumtur, ia shajnë nënën e motrën të parit të shtetit, pastaj i thejnë të gjitha lokalet, i djegin pallatet... Ky vërtet qenkëshka i çmendur, ndryshe s'do të vinte këtu me dëshirë, tha njëri prej tyre që kishte trup të madh sa të ariut. Pastaj m’u afruan me ndrojtje të madhe, më rrëmbyen për krahësh dhe më futën brenda... Kur të vdesësh vijmë e të nxjerrim jashtë, më thanë duke qeshur pa pra...





Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen